LIndja e Virgjërës Mari LIndja e Virgjërës Mari 

Papët - dhe emri i ëmbël i Marisë

Festat e shtatorit kushtuar Virgjërës: Ditëlindja e Zojës, që u kremtua më 8 shtator dhe Emri i Saj i Shenjtë, në kalendar më 12, na kujtojnë devocionin e madh të të gjithë Papëve të mëdhenj të së kaluarës.

R. SH. - Vatikan

Emri i Marisë, i ëmbli Emër! Nuk ka Papë që të mos e ketë shqiptuar. Shpesh. E me devocion të thellë. E më shpesh nga të gjithë, Gjon Pali II, që e fiksoi edhe në moton e tij, duke ia kushtuar vetveten Marisë, krejtësisht: “Totus tuus” - “ I tëri yti!”.

Atentati i 11 shtatorit 2001 në Kullat Binjake i dha shtytjen Gjon Palit II  për ta kremtuar sërisht festën e Emrit të Marisë, që ishte shlyer nga kalendari liturgjik rreth vitit 1970: për Papën polak, 11 shtatori ishte datë  që i sillte në mendje shumë kujtime! I kujtonte, sidomos, ndërmjetësimin  e Virgjërës Mari në fitoren e ushtrisë polake, që i dha fund rrethimit të Vjenës nga ana e turqve, në shekullin XVII.

E edhe kur iu desh të shprehte dhimbjen e tij, të nesërmen e masakrës më të tmerrshme të fillimit të këtij shekulli, më 12 shtator, në audiencën e përgjithshme, ishte e natyrshme t’i drejtohej pikërisht Marisë:

“Duke marrë pjesë me ngashërim në dhimbjen e tij, i drejtohem  popullit të dashur të SHBA-ve në këtë orë ankthi e tmerri, në të cilën vihet në provë të rëndë guximi i shumë burrave e grave vullnetmira. Në mënyrë të veçantë përqafoj familjarët e të vdekurve e të të plagosurve e u siguroj afërsinë time shpirtërore. Ia besoj mëshirës së Tejetlartit viktimat e pafajshme të kësaj tragjedie, për të cilat kremtova sot Meshën Shenjte, duke u lutur për pushimin e tyre të pasosur. Zoti u dhashtë guxim të  mbijetuarve e mos ua kurseftë ndihmën vullnetarëve të shumtë që, në këto orë, vijojnë t’i bëjnë ballë një emergjence kaq dramatike. Ju ftoj ju, të dashur vëllezër e motra, të bashkoheni me mua në lutje. Ta lusim Zotin, që të mos ketë epërsi spiralja e urrejtjes dhe e dhunës. Virgjëra e Shenjtnueshme, Nënë e Mëshirës, ngjallët në zemra mendime të urta e dëshira paqësore”.  

Edhe në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 16 shtator, kremtuar pak ditë më pas në Frozinone, me rastin e një vizite baritore, Papa rikujtoi ngjarjen që tronditi botën dhe iu lut Marisë t’i ngushëllojë njerëzit e tmerruar nga kjo  gjëmë:

“Virgjëra u dhëntë ngushëllim e shpresë edhe njerëzve, që vuajnë nga shkaku i atentatit terrorist, i cili këto ditë e plagosi thellësisht popullin e dashur amerikan. Vijoj t’i kujtoj me lutje të gjithë bijtë e këtij Kombi të madh. Maria i pritët të vdekurit, i ngushëlloftë të gjallët, i ndihmoftë familjet e mjeruara dhe të gjithë amerikanët, që të mos i pushtojë tundimi i urrejtjes e i dhunës, por të vihen në shërbim  të drejtësisë e të paqes. Shenjtja Mari i ushqeftë posaçërisht të rinjtë me ideale njerëzore e u dhashtë edhe forcën e nevojshme për t’i vënë në jetë. U kujtoftë atyre parinë e vlerave të amshuara që, posaçërisht në këto çaste të vështira, angazhimet e veprimtaritë e përditshme të vijojnë të drejtohen gjithnjë kah Zoti dhe mbretëria e tij e solidarietit dhe e paqes” .

Devocionin e Gjon Palit II për emrin e Marisë e vijoi, më pas, edhe pasardhësi i tij. Që në ditët e para të Papnisë e shikojmë Benediktin XVI shtegtar drejt Austrisë e, më 8 shtator 2017, drejt Mariazellit, ku lartohet Shenjtërorja e mirënjohur e Zojës e ku kremtohej 850-vjetori i themelimit  të saj. Në gjunjë para Zojës, Papa Ratzinger i drejtoi lutjen:

“Na e trego Jezusin! Me këtë lutje drejtuar Nënës së Zotit u vumë për udhë drejt këtij vendi. Kjo lutje do të na shoqërojë edhe kur të rikthehemi në jetën tonë të përditshme. Dhe e dimë se Maria na e dëgjon lutjen tonë; po,  për çdo çast, kur e shikojmë Marinë, ajo na tregon Jezusin. Kështu mund të gjejmë udhën e drejtë, duke e ndjekur hap pas hapi, plot me besim gazmor, në shtigjet që na çojnë drejt dritës – drejt gëzimit të dashurisë së amshuar”.

Në audiencën  e përgjithshme, pak ditë më pas, më 12 shtator 2007, Papa Ratzinger nënvizoi posaçërisht lidhjen e rëndësishme ndërmjet dy datave të afërta në kalendarin liturgjik:

“Të shtunën e kaluar kremtuam festën e Lindjes së Virgjërës, e sot përkujtojmë Emrin e saj të Shenjtë. Nëna qiellore e Zotit, që na shoqëron  gjatë gjithë vitit liturgjik, ju priftë ju, të dashur të rinj, në udhën e Ungjillit, çdo ditë më të përkryer”.

Në festën e Lindjes së Zojës Papa Pali VI ndalohet tek një kujtim personal. Ishte data 8 shtator 1974:

“….Zoja, që hyn në jetën tokësore e në skenën e kohës, Nëna e Krishtit dhe jona, siç është, duket fëmijë, në fillesë të historisë së shëlbimit tonë” – këtë theksoi Papa, për të treguar, më pas, sesi që kur ishte i vogël merrte pjesë gjithnjë në kremtimin e kësaj feste në Kishën e Shën Marisë së Hireve, në Breshia, dy hapa larg vendit ku banonte. E vijoi të marrë pjesë edhe në rini, me gjithë familjen, që shtrëngohej rreth Saj:

“Nuk mund të harrojmë edhe - vijon Pali VI - kushtimin lapidar në fasadën  e Katedrales së shumëdashur e të lavdishme të Milanos: ‘Maria Nascenti’. Marisë, që lind e që menjëherë rreh flatrat ngadhënjyese në majën më të lartë të ndërtesës mahnitëse”.

Duke lexuar fjalët e Papëve të kohëve moderne, për Marinë e dy festat e Saj të shtatorit, që i flasin zemrës sonë, nuk mund të mos ndjejmë dëshirën ta përsërisim moton e Gjon Palit II, “Totus tuus” - “ I tëri yti!” - për t’ia kushtuar vetveten Marisë, krejtësisht!

09 shtator 2019, 18:08