Kërko

 'Te Pagezuar e te derguar' kjo tema e Ditës së 93-të Botërore Misionare 'Te Pagezuar e te derguar' kjo tema e Ditës së 93-të Botërore Misionare 

Papa: të dielën më 20 tetor në Vatikan kremton Meshën e Ditës Botërore Misionare

Më 20 tetor, të Dielën XXIX gjatë vitit kishtar, në ora 10.00 në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës së 93-të Botërore Misionare. Njoftimin e jep zyra e Kremtimeve liturgjike papnore. Kujtojmë se Tetori 2019 është muaj i jashtëzakonshëm misionar me temën "Të pagëzuar dhe të dërguar”".

R.SH. - Vatikan

Më 20 tetor të ardhshëm, të Dielën XXIX gjatë kohës së zakonshme, sipas kalendarit kishtar, në ora 10.00 në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës së 93-të Botërore Misionare. Njoftimin e jep zyra e Kremtimeve liturgjike papnore. Kujtojmë se Tetori 2019 është muaj i jashtëzakonshëm misionar.

Muaji i jashtëzakonshëm Misionar i tetorit, shpallur nga Papa Françesku, që ka stemë “Të pagëzuar dhe të dërguar”, po kremtohet nga Kisha katolike në mbarë botën, në mënyrë që të krishterët të jenë më të vetëdijshëm për misionin e tyre në botë. Muaji Misionar i Tetorit 2019 ka si synim ta ndihmojë mbarë popullin e Zotit të përtërijë vetëdijen e përgjegjësisë, që buron nga Sakramenti i Pagëzimit, lidhur me misionin e Kishës për ungjillëzimin e mbarë njerëzimit.

Katër përmasat, që ta karakterizojnë Muajin Misionar të Jashtëzakonshëm, janë ato, që Papa Françesku i kujtoi  gjatë fjalimit të tij, mbajtur më 3 qershor 2017 në takimin me Drejtorët Kombëtarë të Pom. Përmasa e parë, takimi personal me Jezu Krishtin e gjallë, në Kishën e tij: Eukaristia, Fjala e Zotit, lutja personale e komunitare. Përmasa e dytë, dëshmia e shenjtorëve dhe e martirëve të misionit (të shenjtëruar ose jo). Përmasa e tretë, formimi biblik, katekistik, shpirtëror e teologjik për mision. Së fundi, përmasa e katërt: bamirësia misionare si angazhim i të gjithëve për të mbështetur “koston” e kumtimit ungjillor dhe të formimit në fe e në mision, posaçërisht në Kishat më nevojtare.

Ati i Shenjtë Bergoglio u kërkon të gjithë besimtarëve “ta kenë vërtet për zemër kumtimin e Ungjillit dhe kthimin e bashkësive të tyre në realitete misionare dhe ungjillëzuese”, që “të rritet dashuria për misionin, e cila është pasion për Jezusin, por, njëkohësisht, është edhe plot pasion për popullin e Tij”, siç thoshte shën Gjon Pali II.

Sipas Papës Françesku “Misioni është në zemër dhe zemra e Kishës”, prandaj edhe i nxit të gjithë ta jetojnë me gëzim misionin, duke e dëshmuar Ungjillin në ambientet ku jetojnë e punojnë. Njëkohësisht, na kujton Papa Bergoglio se, jemi të thirrur t’i mbështesim me dashuri, me ndihmë konkrete e me lutje, misionarët e nisur për t’u kumtuar Krishtin atyre, që akoma nuk e njohin. 

17 tetor 2019, 11:17