Kërko

Videomesazhi i Papës Klubit Amerika: "lutem për unitetin e popullit meksikan"

Papa Françesku i dërgoi një videomesazh, Klubit të futbollit meksikan “Amerika”, në 103-vjetorin e themelimit. Përmes tij ai bekoi kafazin e ri për shqiponjën-simbol të skuadrës.

R.SH. - Vatikan

Një gjest, me të cilin Ati i Shenjtë deshi të tërheqë vëmendjen e botës ndaj problemit të zhdukjes së llojeve të bimëve e të kafshëve e rrezikut të pakësimit të biolarmisë së planetit. Ky, kuptimi i videomesazhit, që Papa Françesku ia dërgon sot Klubit të futbollit meksikan “Amerika”, në 103-vjetorin e themelimit. Përmes tij Ati i Shenjtë bekoi kafazin e ri për shqiponjën-simbol të skuadrës. 

Papa Françesku nënvizon se shqiponja është një nga llojet në rrezik për t’u zhdukur, për shkak të shpyllëzimit e të gjuetisë, prandaj, thekson:

“Shpresoj se ky gjest në favor të biolarmisë do të ndihmojë të ndërgjegjësohemi për nevojën urgjente që të kujdesemi për ‘Shtëpinë tonë të përbashkët’. Si për ambientin, ashtu edhe për njerëzit, pa përjashtuar askënd, por të kujdesemi për Shtëpinë e përbashkët, të kujdesemi për njëri-tjetrin”.

Bekimi i kafazit të shqiponjës së Klubit sportiv Amerika në Qytetin e Meksikos u bë nga kardinali Carlos Aguiar, ndërsa Papa e shtrin përshëndetjen e tij për gjithë skuadrat e futbollit të vendit, duke i lavdëruar për promovimin e integrimit shoqëror dhe për nismat e shumta të solidaritetit. “E ardhmja – thotë Papa në videomesazh – nuk ndërtohet me ankesa, por me vendime si i juaji”.

 “Dua edhe t’ju them – vijon Ati i Shenjtë - se lutem për bashkimin e popullit meksikan, në mënyrë që Virgjëra e dashur e Guadalupes të vazhdojë t’ju mbulojë me mantelin e saj, që të mos bini në meskinitetin e interesave të grupeve të vogla, por përkundrazi, larmia e pasur e kulturave dhe e pikpamjeve, që ekzistojnë në tokën tuaj të bukur, të jetë gjithnjë e më e integruar. Në atë mënyrë që të mbizotërojë kërkimi i së mirës së përbashkët, me impenjim të veçantë për integrimin e më të harruarve”.

Së fundi, Papa Françesku u kërkon meksikanëve që kur t’i drejtohen Zojës së Guadalupes të luten edhe për të.

27 shtator 2019, 22:05