Kërko

Papa Françesku dhe imzot Rino Fisichella Papa Françesku dhe imzot Rino Fisichella 

Papa: duhet të bëhemi shenja të gjalla të Dashurisë që kumtojmë

"Të bëjmë zemrën të digjet nga zelli i kumtimit tё Lajmit tё Mirё" për burrat dhe gratë e kohës sonë", kjo është sfida jonë": kёshtu tha Papa Françesku nё audiencë, sot paradite, në Sallën Klementina, me afёr 300 pjesëmarrës të Takimit Ndërkombëtar për Qendrat Akademike dhe Shkollat e Ungjillëzimit të Ri, filloi më 19 shtator dhe përfundoi sot.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite, Papa Françesku takoi në Sallën Klementine në Vatikan, rreth 300 pjesëmarrës në Takimin ndërkombëtar për Qendrat Akademike dhe Shkollat e Ungjillëzimit të ri. Organizuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e ri, ata reflektuan, nga 19 deri më 21 shtator, mbi temën “A është e mundur të takohet Zoti? Udhët e ungjillëzimit të ri”.

Zoti ecën me ne

Ati i Shenjtë Bergoglio vuri menjëherë në dukje se kjo është temë qendrore për Kishën: si të zgjohet dëshira për të takuar Zotin, pavarësisht nga shenjat, që e errësojnë praninë e Tij. Ashtu si dishepujt e Emausit, edhe ne, të pështjelluar në vorbullën e frenezisë së përditshme – dikush në kërkim të punës së qëndrueshme, dikush i rrethuar thjesht nga mirëqënia e jashtme, dikush që jeton gjithnjë në ankth e me shpejtësi, duke harruar shijen e vërtetë të jetës – ne pra, nuk arrijmë ta kuptojmë se Zoti është i pranishëm, se ecën përkrah nesh.

Dëshmia e të krishterëve dhe e Kishës

Përveç kësaj, që prania e Zotit të ndihet nga bashkëkohësit, është e nevojshme dëshmia e të krishterëve dhe e Kishës. “Shumë, - nënvizoi Papa Françesku - veçanërisht në Perëndim, kanë përshtypjen e një Kishe, që nuk i kupton dhe është larg nga nevojat e tyre. Disa… e konsiderojnë Kishën shumë të dobët para botës, ndërsa të tjerë e shohin atë tepër të pushtetshme, në krahasim me varfërinë e madhe të botës… Ajo që na kërkojnë shpesh vëllezërit dhe motrat tona, mbase pa mundur ta bëjnë pyetjen, ka të bëjë me nevojat më të thella: të duan dhe të duhen, të pranohen ashtu si janë, të gjejnë paqen e zemrës dhe një gëzim, që zgjat më shumë se argëtimet”.

Shokë udhe me të gjithë njerëzit, që kërkojnë Zotin

 E këtu, sipas Papës, duhet ndihma e Kishës dhe e anëtarëve të saj, qofshin të shuguruar a jo. Ata duhet të bëhen shokë udhe me të gjithë njerëzit, që kërkojnë Zotin. E Ati i Shenjtë përcaktoi edhe si duhet realizuar kjo: “Të transmetosh Zotin – u tha ai atyre, që dëshirojnë të jenë ungjillëzues të rinj -  nuk do të thotë të flasësh për Hyjin e as ta justifikosh ekzistencën e Tij: edhe vetë djalli e di se Zoti ekziston! Të kumtosh Zotin do të thotë të dëshmosh gëzimin që vjen nga njohja e Tij, do të thotë të ndihmosh që njerëzit ta jetojnë bukurinë e takimit me Të. Zoti nuk është përgjigjja për ndonjë kuriozitet intelektual, ose për ndonjë impenjim të vullnetshëm, por përvojë dashurie, e destinuar të bëhet histori dashurie. Sepse – kjo vlen sidomos për ne - pasi të kemi takuar Hyjin e gjallë, duhet ta kërkojmë përsëri. Misteri i Zotit nuk përfundon kurrë, është po aq i madh sa dashuria e Tij”.

21 shtator 2019, 15:12