Kërko

Françesku misionarëve: vllezërit nuk duhen përzgjedhur, duhen përqafuar

Mesha Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Ditës së 93-të botërore misionare. I krishteri - pohon Papa në homeli - shkon me dashuri drejt të gjithëve, sepse misioni “nuk është barrë për t’u duruar, po dhuratë për t’u ofruar”.

R. SH. - Vatikan

“Mal”, “ngjitje”, “të gjithë”. Janë këto tri fjalët, që Papa Françesku i zgjodhi për t’ua kushtuar misionarëve të mbarë botës, gjatë Meshës kremtuar në Shën Pjetër me rastin e Ditës së tyre të 93-të botërore. Nga fjalët e Izaisë Profet - tek vendi  ku Jezusi u kërkon Apostujve të takohen pas ngjalljes, mali ka qenë gjithnjë “vend i takimeve të mëdha të Zotit me njeriun” - shpjegoi Papa në homeli.

Mali na çon te themelorja

Mbi mal duhet t’i afrohemi Zotit “në heshtje, në lutje, larg thashethemeve e vogëlsirave, që ndotin, e t’u afrohemi edhe të tjerëve, duke qenë mali vend, ku  nis misoni e ku njerëzit mund të shikohen me sy tjetër:

“Nga lart të tjerët shihen në tërësi e zbulohet se harmonia e bukurisë shijohet vetëm nga soditja e së tërës. Mali na kujton se vëllezërit e motrat nuk duhen zgjedhur, por duhen përqafuar me shikim e, sidomos, me jetë. Mali i lidh Zotin e vëllezërit në një përqafim të vetëm, në përqafimin e lutjes. Mali na çon lart, larg sendeve materiale, gjërave, që kalojnë; na fton të zbulojmë themeloren, atë që mbetet: Zotin e vëllezërit”.

Të ngjitesh, do të thotë të heqësh dorë nga diçka

“Nuk lindëm për të qenë gjithnjë mbi tokë, për t’u kënaqur me udhë të sheshta! Lindëm për të sulmuar majat - shtoi Papa- e, për t’u takuar me Zotin e me vëllezërit mbi mal, duhet  të ngjitesh. Ngjitja nuk është e lehtë. Të lodh. Po është e vetmja mënyrë që të krijon mundësinë për ta parë më mirë gjithçka. E, ashtu si pas një ngjitjeje të vështirë, shpërblehesh me pamjen madhështore, që të hapet para syve. Në mal, pastaj, nuk mund të ngjitesh lehtë, nëse ngarkohesh rëndë - shpjegoi Françesku - prandaj duhet të lehtësohesh, duhet lënë jeta horizontale, duhet luftuar kundër forcës së gravitetit. E këtu qëndron edhe sekreti i misionit:

“Për t’u nisur, duhet lënë diçka; për të kumtuar, duhet hequr dorë nga diçka. Kumtimi i besueshëm nuk bëhet me fjalë të bukura, por me jetë të bukur: jetë në shërbim, që di të heqë dorë nga një mori sendesh materiale, të cilat ta zvogëlojnë zemrën, të bëjnë indiferent e të mbyllin brenda vetes; një jetë, e cila shkëputet nga kotësitë, që e mbytin zemrën dhe gjen gjithnjë kohë për Zotin e për të tjerët”.

Zemra shkon përtej “doganave njerëzore”

Atëhere domethënia e misionit është “të ngjitesh mbi mal, të lutesh për të gjithë e të zbresësh nga mali, për t’u shndërruar në dhuratë për të gjithë”.  “Të gjithë” – fjalë që Zoti nuk lodhet kurrë s’e përsërituri:

“Të gjithë, sepse askush nuk përjashtohet nga zemra e Tij, nga shëlbimi i Tij; të gjithë, sepse zemra jonë shkon përtej doganave njerëzore, përtej partikularizmave  të themeluara mbi egoizmat, që nuk i pëlqejnë Zotit. Të gjithë, sepse secili është thesar i çmuar e kuptimi i jetës është t’ua dhurosh të tjerëve këtë thesar”.

I krishteri shkon t’i takojë të gjithë

Të ngjitesh e të zbresësh, janë tiparet themelore të të krishterit, që është gjithnjë në lëvizje, shkon gjithnjë drejt të tjerëve. Dëshmitari i Jezusit - shpjegoi akoma Papa -  nuk është kurrë i vetëm, por gjithnjë në grupin e tij.

Misioni është t’i japim ajër të pastër, botës së ndotur

Misioni është dëshmi, që duhet jetuar duke u sjellë si dishepuj. Kjo, këshilla që na jep Zoti. Vetë Kisha kumton mirë, vetëm nëse jeton si dishepulle e si dishepulle e ndjek ditë për ditë Mjeshtrin, duke e ndarë edhe me të tjerët gëzimin e kësaj jete:

“Jo duke pushtuar, duke detyruar, duke bërë prozelitë, por duke dëshmuar, duke u vënë në të njëjtin nivel, dishepuj me dishepuj, duke i dhuruar dashuri, dashurisë, që na u dhurua. Ky është misioni: t’i dhurosh ajër të pastër, ajër, që thithet në maje të maleve, atij që jeton i zhytur në ndyrësinë e botës, të sjellësh mbi tokë atë paqe, që të mbush me gëzim, sa herë që takojmë Jezusin mbi mal, në lutje; të tregojmë me jetë, e edhe me fjalë, se Zoti i do të gjithë e nuk lodhet kurrë, me askënd”

Jo barrë, po dhuratë

Zoti  - përfundoi Papa - është në ankth për të gjithë ata, që nuk dinë ende të bëhen bij të dashur të Atit, vëllezër, për të cilët dhuroi jetën e Shpirtin Shenjt. Ankth, që fashitet duke shkuar të ngarkuar me dashuri drejt të gjithëve, sepse misioni nuk është barrë për t’u duruar, po dhuratë për t’u ofruar”.

20 tetor 2019, 13:34