Pasojat e uraganit Dorian Pasojat e uraganit Dorian 

Telegrami i Papës për viktimat e uraganit Dorian

Uragani Dorian, që javën e kaluar goditi rëndë Bahamas dhe bregun lindor të SHBA-ve, vijon ta humbasë forcën e vet fillestare, por lë pas një numër të papërcaktuar të humburish e dëme të jashtëzakonshme. Njoftimi i fundit për viktimat e tij në Bahamas flet për 44 të vdekur. E ndërsa bilanci pritet të jetë më i rëndë, bëhet i njohur telegrami i Papës Françesku, drejtuar kryeipeshkvit të kryeqytetit Nasau, imzot Patrick Christopher Pinder.

R.SH. - Vatikan

Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin (vetë Ati i Shenjtë ndodhet në shtegtim në Afrikë), thuhet se Papa Bergoglio është trishtuar shumë kur mori vesh për dëmet e uraganit. Përmes telegramit, ai shpreh “solidaritetin shpirtëror dhe shqetësimin e thellë baritor për të gjithë ata, që janë prekur nga kjo fatkeqësi”. Ati i Shenjtë i lutet Zotit që t’i pranojë në mbretërinë e vet viktimat dhe të ngushëllojë e t’u japë forcë të pastrehëve, të plagosurve dhe të vuajturve. “Duke shpresuar që bashkësia ndërkombëtare do të përgjigjet me asistencë të menjëhershme e të frytshme, Shenjtëria e Tij i kërkon Hyjit t’u japë dhuratën e forcës dhe të këmbënguljes bujare të gjithë atyre, që impenjohen në punën masive të lehtësimit të vuajtjeve dhe të rindërtimit, në shërbim të vëllezërve dhe motrave”. Telegrami mban datën 5 shtator.

09 shtator 2019, 14:50