Papa Françesku jep bekimin "Urbi et Orbi" Papa Françesku jep bekimin "Urbi et Orbi"  

Kremtimet e kryesuara nga Papa në muajt e ardhshëm

Në nëntor Mesha për Ditën Botërore të të varfërve dhe shtegtimi apostolik në Tailandë e Japoni. Në dhjetor, përveç Meshës për Amerikën Latine, kremtimi i Zojës së Papërlyer dhe i Solemnitetit të Krishtlindjes. Në janar, kremtimi i parë, ai i Ditës së 53-të të Paqes, në solemnitetin e Marisë, Nënë e Zotit. Pas Festës së Dëftimit të Zotit, Mesha e Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit, gjatë të cilës Papa do të pagëzojë disa fëmijë.

Mjeshtri i Kremtimeve liturgjike papnore dha sot njoftimin për kalendarin  e kremtimeve, që do të kryesohen nga Papa në muajt nëntor e dhjetor si dhe në ditët e para të janarit.

Të hënën e ardhshme, më 4 nëntor, në orën 11.30, Papa do të kremtojë, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte për shpirt të kardinajve dhe ipeshkvijve, që ndërruan jetë gjatë vitit.

Të dielë, 17 nëntor, në orën 10.00, gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit, Mesha për  Ditën botërore të të varfërve.

Nga 19 deri më 26 nëntor , Françesku do të jetë në shtegtim apostolik,  në Tailandë e Japoni.

Kremtimet papnore të dhjetorit do të nisin më 8, në orën 16.00, me Solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Papa do të shkojë në Sheshin e Spanjës për aktin e nderimit tradicional të Zojës së Zënë pa Mëkat.

Të enjten, 16 dhjetor, Festa e Zojës së Guadalupes, në Bazilikën e Vatikanit, në orën 18.00, Papa do të kryesojë Meshën për Amerikën Latine.

Më pas, kremtimi i Krishlindjes: të martën, më 24 dhjetor, në ora 21.30 Mesha Shenjte e Natës së Këshndellave e të mërkurën, 25 dhjetor, nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, në orën 12.00, Bekimi Urbi et Orbi.

Më 31 dhjetor, në solemnitetin e të Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit, në orën 17.00, Papa do të kryesojë Mbrëmësoret e para dhe Te Deum, në shenjë falënderimi drejtuar Zotit për vitin e kaluar.

Arrijmë, kështu, në Vitin e Ri 2020! Kremtimin e parë të Vitit të Ri, Papa do ta fillojë në orën 10.00, në bazilikën e Vatikanit. Do t’ia kushtojë Të Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit dhe Ditës  Botërore të Paqes.

Të hënën, 6 janar, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, në orën 10.00, Mesha Shenjte në Bazilikën e Vatikanit.

Së fundi, më 12 janar, në të dielën pas Ujit të Bekuar, Papa do të kremtojë Meshën në festën e Pagëzimit të Zotit, duke nisur nga ora 9.30, në Kapelën Sikstine. Gjatë kremtimit, do t’u japë Sakramentin e Pagëzimit disa fëmijëve.

28 tetor 2019, 14:15