Kërko

 Imzot Damian, në mes të fëmijëve të Amazonës Imzot Damian, në mes të fëmijëve të Amazonës 

Sinodi për Amazonën: Papa emëron kryetarët delegatë

Kryetarët janë tre kardinaj: venezuelani Porras Cardozo, peruviani Barreto Jimeno e braziliani Braz de Aviz: do të kenë detyrën të kryesojnë punimet e Sinodit, që do të mbahet tetorin e ardhshëm, në Vatikan .

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, në prag të Asamblesë së Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Rajonin Panamazonik, që do të mbahet në Vatikan nga 6 deri më 27 tetor të këtij viti, me temë: “Amazona: udhë të reja për Kishën dhe për ekologjinë e gjithanshme”, emëroi kryetarë delegatë kardinajtë Baltazar Enrique Porras Cardozo, venezuelan, administrator apostolik «sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis» në Caracas, kryeipeshkëv i Méridës; Pedro Ricardo Barreto Jimeno, peruvian, kryeipeshkëv i Huancayo, zëvendës-kryetar i rrjetit Kishtar Panamazonik (REPAM); João Braz de Aviz, brazilian, prefekt i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe  Shoqëritë e jetës apostolike.

Roli i kryetarit delegat

Sinodi i Ipeshkvijve i nënshtrohet plotësisht Papës, që është edhe president. Para fillimit asamblesë, Papa emëron kryetarët delegatë, që do të kryesojnë punimet, në emër të tij. Sipas Ordo Synodi Episcoporum, Rregullores së Sinodit të Ipeshkvijve, përditësuar nga Benedikti XVI, më 2006, presidenti delegat ka për detyrë të kryesojë punimet sinodale, t’u caktojë disa anëtarëve detyra të veçanta, që asambleja  të vijojë sa më mirë punimet, të nënshkruajë aktet e asamblesë. Presidentët delegatë e kryejnë detyrën e tyre, duke zëvendësuar njëri-tjetrin, sipas një radhe, të caktuar nga Papa, deri në fund të Sinodit, për të drejtuar të cilin u emëruan.

Fazat e Sinodit

Papa Françesku, me Kushteutën Apostolike Episcopalis communio (15 shtator 2018)  e përtëriu plotësisht Sinodin e Ipeshkvijve, duke e radhitur në kornizën e sinodalitetit, si përmasë kushtetuese e Kishës, në të gjitha nivelet e qenies së saj.

Sinodi është proces, që zhvillohet në tyri faza; faza përgatitore, e këshillimit me popullin e Zotit mbi temat e caktuara nga Papa; faza e  kremtuese, e mbledhjes së asamblesë së ipeshkvijve; dhe faza e vënies në jetë,  në të cilën  përfundimet e Sinodit, të miratuara nga Papa, u  dërgohen Kishave.

Papa e dha njoftimin lidhur me mbledhjen e Sinodit për rajonin  Panamazonik gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 15 tetorit 2017. “Qellimi kryesor i kësaj mbledhjeje – pati thënë – është të gjinden rrugë të  reja për ungjllëzimin e kësaj pjese të Popullit të Zotit, posaçërisht të indianëve, shpesh herë të harruar e pa perspektiva për një ardhmëri  të qetë, edhe për shkak të krizës së pyjeve Amazonike, mushkëri me rëndësi  të dorës së parë për Planetin tonë”.

Sinodit i prin Shpirti Shenjt

Siç pohoi Françesku në intervistën dhënë “La Stampa-Vatican Insider” - sinodi “nuk është mbledhje shkencëtarësh a politikanësh. Nuk është parlament: është tjetër gjë! Lind nga Kisha e ka misionin dhe përmasën ungjillëzuese. Do të jetë punë e përbashkët, e udhëhequr nga Shpirti Shenjt. Temat më të rëndësishme janë ato, që kanë të bëjnë me  shërbesën e ungjillëzimit dhe me mënyrat e ndryshme për të ungjillëzuar.

Amazona, “Sinod urgjence”

Tetorin e ardhshëm, pra, në Vatikan, do të mbahet Sinodi kushtuar Amazonës,  bir i “Laudato Si’ - nënvizon Papa -  për të pohuar më pas: “Nuk është enciklikë e gjelbër, por enciklikë e bazuar mbi kujdesin për krijimin”. Njëkohësisht është “Sinod urgjence”. Françesku shpreh shqetësimin, kur kujton se më 29 korrik njeriu i konsumoi të gjitha burimet, që i duhen për të jetuar deri në fund të vitit në vijim. Kjo, njëherësh me shkrirjen e akujve, rrezikun e ngritjes së nivelit të oqeaneve, shtimit të sasisë së plastikës në detra, shpyllëzimit e situata të tjera kritike, krijon një atmosferë emergjence botërore.

Amazona, vendimtare për ardhmërinë e Planetit

Papa shpjegon pse u vendos të mblidhej një Sinod për Amazonën, rajon  që ka nëntë shtete: është zonë me rëndësi të dorës së parë, kontribuon në mënyrë vendimtare në mbijetesën e Planetit. Pjesa më e madhe e oksigjenit që thithim, na vjen prej andej. Ja pra, pse shpyllëzimi  i Amazonës “do të thotë vetëvrasje për njerëzimin”.

07 shtator 2019, 14:35