Kërko

Papa Françesku gjatë audiencës sё përgjithshme, 11 shtator 2019, nё Sheshin e Shёn Pjetrit Papa Françesku gjatë audiencës sё përgjithshme, 11 shtator 2019, nё Sheshin e Shёn Pjetrit 

Papa: "Farërat e hedhura" me udhëtimin në Afrikë sjellshin "fryte të begatshme"

Ati i Shenjtё Bergolio ripërshkoi tre fazat e udhëtimit tё tij në Afrikё nё shenjë të pajtimit dhe tё kujdesit për shtëpinë e përbashkët - mjedisin. Shpresa e botës është Krishti, e Ungjilli i tij është tharmi më i fuqishëm i vëllazërimit, lirisë, drejtësisë dhe paqes për të gjithë popujt.

R.SH. - Vatikan

"Farërat e hedhura" me udhëtimin e 31-të apostolik të Papës në Afrikë sjellshin "fryte të begatshme" për ata popuj. Kёtё urim ka shprehur Papa Françesku gjatë audiencës sё përgjithshme, sot paradite nё Sheshin e Shёn Pjetrit, kushtuar tërësisht udhëtimit apostolik ndërkombëtar që sapo përfundoi. Ati i Shenjtё Bergolio ripërshkoi tre fazat e udhëtimit tё tij në Afrikё nё shenjë të pajtimit dhe tё kujdesit për shtëpinë e përbashkët - mjedisin.

Nё vijim audienca e plotё e përgjithshme e Papёs Françesku, kushtuar shtegtimit 31-të apostolik të Papës nё Mozambik, Madagaskar e Mauritius

Audienca e pergjithshme e 11 shtatorit 2019

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Mbrëmë u ktheva nga Udhëtimi Apostolik në tre vendet e Afrikës Jug-Lindore: Mozambik, Madagaskar dhe Mauritius. E falënderoj Zotin që më dha mundësinë ta bëj këtë udhëtim si shtegtar i paqes e shpresës, e dua të rinovoj mirënjohjen time Autoriteteve përkatëse të këtyre shteteve, si dhe Episkopateve, që më kanë ftuar dhe pritur me aq shumë dashuri e kujdes .

Shpresa e botës është Krishti, e Ungjilli i tij është tharmi më i fuqishëm i vëllazërimit, lirisë, drejtësisë dhe paqes për të gjithë popujt. Me vizitën time, gjurmëve të ungjillëzuesve të shenjtë, u përpoqa ta sjell këtë tharm tek popullsitë mozambikane, mallgashe dhe mauriciane.

Në Mozambik shkova për t’i përhapur farat e shpresës, paqes dhe pajtimit në një tokë që ka vuajtur aq shumë në të kaluarën e kohëve të fundit për shkak të një konflikti të gjatë të armatosur, dhe që në pranverën e kaluar u godit nga dy ciklone, që shkaktuan dëme shumë të rënda. Kisha, në Mozambik, vazhdon ta shoqërojë procesin e paqes, që bëri edhe një hap tjetër përpara më 1 gushtin e kaluar duke arritur një marrëveshjeje të re ndërmjet palëve.

Në këtë drejtim inkurajova Autoritetet e vendit, duke i nxitur të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Inkurajova të rinjtë, të cilët u mblodhën së bashku, me prejardhje të ndryshme fetare, që ta ndërtojnë vendin, duke kapërcyer vuajtjet, dëshpërimin dhe ankthin, duke përhapur miqësinë shoqërore e duke çmuar traditat dhe të moshuarit. Ipeshkvijve, priftërinjve dhe rregulltarëve, me të cilët u takova në Katedralen e Maputos, që i kushtohet Virgjërës së Papërlyer, iu propozova rrugën e Nazaretit, udhën e "po-së" bujare të Virgjërës Mari thënë Zotit, në shenjë të kujtesës mirënjohëse të thirrjes shenjte e të origjinës së saj, në Zotin. Një shenjë e fortë e kësaj pranie ungjillore është edhe spitali Zimpeto, në periferi të kryeqytetit, ndërtuar me angazhimin e Komunitetit të Shën Egjidit. Vizita ime në Mozambik përfundoi me Meshën, kremtuar nën shi në Stadiumin e madh: aty jehoj thirrja e Zotit Jezus: "Duaj armiqtë e tu" (Lk 6.27), fjalë që janë farë e revolucionit të vërtetë, të revolucionit të dashurisë, që shuan dhunën dhe formon vëllazërimin.

