Ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës Greko Ortodokse Ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës Greko Ortodokse 

Papa: Sinodi nuk bëhet për kërkime sociologjike, duhet Shpirti Shenjt

“Sinodi nuk bëhet për miratim, si në politikë”, nuk është parlament; nuk është as në kërkim të opinioneve: është gjë tjetër: Pa Shpirtin Shenjt, nuk ka Sinod. Identiteti i Kishës është Ungjillëzimi”. Këtë nënvizoi Papa, duke pritur, sot paradite në audiencë, në Vatikan, ipeshkvijtë e Kishës Katolike ukrainase.

R. SH. - Vatikan

Lidhja e Sinodit me Shpirtin Shenjt e me vetë identitetin e Kishës, që  ka për detyrë të ungjillëzojë: ky ishte filli i kuq i fjalëve të Papës Françesku drejtuar ipeshkvijve, mbledhur në Romë për Sinodin e Kishës katolike ukrainase, me temë: “Bashkim në jetë e në dëshminë e Kishës Greko-Katolike të Ukrainës”. Fjala e Papës qe e shkurtër, e ai vetë kujtoi se e pati thënë gjithçka dëshironte në takimin e mbajtur në Vatikan, më 5 korrikun e kaluar. Mbi të gjitha, Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga rreziku, që të shtyn të besosh se “të bësh udhë sinodale ose të kesh sjellje sinodaliteti, do të thotë të kërkosh opinione, e pastaj, të organizosh një takim për miratimin e tyre":

“Jo, Sinodi nuk është Parlament! Duhet të thuhet ç’është për t’u thënë, duhet diskutuar, siç bëhet normalisht, por nuk është Parlament. Sinod nuk do të thotë miratim, si në politikë: më jep-të jap! Jo, Sinod nuk do të thotë të bësh kërkime sociologjike, siç beson ndokush: ‘Të shohim, t’i kërkojmë një grupi laikësh të bëjë kërkime e të na thonë nëse duhet ta ndryshojmë këtë apo atë'. Pa Shpirtin Shenjt, nuk ka sinod! Nëse nuk është i pranishëm Shpirti, nuk ka sinodalitet. Madje nuk ka Kishë, identitet Kishe”.

Shpirti Shenjt të çon përpara

Mendimi i Papës u përqendrua më pas tek identiteti i Kishës, që është ungjillëzimi:

“Shën Pali VI e thotë qartë: thirrja e Kishës është të ungjillëzojë, madje, identiteti i saj është ungjillëzimi. Hyni në këtë Sinod me këtë shpirt, me Shpirtin Shenjt. Drejtojani lutjen tuaj Shpirtit. Grinduni sa të mundeni me njëri-tjetrin, bëni ç’të dëshironi… Mendoni Efezin, si grindeshin gjatë atij Koncili! Po ishin të mirë… E në fund ishte Shpirti Shenjt që u priu për t’i shqiptuar fjalët: ‘Maria është Nëna e Zotit!’. Është pikërisht kjo udha. Është Shpirti. Sepse ne nuk duam të bëhemi kishë kongregacionaliste, por Kishë sinodale. E shkoni përpara në këtë udhë!”.

Në këtë kuptim - e jo për të bërë publicitet - Papa kujtoi një artikull që u duk në numrin e fundit të “Osservatore Romano” këtë të diel, kushtuar pikërisht pranisë së Shpirtit Shenjt në udhën sinodale. E për Sinodin e sinodalitetin pati folur, më parë, në përshëndetjen e rastit, edhe Fortlumturia e Tij, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike ukrainase.

02 shtator 2019, 14:50