Kërko

Engjëlli i Tënzot: çdo i pagëzuar të japë ndihmesën e vet në kumtimin e Fjalës

Françesku, sot, kur kremtohet Dita misionare botërore, u kujtoi gjithë besimtarëve se janë të thirrur ta çojnë me hov të ri, në të katër anët e botës, lajmin e mirë: “Në Jezusin mëshira fiton mbi mëkatin, shpresa mbi frikën, vëllazërimi mbi armiqësinë”.

R. SH. -Vatikan

"Dita e sotme misionare botërore është rast i përshtatshëm për çdo të pagëzuar, që të ndërgjegjësohet, me hov të ri, për të bashkëpunuar në kumtimin e Fjalës e të Mbretërisë së Zotit”. Në  këtë ditë të veçantë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi Letrën Apostolike të Papës Benedikti XV “Maximum illud” të 1919-tës, shpallur “për t’i dhënë hov të ri përgjegjësisë misionare të mbarë Kishës”. Edhe pse sot shumë gjëra kanë ndryshuar - vërejti Ati i Shenjtë - mesazhi i Benediktit XV “është ende aktual e na nxit ta mundim çdo tundim, çdo mbyllje në vetvete e çdo formë të pesimizmit baritor, për t’ia hapur zemrën risisë së përhershme të Ungjillit”.

“Në këtë kohën tonë, të përshkuar nga globalizimi, që duhej të ishte  solidar, respektues i tipareve të ndryshme të popujve, ndërsa vuan akoma nga homologimi i konflikteve të vjetra të pushtetit, që ushqejnë luftërat e rrënojnë planetin, besimtarët janë të thirrur ta çojnë kudo, me hov të ri, lajmin e mirë: në Jezu Krishtin mëshira ngadhënjen mbi mëkatin, shpresa ngadhënjen mbi frikën, vëllazëria ngadhënjen mbi armiqësinë. Krishti është paqja jonë e në Të kapërcehet çdo përçarje. Vetëm Ai është shpëtim për çdo njeri e për çdo popull".

Mision e lutje

Për ta jetuar plotësisht misionin - nënvizoi Françesku - duhet plotësuar një kusht i domosdoshëm: “Lutja, një lutje e zjarrtë, e vazhdueshme, sipas mësimit të Jezusit”. “Mbështetja e parë e popullit të Zotit për misionarët është lutja e pasur me dashuri e mirënjohje për detyrën e tyre të vështirë: kumtimin, dhurimin e  dritës e të hirit të Ungjillit për ata, që nuk e kanë marrë akoma”. Papa Françesku nxiti, në fund, për t’i bërë vetes një pyetje: “A lutem për ata, që shkojnë larg për të çuar Fjalën e Zotit, duke e dëshmuar të parët?”.

Kujtimi i Martirit të Lum, don Alfredo Cremonesi

përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Crema, u shpall i Lum martiri dom Alfredo Cremonesi, meshtar misionar i Institutit të Misioneve të Jashtme. I vrarë më 1953, “qe apostull i palodhshëm i paqes e dëshmitar i zellshëm i Ungjillit deri në dhurimin e gjakut. Shembulli i tij  na nxitët të jemi veprimtarë të vëllazërimit e misionarë të guximshëm në çdo mjedis: ndërmjetësimi i tij i ndihmoftë të gjithë ata, që punojnë për të mbjellë farën e Ungjillit në botë”.

20 tetor 2019, 15:12