Nga Maputo u transferuam në Antananarivo, kryeqytetin e Madagaskarit. Një vend i pasur me bukuri natyrore dhe burime, por që karakterizohet nga një varfëri e madhe. Urova që, i nxitur nga fryma e tij tradicionale e solidaritetit, populli mallagash të mund t’i kapërcejë vështirësitë e të ndërtojë një të ardhme plot zhvillim, duke ndërthurur respektin për mjedisin me drejtësinë shoqërore. Si shenjë profetike në këtë drejtim, vizitova "Qytetin e Miqësisë" - Akamasoa, themeluar nga një misionar, Atë Pedro Opeka: aty bëhen përpjekje për të gërshetuar punën, dinjitetin, kujdesin për më të varfërit dhe edukimin për fëmijë. Gjithçka duke u frymëzuar nga Ungjilli. Në Akamasoa, afër gurores së granitit, ia lartova Zotit Lutjen për punëtorët.

Rrugëtimi kishtar i vizitës në Madagaskar filloi nga takimi me murgeshat kundruese: në fakt, pa besim dhe lutje, nuk mund të ndërtohet një qytet i denjë për njeriun. Me Ipeshkvijtë e vendit ripohuam angazhimin tonë për të qenë "mbjellës të paqes dhe shpresës", duke u kujdesur për popullin e Zotit, veçanërisht të varfërit dhe për meshtarët tanë.

Së bashku e nderuam të Lumen Victoire Rasoamanarivo, e para mallagashe e ngritur në nderimet e altarit. Me të rinjtë e shumtë, përjetova një vigjilje të pasur me dëshmi, këngë dhe valle. I inkurajova të rinjtë që të jenë gjithnjë për rrugëtim, t'i përgjigjen me zemërgjerësi Zotit që thërret me emër dhe na beson një mision, e të jemi gjithmonë të sigurt se Ai është gjallë dhe është me ne.

Në Antananarivo kremtuam Eukaristinë e së dielës në "Fushën e madhe Dioqezane": si të ishim në rrugët e Galilesë, ku turma të mëdha u mblodhën rreth Jezusit Zot. Dhe së fundi, në Institutin Saint-Michel, takova priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët e Madagaskarit. Ishte një takim në shenjë lavdi e nderimi ndaj Zotit.

E hëna e kaluar iu kushtua vizitës në Republikën e Mauritius, një vend i njohur turistik, por të cilin e zgjodha si vend integrimi ndërmjet grupeve dhe kulturave të ndryshme etnike. Në fakt, gjatë dy shekujve të fundit, në atë arkipelag kanë zbritur popullsi të ndryshme, veçanërisht nga India; dhe pas pavarësisë, vendi përjetoi një zhvillim të fortë ekonomik dhe shoqëror.

Mesha e Shenjtë u kremtua pranë Monumentit të Marisë Virgjër Mbretëreshë e Paqes, në kujtim të Të Lumit Zhak-Désiré Laval, që njihet si "apostull i unitetit maurician". Ungjilli i Lumnive, që është një letërnjoftim i dishepujve të Krishtit, në atë kontekst, vërtetë është një antidot kundër tundimit të mirëqenies egoiste dhe diskriminuese, madje është tharmi i lumturisë së vërtetë, të imprenjuar me mëshirë, drejtësi dhe paqe.

Më vonë, në takim me Autoritetet e Mauritius, shpreha vlerësimin tim për angazhimin që mbështet harmonizimin e dallimeve në një projekt të përbashkët, dhe inkurajova të çohet përpara edhe sot kapaciteti i pritjes e strehimit, si dhe përpjekja e mirëmbajtjes dhe zhvillimi i jetës demokratike.

Të dashur vëllezër dhe motra, ta falënderojmë Zotin dhe t'i kërkojmë atij që farat e hedhura në këtë udhëtim apostolik të japin fryte të begatshme për popujt e Mozambikut, Madagaskarit dhe Mauritius.

11 shtator 2019, 11:22