Telegrami i Papës për viktimat e uraganit Dorian
R.SH. - Vatikan
Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin (vetë Ati i Shenjtë ndodhet në shtegtim në Afrikë), thuhet se Papa Bergoglio është trishtuar shumë kur mori vesh për dëmet e uraganit. Përmes telegramit, ai shpreh “solidaritetin shpirtëror dhe shqetësimin e thellë baritor për të gjithë ata, që janë prekur nga kjo fatkeqësi”. Ati i Shenjtë i lutet Zotit që t’i pranojë në mbretërinë e vet viktimat dhe të ngushëllojë e t’u japë forcë të pastrehëve, të plagosurve dhe të vuajturve. “Duke shpresuar që bashkësia ndërkombëtare do të përgjigjet me asistencë të menjëhershme e të frytshme, Shenjtëria e Tij i kërkon Hyjit t’u japë dhuratën e forcës dhe të këmbënguljes bujare të gjithë atyre, që impenjohen në punën masive të lehtësimit të vuajtjeve dhe të rindërtimit, në shërbim të vëllezërve dhe motrave”. Telegrami mban datën 5 shtator.