Kërko

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku 

Lajme nga Papa e nga Kisha

Shtegtimi apostolik i Papës Françesku në Tajlandë dhe në Japoni; muaji i jashtëzakonshëm misionar për PIME – Instituti Papnor për Misionet e Jashtme; përkujtimi i të krishterëve të persekutuar në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Romë: disa lajme nga Papa e nga Kisha Katolike

R.SH. - Vatikan

Nga data 20 deri më 26 nëntor, Papa Françesku do të shkojë për vizitë apostolike në Tajlandë dhe në Japoni. Në Tajlandë, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në kremtimet për 350-vjetorin e themelimit të Vikariatit Apostolik të Siamit, fillesa e misioneve në ato troje, ndërsa në Japoni, do të shkojë për të ripohuar parimin e mbrojtjes së çdo jete e të respektit për dinjitetin njerëzor.

Është në përfundim e sipër muaji i tetorit, që është edhe muaji i jashtëzakonshëm misionar për Kishën Katolike, siç deshi Papa Françesku. Instituti vatikanas, që u kushtohet veprave të misionit, është PIME – Instituti Papnor për Misionet e Jashtme, i cili është njëkohësisht edhe instituti më i lashtë misionar italian. Kujtojmë se ai u themelua në Milano, në vitin 1850, nga një grup meshtarësh dioqezanë, që u nisën për të kumtuar Ungjillin në vende të varfëra e aty ku nuk e njihnin akoma Krishtin. Në 170 vjet histori, ai që sot është PIME e varet drejtpërdrejt nga Vatikani, ka dërguar nëpër botë më se 2000 misionarë. Tani, Shtëpia e themelimit të PIME-s, dy hapa nga qiellgërvishtësi i famshëm “Citylife”, është përtërirë krejtësisht dhe ia ka hapur portat njerëzve, duke u bërë vend dialogu për ta çuar misionin në qendër të qytetit.

Të enjten e kaluar, 24 tetor, Bazilika e Shën Bartolomeut në Romë, u ndriçua me të kuqe, nga ora 18 deri në orën 24, në kujtim të gjakut të derdhur nga të krishterët e vrarë, për shkak të fesë. “Shumë prej nesh e kanë akoma në zemër kujtimin e Koloseumit, jo larg prej këtej, ndriçuar me dritë të purpurtë, gjithnjë, me nismën e Fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’”, pohoi kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, gjatë paraqitjes së raportit të këtij Fondacioni, sipas të cilit, të krishterët persekutohen në 20 vende të botës.

“Ky vend – nënvizoi kardinali, duke folur për Bazilikën e Shën Bartolomeut – është dëshmi e vëmendjes së vazhdueshme për këtë përmasë të Kishës së sotme, të mbrojtur, siç jemi, nga ikona e martirëve të rinj dhe të rrethuar nga shenja të panumërta burrash e grash, që e kanë dhënë jetën për Krishtin, në kontinente të ndryshme”.

Pikërisht në ikonën e përmendur nga kardinali Sandri, pasqyrohet edhe një kishë e çkishëruar, ku vriten burra e gra, ndërsa luten. Janë shqiptarë e figura qendrore është një meshtar shqiptar, që vritet pasi ka pagëzuar një fëmijë. Po në këtë Bazilikë, në ishullin Tiberin, në njërën nga kapelat anësore, kushtuar martirëve të komunizmit, ruhet një kupë ostesh e përdorur nga meshtarët shqiptarë për të kremtuar fshehurazi meshën në burgun e Shkodrës, gjatë regjimit komunist. Gjithashtu, ruhet edhe një kryq, simbol i kryqeve, që mbaheshin fshehtas në shtëpitë e besimtarëve, pas vitit 1967, kur u ndalua çdo kult fetar.

27 tetor 2019, 09:42