Kërko

Mons Rrok Mirdita,  arcivescovo emerito di Tirana Mons Rrok Mirdita, arcivescovo emerito di Tirana 

Kujtojmë Imzot Rrok Mirditën, nё 80-vjetorin e lindjes

Imzot Gjergj Meta: Mons Mirdita ishte njeri që e donte Kishën e nuk do të lejonte kurrë që ai të ishte shkak që ajo të kompromentohej. Po ashtu deshi Atdheun e punoi me sa mundi për zhvillimin e vendit, sidomos në drejtim të dialogut ndërfetar, duke u bërë protagonist i tranzicionit shqiptar dhe një nga figurat më të spikatura të tij.

R.SH. - Vatikan

Sot mё 28 shtator kujtojmё Imzot Rrok Mirditёn, nё 80-vjetorin e lindjes.  Siç dihet Imzot Rrok Mirdita, ёshtё Arqipeshkëvi i parё i Tiranë-Durrësit, nё periudhёn e pas-rёnies sё diktaturёs nё Shqipёri. Një jetë shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit.

Mё 1993 u emërua dhe u shugurua ipeshkëv nga Papa Shën Gjon Pali II, dhe për 22 vjet rresht i vuri shpatullat rindërtimit dhe rimëkëmbjes sê Kishës në Dioqezën Tiranë-Durrës. Imzot Rrok Mirdita qe një zë i matur dhe i fuqishëm i Kishës katolike në Shqipëri. Inteligjenca praktike, sensi i humorit, aftësia komunikuese, vendosmëria karakteriale, feja e gjallë, që i vinte nga një familje besimtare, e bënin imzot Mirditёn një njeri të admirueshëm e karizmatik.

Imzot Rroku qe një gur-themel për dialogun ndërfetar dhe kohezionin shoqëror nё Shqipëri, nё cilin besoi dhe tё cilin e promovoi me të gjitha energjitë e tij. Kisha katolike e pas regjimit komunist  nё Shqipёri nuk do të mund të studiohet apo kuptohet pa figurën e Imzot Mirditës dhe të asaj çka ai bëri për të e pёr mirëvajtjen e shoqërisë demokratike. Po e kujtojmё sot me fjalёt e njёrit prej meshtarëve tё ri shqiptarё, tё mbështetur e shuguruar nga Imzot Rrok Mirdita, e qё sot ёshtё edhe ai ipeshkёv, nё Rrёshen.

Pra, ja kujtimi i Imzot Rrok Mirditёs nё fjalёt e Imzot Gjergj Metёs:

Sot është 80 vjetori i lindjes së Imzot Rrok Mirditës, i cili shërbeu si Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri me datë 7 dhjetor 2015, kur u kthye në shtëpinë e Atit Hyjnor.

Imzot Rrok Mirdita kishte lindur në një fshat shqiptar në Mal të Zi, në Kllezën të Ulqinit, me datë 28 shtator 1935. Aty ai kreu shkollën fillore e më pas shkoi në Kroaci ku kreu pjesën tjetër të studimeve për t'u shuguruar meshtar për dioqezën e Tivarit.

Pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij e kreu në New York në bashkësinë katolike "Zoja e Shkodrës" bashkë me Monsinjor Zef Oroshin dhe Dom Pjetër Popajn.

Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Durrës-Tiranës dhe e shuguroi po vetë me datë 25 prill 1993 në Katedralen e Shkodrës bashkë me tre ipeshkvij të tjerë: Imzot Frano Illinë, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.

Gjatë kohës që shërbeu si ipeshkëv i Tiranë-Durrësit Imzot Mirdita me shumë sakrifica e përkushtim rindërtoi strukturat e Arkidioqezës, rithemeloi famullitë, u ndërtuan shumë Kisha dhe qendra të tjera.

Ishte një njeri që e donte Kishën e nuk do të lejonte kurrë që ai të ishte shkak që ajo të kompromentohej. Po ashtu deshi Atdheun e punoi me sa mundi për zhvillimin e vendit, sidomos në drejtim të dialogut ndërfetar, duke u bërë protagonist i tranzicionit shqiptar dhe një nga figurat më të spikatura të tij.

Kishte një sens humori shumë të gjallë dhe në çdo situatë arrinte të gjente e të krijonte buzëqeshjen. Kush ka punuar me të, sikurse unë, ka njohur aftësinë e tij për të hyrë me inteligjencë praktike brenda situatave, por edhe për të qenë i vendosur dhe pa kompromis kur bëhej fjalë për interesin e përbashkët.

Kisha katolike në Shqipëri është krenare për këtë Arqipeshkëv që i shërbeu me zell dhe me dashuri asaj dhe shoqërisë. Tani ai ka lindur në qiell dhe është me Zotin. Çka ka lënë me trashëgiminë e tij njerëzore e kishtare mbetet mes nesh.

Personalisht ndjehem shumë falënderues ndaj tij. Më shuguroi meshtar, më besoi detyra të rëndësishme në Dioqezë dhe më pas në Konferencën ipeshkёvnore. Ka qenë ai frymëzuesi që unë të hyja në botën e mediave si një shërbim ndaj bashkësisë katolike dhe jo vetëm. Ende kam në mendje këshillat e tij mbi atë që ai e quante me termin latin: prudentia, urti.

Faleminderit Imzot Rrok për dëshminë tënde dhe shërbimin tënd!

+ dom Gjergji

Ja një biografi e shkurtër e Imzot Rrok Mirditës

Imzot Rrok Mirdita lindi në Kllezën të Ulqinit më 28 Shtator 1939. Studimet elementare dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zagreb ku u diplomua shkëlqyeshëm. Më 4 korrik 1965 shugurohet meshtar nga Shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokic, Arqipeshkëv i Tivarit. Një vit më vonë emërohet Administrator i Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Salç ku shërben për më se tre vjet. Më 1970 emërohet famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Kllezën.

Nga Arqipeshkvi i Tivarit dërgohet në New York për t’i shërbyer diasporës katolike shqiptare në Bronx në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në marrëveshje me Dioqezën e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut, me dekret special të datës 19 qershor 1981, e pranon si meshtar me shërbim të përhershëm në këtë Arkidioqezë me detyrë pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në vitin 1985 themelon radio programin fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për New York-un e rrethe, program të cilin e vazhdon për shtatë vjet deri në emërimin e tij si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më 1 korrik 1986 Hirësia e Tij Kardinal O’Connor – Arqipeshkëv i New York-ut e emëron Administrator të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 28 shtator 1989 prej të njëjtit Arqipeshkëv emërohet famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës” themeluar prej vetë Imzot Rrok Mirditës.

Më 25 prill 1993 kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe shuguroi 4 ipeshkvij, mes të cilëve Imzot Rrok Mirditën, fillon misionin si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më vonë në 1994 merr detyrën e Presidentit të Caritas-it Shqiptar dhe në 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkёvnore Shqiptare, kryesinë e së cilës e drejtoi për dy mandate. Më 7 dhjetor 2015, në vigjiljen e hapjes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, Hyji Atë e thirri pranë në Amshim.

28 shtator 2019, 16:57