Kërko

 Papa Françesku takohet me indigjenët e Amazonës Papa Françesku takohet me indigjenët e Amazonës 

Françesku takohet me një grup indigjenësh: Ungjilli duhet inkulturuar

Dje pasdite Papa u takua me indigjenët, që marrin pjesë në Sinodin kushtuar Amazonës, në vijim këto ditë, në Vatikan. Njoftimin e jep drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.

R. SH. - Vatikan

Dje pasdite Papa u takua me indigjenët, që marrin pjesë në Sinodin kushtuar Amazonës, i cili vijon këto ditë në Vatikan. Njoftimin e jep drejtori i Sallës së Shtypit  të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.

Ishte ora 15.00, kur Françesku u takua me një grup prej 40 indigjenësh, pjesëmarrës në Sinodin kushtuar Rajonit Panamazonik e në nisma të tjera,  që po zhvillohen këto ditë në Romë. Shoqëroheshin nga imzot Roque Paloschi, kryeipeshkëv i Porto Velho dhe kardinali Claudio Hummes.

“Takimi - shkruhet në komunikatën e Sallës së Shtypit  të Selisë së Shenjtë - u hap me një fjalim të shkurtër, me dy zëra, lexuar nga një grua e një burrë, përfaqësues të popujve autoktonë të cilët, përmes tyre, i shprehën Atit të Shenjtë mirënjohjen për mbledhjen e Sinodit dhe i kërkuan ndihmë për të vënë në jetë dëshirat e banorëve të Amazonës. Dëshirojmë - theksuan - t’i garantojmë jetë të lumtur e të qetë popujve tanë, që të mund të kujdesen për tokën e tyre, t’i mbrojnë ujërat e t’ua lënë, kështu, trashëgim edhe pasaradhësve të tyre .

Papa Françesku shkëmbeu me të pranishmit disa fjalë, duke nënvizuar se Ungjilli duhet të jetë si fara. Ajo bie në tokën që gjen e rritet me karakteristikat e kësaj toke. Lidhur me rajonin amazonik, Ati i Shenjtë  tërhoqi vëmendjen mbi format e reja të kolonizimit. Së fundi, duke kujtuar zanafillën e krishterimit, lindur në botën hebraike, zhvilluar në atë greko-latine e përhapur, pastaj, në troje të tjera, si ato sllave, lindore, amerikane, Ati i Shenjtë pohoi se Ungjilli duhet inkulturuar, që popujt ta marrin kumtimin e Jezusit sipas kulturës së tyre.

18 tetor 2019, 11:35