Kërko

1568196442293.JPG

Veprimtaria javore e Papës

Audienca e Papës Françesku me agustinianët; ajo me ipeshkvijtë e rinj; audienca e përgjithshme, ku Papa Françesku përshkoi shtegtimin në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius; udhëtimi i ardhshëm në Japoni e Tajlandë karakterizuan javën e kaluar të Atit të Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Në audiencën me agustinanët, ditën e premte, Papa Françesku u nënvizoi përgjegjësinë e dëshmisë së tyre në botën e sotme, krejtësisht të shekullarizuar. “Kërkimi i Zotit – u tha atyre Ati i Shenjtë - nuk mund të errësohet nga qëllime të tjera, pavarësisht se bujare dhe apostolike. Sepse pikërisht ky është apostullimi juaj i parë. Jemi këtu – kështu duhet të thoni çdo ditë ndërmjet jush – që të ecim drejt Zotit. E meqë Zoti është Dashuri, ecim drejt Tij në dashuri. Kryqi është masa e dashurisë, gjithmonë”.

Papa, ipeshkvijve të rinj: “thjeshtësi, shkoni ndërmjet njerëzve, jo takim me tabelë”

Të enjten e kaluar, më 12 shtator, Papa Françesku u takua me ipeshkvijtë e shuguruar gjatë vitit. I ftoi të jenë të thjeshtë e të mos tërhiqen para problemeve.

“T’i qëndrosh afër popullit të Zotit – u tha Papa – do të thotë të bëheni një me të, të ndani dhimbjen me të e të mos ia përbuzni shpresat. T’i qëndrosh afër popullit do të thotë të keni besim se hiri që Hyji dikon mbi ne me besnikëri, përçues të të cilit jemi edhe përmes kryqeve që bartim, është më i madh se balta, prej së cilës kemi frikë. Ju lutem mos lejoni të mbizotërojë frika nga rreziqet e shërbimit, duke u tërhequr dhe duke mbajtur distancë. Kishat tuaja duhet t’jua përcaktojnë identitetin, sepse Zoti jua ka bashkuar fatin me to, duke shqiptuar emrin tuaj bashkë me emrin e tyre”.

Papa në audiencën e përgjithshme: në Afrikë për të çuar Ungjillin, drejtësinë e paqen

Si zakonisht, pas kthimit nga udhëtimet apostolike, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku përshkoi shtegtimin në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius. “Falenderoj Zotin – tha Ati i Shenjtë – që më dha mundësinë ta kryej këtë udhëtim si shtegtar i paqes dhe i shpresës”. Papa falenderoi autoritetet dhe Kishën e vendeve afrikane, duke nënvizuar me forcë: “Shpresa e botës është Krishti e, Ungjilli i Tij është tharmi më i fuqishëm i vëllazërimit, lirisë, drejtësisë dhe paqes për të gjithë popujt. Me vizitën time, pas gjurmëve të shenjtorëve ungjillëzues, u përpoqa ta çoj këtë tharm, tharmin e Krishtit, në popullsitë mozmabikane, malgashe dhe mauriciane”.

Në nëntor, Papa Françesku në Japoni e Tajlandë

 Në nëntor, Papa Françesku kthehet në kontinentin aziatik. Të premten, më 13 shtator, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi se Bergoglio do të shkojë në Japoni e Tajlandë. Këto dy vizita do të zhvillohen nga 19 deri më 26 nëntor të këtij viti. Të dyja Kishat dhe qeveritë lokale e patën ftuar Papën që më 2013.

Udhëtimi i ardhshëm apostolik do të jetë i teti i Françeskut në Azi, ndërsa Japonia dhe Tajlanda do të jenë vendet e 13-ta dhe të 14-ta aziatike, që vizitohen nga Papa. I vetmi, që pati shkuar shtegtar në këto vende para tij, është Papa i shenjtë Gjon Pali II, i cili vizitoi Japoninë në vitin 1981 dhe Tajlandën në vitin 1984.

        

15 shtator 2019, 09:07