Kërko

2018.01.14-Giornata-Mondiale-del-Migrante-e-del-Rifugiato 2018.01.14-Giornata-Mondiale-del-Migrante-e-del-Rifugiato 

Papa: t’u shprehim afërsinë emigrantëve dhe refugjatëve tё mbarë botës

Tё dielёn mё 29 shtator bie Dita Botërore e Migrantit, e pёr kёtё rast nё Sheshin e Shёn Pjetrit në Vatikan do tё kremtohet Mesha nga Papa.

R.SH. - Vatikan

"Të dielën e ardhshme, mё 29 shtator, do të bie Dita Botërore e Emigrantëve dhe Refugjatëve. Për këtë rast do të kremtoj Meshën e Shenjtë këtu në Sheshin e Shën Pjetrit". Kështu tha Papa Françesku duke e kujtuar këtë ngjarje, dje, në përfundim të lutjes sё mesditës tё sё Engjëllit tё Tёnzot.

"Ju ftoj të merrni pjesë në këtë kremtim për t’u shprehur, edhe përmes lutjes, afërsinë tonë emigrantëve dhe refugjatëve nga mbarё bota", shtoi Papa Bergoglio.

Mesha qё do tё kryesohet nga Papa Françesku, tё dielën e ardhshme mё 29 shtator, organizohet nga Konferenca e Ipeshkvijve tё Italisë (CEI) në bashkëpunim me Seksionin e Emigrantëve dhe Refugjatëve.

Tema e Ditës së 105-të të Botërore të Emigrantit e Refugjatit ёshtё: “Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë”, na fton tё reflektojmë mbi faktin se “emigrantët, refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe viktimat e trafikimit janë personat të prekur nga një shqetësim shumë më i madh, që ka të bëjë me të gjithë banorët e periferive ekzistenciale dhe, së fundi, na takon dhe shqetëson të gjithëve si individë dhe si një familje e vetme njerëzore".

Në realitet, bёhet fjalë pёr “frikën tonë, njerëzimin tonë, dëshirën tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë më të mirë”.

Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë”, me këtë temë, Papa Françesku dëshiron të nënvizojë se thirrjet e tij të përsëritura janë në favor të emigrantëve, refugjatëve, personave të zhvendosur dhe të viktimave tё trafikimit, të cilët duhet të jenë objekt i vazhdueshëm i shqetësimit të thellë dhe të kujdesit të Kishës e të bashkësisë ndërkombëtare, pa harruar periferitë ekzistenciale.

Të uriturit, të eturit, tё huajt, të zhveshurit, të sëmurët dhe tё burgosurit, që trokasin në derën tonë sot, janё vetë Jezusi, i cili kërkon që këta persona të takohen dhe të ndihmohen.

Siç tha Ati i Shenjtë Bergoglio, në predikimin e tij, mё 15 shkurt 2019, në Sacrofano, afër Romës: "Është me të vërtetë Ai [Jezusi], edhe atёherё kur sytë tanë janë tё lodhur për ta njohur praninё e Tij në migrantin a të varfërin: me veshjet e shqyera, me këmbët plot baltë, me fytyrën e deformuar, trupin e plagosur, i paaftë ta flasë gjuhën tonë".

“E bëtë për mua”, na thotë Jezusi

Kështu ndodh kur para nesh paraqiten emigrantët: njerëz të panjohur, të huaj, të ndryshëm, që kërkojnë mbrojtje, siguri e punë. Duket sikur kërcënojnë qetësinë e vendeve ku shkojnë, pasi qytetarët pritës nuk janë të përgatitur për këtë takim, nënvizoi Papa Françesku, në homelinё e meshës kremtuar mё 15 shkurtin e kaluar nё Fraterna Domus të Sacrofano-s, me rastin e Takimit me temë “Të lirë nga frika”, organizuar nga Karitasi Italian, Fondacioni “Migrantes” dhe Qendra Astalli.

Nuk është e lehtë ta kuptosh tjetrin dhe kulturën e tij, posaçërisht kur bёhet fjala pёr migrantё, por duhet ta kapërcejmë frikën e takimit me tjetrin, kushdo qoftё. Ka një plan hyjnor, të cilit duhet t’i besojmë, sepse Zoti nuk e braktis Popullin e vet.

“Takimi me tjetrin – pohon Papa Françesku – është edhe takim me Krishtin. Na e ka thënë Ai vetë. Është Ai, që troket në portë, i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë e i burgosur, duke na kërkuar ta takojmë dhe ta ndihmojmë. E nëse kemi akoma ndonjë dyshim, ja fjalët e Tij, krejt të qarta: ‘Për të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’(Mt 25,40)”.

Tek emigrantët, takojmë Krishtin

Të tjerët, që trokasin në portë, vijon Papa Françesku, janë pikërisht Krishti, të cilin nganjëherë nuk e njohim e kështu, biem viktima të frikës, por Ai nuk na braktis. Megjithëse nuk kemi shumë fe, Krishti vijon të na japë dorën “për të na shpëtuar e për të na lejuar ta takojmë; takim, që na shëlbon e na e rikthen gëzimin se jemi dishepuj të Tij”.

 “Kush ka pasur forcën të çlirohet nga frika – përfundoi Papa – kush e ka provuar gëzimin e këtij takimi, është i thirrur sot, ta kumtojmë këtë mbi çati, haptas, për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, duke u përgatitur për takimin me Krishtin e me shëlbimin e Tij” .

22 shtator 2019, 20:34