Kërko

 Arkivi Sekret i Varikanit Arkivi Sekret i Varikanit 

Arkivi Sekret i Vatikanit ka një emër të ri: do të jetë “Apostolik”

Jo më “Sekret”, por “Apostolik”. Arkivi i Vatikanit ndërron emër, duke e zëvendësuar fjalën “sekret”, e cila sot, në veshë të ndokujt, mund të tingëllojë si fjalë negative, me fjalën “Apostolik”, që nuk shqetëson më kënd, përkundrazi

R. SH. - Vatikan

Jo më “Sekret”, por “Apostolik”. Arkivi i Vatikanit ndërron emër, duke e zëvendësuar fjalën “sekret”, që sot, në veshë të ndokujt, mund të tingëllojë si fjalë negative, me një fjalë tjetër “Apostolik”, e cila nuk shqetëson më kënd, përkundrazi. E kështu është edhe “më afër”, Bergoglios. Në letrën apostolike, në formë motu proprio, Papa Françesku shpjegon pikërisht se me “ndryshimet e vazhdueshme semantike, që vërehen në gjuhët moderne, në kulturat dhe sensibilitetet shoqërore të disa kombeve, në një masë pak a shumë të theksuar, termi Secretum, pranë e pranë atij “i Vatikanit”, nisi të keqkuptohej, të ngjyrosej me sfumatura të dyshimta, madje edhe negative, në krahasim me kuptimin e zanafillës.

Arkivi lindi nga Biblioteka “sekrete” e Papës së Romës, a më mirë të themi, nga ajo pjesë e kodikëve dhe shkrimeve, nën jurisdiksionin e drejtpërdrejtë të Papës. Së pari u titullua thjesht “Archivum Novum”. Më pas “Archivum Apostolicum”. Deri një ditë, kur nisi të quhej “Archivum Secretum” (emrat e parë nisin rreth vitit 1646). Termi “secretum”, që u bë emër i institucionit e që vijoi të përdorej kështu në shekujt e mëpasëm - shkruan Bergoglio - u justifikua, ngaqë tregonte se Arkivi i ri, i krijuar me dëshirën e paraardhësit tim, Palit V, rreth viteve 1610-1612, nuk ishte tjetër, “veçse arkivi privat, i veçuar, rezervat, i Papës”. Kështu të gjithë Papët  nisën ta quajnë me këtë emër, e po kështu vijojnë ta quajnë edhe studiuesit, pa asnjë vështirësi. Ky emërtim, me të njëjtin kuptim, u përdor edhe pranë Oborreve të sovranëve e princave, arkivat e të cilëve quheshin gjithashtu “sekrete”.

Në arkiv gjindeshin e gjinden dokumente jashtëzakonisht të rralla, ardhur nga të katër anët e Evropës. Nga viti 1881, një pjesë e Arkivit u vu në dispozicion  të  studiuesve nga mbarë vendet e botës. E nisi të rritet çdo vit edhe numri i teksteve,  që vihen në dispozicion për konsultim.

Nga 2 marsi 2020, me  dëshirën e vetë Papës Bergoglio, data për gjurmimin e dokumenteve do të shtrihet deri në përfundim të papnisë së Piut XII. “Parashikohet - përfundon Françesku - të rritet gradualisht struktura  e vetë Arkivit, për t’i shërbyer gjithnjë më shumë Kishës dhe botës së kulturës, duke ecur gjithnjë në gjurmët e mësimeve dhe direktivave të Papëve”.

“Sekret - Novum - apo “Apostolik” - Arkivi mbetet ai që ishte, në shërbim të botës  e njerëzve të kulturës prej shekujsh,  duke ia zbuluar, e jo duke ia fshehur, sekretet e historisë mbarë njerëzimit që, pa dokumente e libra, nuk do t’i fliste, kështu si i flet, njeriut modern, duke ia hapur para syve “pikërisht sekretet”  e shekujve. Një pjesë e mirë e të cilave dalin  pikërisht nga porta e këtij arkivi, për të hyrë në histori, në letërsi, në kinematografi, në pikturë e muzikë! Pa u fshehur e pa frikë!

28 tetor 2019, 17:07