Kërko

Kisha nuk është kështjellë me porta të mbyllura: dëshiron t’i mikpresë të gjithë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë mijëra shtegtarëve, Françesku vuri në dukje natyrën e Kishës, që ose është ‘në dalje’ ose nuk është Kishë, si dhe thelbin e sinodalitetit. Ipeshkvijve e meshtarëve u drejtoi thirrjen për përgjegjësi e bashkim.

R. SH. - Vatikan

Kisha nuk është kështjellë, por çadër, që mund ta zgjerojë strehën e t’i mikpresë të gjithë. E përsëriti disa herë Papa, në katekizmin e kësaj dite plot diell e shtegtarë, mbledhur nga të katër anët e botës në Sheshin e Shën Pjetrit. U përqëndrua përsëri tek Libri i Veprave të Apostujve si dhe tek shtegtimi i Fjalës së Zotit nëpër botë, nisur pas një persekutimi të frikshëm i cili, në vend  që ta ndalonte ungjillëzimin, i krijoi mundësinë ta zgjeronte fushën, të kërkonte e të përshkonte udhë gjithnjë të reja. Të krishterëve iu desh të iknin - kujtoi Françesku duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar - por ikën  duke marrë me vete edhe Fjalën e Zotit, të cilën  e përhapën kudo shkelën:

“Del nga Libri i Veprave të Apostujve, natyra e Kishës, që nuk është  kështjellë, as fortesë, po çadër, e aftë ta zgjerojë hapësirën, që të mund të hyjnë të gjithë e t’u japë strehë të sigurt të gjithëve. Kisha ose është ‘në dalje’, ose nuk është Kishë; ose është për udhë a duke u zgjeruar gjithnjë më shumë, ose nuk është Kishë. Është Kishë me porta të hapura, gjithnjë me porta të hapura!”.

Kurrë me porta të mbyllura

Portat e mbyllura, në gjuhën e krishterë e jo vetëm - ngulmoi Papa - nuk janë kurrë shenjë e mirë, prandaj duhet shmangur ftohtësia dhe refuzimi, që krijojnë:

“Unë, kur shikoj ndonjë kishë këtu, në këtë qytet, ose në ndonjë dioqezë tjetër, prej nga vij, me porta të mbyllura, kjo më duket shenjë e keqe. Kishat duhet t’i kenë gjithnjë portat e hapura, sepse porta e hapur është simbol i vetë Kishës; gjithnjë hapur! Kisha është e thirrur të jetë gjithnjë shtëpia a hapur e Atit[…]. Kështu që, nëse ndokush dëshiron të ndjekë lëvizjen e Shpirtit Shenjt e të afrohet në kërkim të Zotit, të mos takohet me ftohtësinë e një porte të mbyllur”.

Kumtimi paganëve

Duke u nisur nga Antiokia, qendër e lëvizjes misionare, Pali e Barnaba, “të dërguar nga Shpirti Shenjt” - vijoi Papa - përshkonin vende të ndryshme. E kumtimi i fjalës, së bashku me ta, arrin për herë të parë edhe në mjedise popullore pagane. Risi e madhe kjo, nga e cila lindin edhe shumë kundërshtime, aq sa disa judenj pohojnë se, për t’u shëlbuar, është e nevojshme rrethprerja. Për ta zgjidhur këtë çështje, Pali e Barnaba mbledhin, atëhere, Këshillin e apostujve e të pleqve në Jeruzalem. E ky mbahet si koncili i parë në historinë e Kishës, i thirrur për të hedhur dritë mbi një çështje teologjike, shpirtërore e disiplinore tepër delikate, domethënë për marrëdhëniet ndërmjet Fesë në Krishtin dhe zbatimit të Ligjit të Moisiut:

“Vendimtare gjatë asamblesë, janë diskutimet e Pjetrit e Jakobit ‘kolona’ të Kishës-Nënë. E këta të dy nuk ftojnë për t’ua imponuar rrethprerjen paganëve, por të kërkojnë prej tyre vetëm mohimin e idhujtarisë dhe të gjitha shprehjeve të saj. Nga  diskutimet, arrihet në rrugën e përbashkët e, ky vendim, ratifikohet me të ashtuquajturën letër apostolike, dërguar në Antioki”.

Sinodalitet e dialog

Duke vijuar tregimin lidhur me asamblenë e Jeruzalemit, Françesku u ndal tek thelbi i sinodalitetit, ai sinodalitet, që etërit sinodalë, të mbledhur akoma në Vatikan për Sinodin e Amazonës, po e jetojnë këto ditë të fundit, para mbylljes së takimit të madh:

“Na kujton se metoda kishtare për zgjidhjen e konflikteve bazohet mbi dialogun, që kërkon dëgjim të vëmendshëm e durimtar dhe shqyrtim, të kryer në dritën e Shpirtit Shenjt. Është Shpirti Shenjt ai, i cili ndihmon për kapërcimin  e mbylljeve e të tensioneve e që punon ndër zemra, që të mund të krijojë, me vërtetësi e mirësi, unitetin. Ky tekst na ndihmon ta kuptojmë sinodalitetin. Interesante mënyra si e shkruajnë Letrën. E fillojnë me fjalët: “Shpirti Shenjt e ne mendojmë se…”: është pikërisht fryma e sinodalitetit, prania e Shpirtit Shenjt. E kundërta nuk është sinodalitet, është parlament, tjetër gjë…”.

Të riforcohet bashkimi

Thirrja që i lartoi Papa Zotit, para përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, ishte që gjithë të krishterët, posaçërisht ipeshkvijtë e meshtarët, ta forcojnë dëshirën, por edhe përgjegjësinë e bashkimit:

“Na ndihmoftë ta jetojmë dialogun, dëgjimin dhe takimin me vëllezërit në fe  e edhe me të largët, për ta shijuar e për ta manifestuar fekonditetin e Kishës, që është e thirrur të jetë, në çdo kohë, nënë plot gëzim, e një mori bijsh”.

Kujtimi i kardinalit Kozłowiecki

Duke përshndetur besimtarër polakë, Françesku kujtoi në mënyrë të posaçme organizuesit e ekspozitës kushtuar kardinalit Kozłowiecki, përuruar dje, në Universitetin Papnor Gregorian:

“Gjatë viteve të Luftës II Botërore, Ai qe i burgosur në kampin e përqendrimti të Auschwitz-it e të Dakau-t. Më pas, për më se 60 vjet, kreu mision e tij në Zambia. E kumtoi me guxim të rrallë Ungjillin, luftoi pa u lodhur për dinjitetin dhe të drejtat e banorëve të Afrikës, ndërtoi kisha e shkolla, spitale e shtëpi mjekimi. Veprimtaria e këtij ungjillëzuesi të palodhur  polak - uroi në përfundim Papa - i haptë  zemrat tona për t’i ndihmuar vëllezërit që jetojnë në vendet e misionit”.

Ju bekoj me gjithë zemër - këto, fjalët e Papës, që mbyllën këtë audiencë, me frymën e sinodit, në vijim.

 

23 tetor 2019, 14:19