Ekspozita “Kaligrafia për dialogun: promovimi i kulturës së paqes përmes kulturës dhe artit” Ekspozita “Kaligrafia për dialogun: promovimi i kulturës së paqes përmes kulturës dhe artit” 

Kaligrafia e dialogut. Papa përuron një ekspozitë për promovimin e paqes

24 vepra të një artisti saudit, të frymëzuara nga arti i kaligrafisë, një ftesë për njohje e për dialog, nën ombrellën e bukurisë. Kjo është ekspozita, që përuroi sot Papa Françesku, në Universitetin Papnor të Lateranit. Do të qëndrojë e hapur nga 4 deri më 22 nëntor, në kujtim të kardinalit Jean-Louis Tauran.

R.SH. - Vatikan

“Shenja” për të folur mbi amshimin, “shkronja” për të filluar dialogun. Ky është syri me të cilin duhen parë 24 veprat e artistit saudit Othman Alkhuzaiem, ekspozuar në Universitetin Papnnor të Lateranit, në mbështetje dhe në vazhdim të Ditës së Studimit, që u organizua sot në ateneun romak, si përgatitje për Ngjarjen “Rishikimi i paktit arsimor global”, të cilën Papa Françesku dëshiron ta kremtojë më 14 maj 2020. Pikërisht për këtë, ishte vetë Ati i Shenjtë, që sot pasdite përuroi ekspozitën.

E pikërisht asaj dite iu referua edhe në fjalën e tij, kur nënvizoi se “edukimi për paqen kërkon t’u jepet përgjigje atyre, që dënohen me vdekje nga konfliktet e nga luftrat, ose detyrohen të braktisin të dashurit, shtëpitë dhe vendet e origjinës…Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, duke u kufizuar në thirrje për paqen. Të gjithë, edukatorë dhe studentë, duhet ta arrijmë dhe ta mbrojmë paqen çdo ditë, duke iu drejtuar Zotit me lutje që të na e dhurojë”.

Detyra ndaj brezave të rinj

         Papa kujtoi përgjegjësinë ndaj brezave të rinj dhe nevojën e “një pakti edukativ të gjerë, në gjendje të transmetojë jo vetëm njohuritë teknike, por edhe, e sidomos, dijen e urtinë njerëzore e shpirtërore, që përbëhet nga drejtësia, ndershmëria, sjelljet virtuoze”, për t’u vënë në jetë konkretisht. Shpesh, denoncoi Ati i Shenjtë, të rinjtë mënjanohen, sepse objektivat që u propozohen, janë të parezalizueshme për ta, ose kënaqin vetëm interesa të veçanta. Papa u kërkoi të gjitha feve të mos mbyllen në vetvete, por t’u japin të rinjve dëshminë se ka një model alternativ ndaj atij material. Kritikoi ato qëndrime klerikaliste, të cilat, në vend që t’u transmetojnë të rinjve përvojën e vlerave dhe të virtyteve, kufizohen në dhënien e udhëzimeve, duke shkaktuar largimin e rinisë nga institucioni fetar. Duhet të rrimë me njerëzit, të dialogojmë me ta me zemër të hapur, theksoi Papa Françesku. Duke iu drejtuar edhe jo besimtarëve e duke pasur parasysh kursin në teologjinë ndërkonfesionale të Universitetit Papnor të Lateranit, Ati i Shenjtë nënvizoi se “dialogu nuk shërben vetëm për parandalimin dhe për zgjidhjen e konflikteve, por është mënyrë për të nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet, që Zoti i ka shkruar në zemrën e çdo njeriu dhe i ka bërë të dukshme në rendin e gjithësisë”.

Kardinali Tauran, njeri i dialogut

Ekspozita, që përuroi sot Papa, është organizuar nga Ambasada e Arabisë Saudite në Romë në bashkëpunim me Universitetin. Tema e saj është: “Kaligrafia për dialogun: promovimi i kulturës së paqes përmes kulturës dhe artit” dhe përkujton edhe kardinalin Jean-Louis Tauran, ish-kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, që ndërroi jetë më 5 korrik të vitit të kaluar. Në fjalën e tij, Françesku nënvizoi se jeta e kardinalit u projektua e gjitha në perspektivën e dialogut: tw atij me Zotin, tw atij ndërmjet popujve, për të cilin kontribuoi si diplomat dhe, të dialogut ndërmjet feve. Ekspozita paraqet vepra të një artisti saudit, pikërisht sepse udhëtimi i fundit zyrtar i kardinalit Tauran e çoi në Arabinë Saudite për të promovuar njohjen e ndërsjellë, shembjen e mureve me botën myslimane dhe dialogun, siç e theksoi edhe Ati i Shenjtë në episodin e treguar sot pasdite. “Në qershor 1993, në Vjenë, gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, imzot Tauran-i i atëhershëm sapo kishte mbaruar fjalimin e tij, duke kujtuar dialogun e nevojshëm ndërmjet feve… Një anëtar i delegacionit të Arabisë Saudite u takua me të rastësisht, duke e pyetur si të thellohej më tej dialogu. Përgjigja e tij ishte: “Mund ta bëjmë këtë kur të vij në vendin tuaj”. Kjo dëshirë e shoqëroi ndër vite, deri sa u realizua vetëm disa muaj para se të kthehej në shtëpinë e Atit me vizitën e tij në Riad, në prill 2018”.

Eskpozita, ndërmjet ngjyrave dhe shkronjave simbolike

24 kuadrot e ekspozuara, me ngjyra që emocionojnë, kanë të përbashkët shkronjat e alfabetit arab. Janë protagoniste: nuk janë fjalë me kuptim të plotë, por shenjë e një arti kaligrafik, i cili në botën arabe ka si qëllim të  flasë për gjërat e larta, të shenjta, ato që na tregojnë amshimin.

31 tetor 2019, 17:11