Kërko

2019.09.30 Messa Santa Marta 2019.09.30 Messa Santa Marta 

Papa : të kujdesesh për të rinj e të moshuar, është kulturë shprese

Dashuria e Zotit ndaj popullit të vet është e "pamasë”: është si zjarri që na bën më njerëzor. Duke lexuar një fragment nga Zakaria profet, Papa, në Meshën kremtuar në shën Martë, vuri përsëri në dukje se si në familje, ashtu edhe në shoqëri, të lësh pas dore fëmijët e të moshuarit, sepse nuk janë produktivë, nuk është një shenjë e pranisë së Zotit.

R.SH. - Vatikan

Sa e fortë është dashuria e Zotit ndaj popullit të vet, edhe atëherë kur ky e braktis, e tradhton dhe e harron. Në Zotin është gjithmonë një erë e zjarrtë nga ku buron premtimi i shëlbimit (shpëtimit) për çdonjërin prej nesh. Më homelinë e Meshës shenjte, kremtuar sot në mëngjese në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku e rilexoi kapitullin e tetë të Librit të Zakarisë profet, ku shkruan:" Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Flakë jam ndezur me dashuri ziliqare për Sionin, digjem në të mirën e tij nga felgrimi. Kështu thotë Zoti: Po kthehem në Sion, dua të banoj në Jerusalem”. Falë dashurisë së Zotit, pra, Jerusalemi do të kthehet të jetojë përsëri.

Kujdesi për të moshuarit dhe fëmijët është premtim për të ardhmen

Dhe në Leximin e Parë, të Meshës sotme, nga Libri i Zarakisë profet janë të qarta – vëren Papa Françesku - edhe "shenjat e pranisë së Zotit"  me popullin e tij , një "prani që na bën më njerëzor", që na bën të "pjekur". Janë shenjat e begatisë së jetës, të begatisë me fëmijë dhe me të moshuar që i gjallërojnë sheshet tona, shoqëritë, familjet:

Shenjë e jetës, shenjë e respektit për jetën, shenjë e dashurisë ndaj jetës, shenjë e rritjes së jetës, dhe kjo shenjë e jetës është prania e Zotit në bashkësitë tona; e po kështu është shenjë e pranisë së Zotit, që ndihmon pjekurinë e një populli, aty ku ka të moshuar.  E kjo është diçka e bukur: 'Do të ulën akoma në sheshet e Jerusalemit, secili me shkopin në dorë, për jetëgjatësinë e tyre", thotë Profeti, e kjo prani është një sinjal. E shton se ka edhe kaq shumë fëmijë,  e Zakaria  përdor një shprehje të bukur, 'ata janë si mizë lisi”.  Janë shumë! Begatia e pleqërisë dhe e fëmijërisë. Ky është sinjali i dashurisë së Zotit, kur një popull kujdeset për të moshuarit dhe fëmijët, kur i trajton si thesar, ky është sinjali i pranisë së Zotit, ky është edhe premtimi për të ardhmen.

Kultura e hedhurinës është shkatërrim

Papa kujton profecinë e Joelit ku thotë: "Të moshuarit e tu do të shohin ëndrra, rinia jote do të ketë vizione". Dhe kështu, përsëri, ndërmjet njëri e tjetrit kemi një shkëmbimi reciprok,  një gjë që nuk ndodh kur, në të kundërtën, në qytetërimit tonë mbizotëron kultura e hedhurinave, e cila është një "shkatërrim" që na bën t’i "refuzojmë" fëmijët, që na i fal Zoti, ose na bën të miratojmë  "kritere"  e norma për t'i mbyllur të moshuarit nëpër shtëpi të pleqve, sepse " nuk prodhojnë" më, "sepse e pengojnë jetën tonë normale".  Këtu, pastaj, Papa Françesku e kujtoi historinë e gjyshes, të cilën e ka përmendur edhe në raste tjera, për të shpjeguar se çfarë do të thotë pakujdesi për të moshuarit dhe për fëmijët. Është historia e një familjeje, në të cilën babai vendosi ta lëvizte gjyshin nga salloni në kuzhinë, për të ngrënë vetëm, pasi që duke u plakur, gjyshi filloi të derdhte supën dhe të bëhej i pistë. "Kur shpërfillën fëmijët dhe të moshuarit" përfundojmë në pasojat dhe efektet e shoqërive moderne, të cilat, vërejti Papa Françesku, flasin për traditat që nuk kuptohen dhe për dimrin demografik:

Në një vend që plaket dhe nuk ka fëmijë, ti nuk i sheh karrocat e fëmijëve në rrugë, nuk i sheh gratë shtatzënë: "Një fëmijë, më mirë jo...". Kur lexon se në atë vend ka më shumë pensionistë se sa punëtorë. Është tragjike! Dhe sa vende sot kanë filluar ta jetojnë këtë dimër demografik. Pastaj kur injorohen pleqtë, humbim - le ta themi haptas pa turp – traditën, traditën e cila nuk është një muze i gjërave të vjetra, por është garancia e së ardhmes, është lëngu i rrënjëve që rrisin pemën dhe japin lule dhe fryte. Sot kemi një shoqëri e shterpët për të dy palët dhe kështu do përfundojmë keq.

"Është e vërtetë," shtoi Papa, "rinia mund të blihet": sot ka shumë kompani që e ofrojnë atë në formën e trukeve, të kirurgjisë plastike dhe të lifting-ut, por – sipas mendimit të Papës - gjithmonë përfundon gjithçka në "tallje".

Të moshuarit  vjetër dhe të rinjtë: shpresë për atdheun dhe Kishën

Pra, i cili është thelbi i mesazhit të Zotit? Është ai të cilin Papa e quan " kultura e shpresës" e që përfaqësohet pikërisht nga " të moshuarit e të rinjtë”.  Ata janë siguria për mbijetesën e "një vendi, një atdheu, Kishës". Dhe në përfundim të homelisë Papa kujtoi udhëtimet e shumta nëpër vende të ndryshme të botës, ku prindërit i rrisin fëmijët dhe i sjellin për bekim, e bëjnë këtë duke i ngritur lartë fëmijët si të donin t’i tregonin "xhevahirët" e tyre, një imazh që duhet të na bëjë të reflektojmë:

Nuk e harroj kurrë atë zonjën e moshuar në sheshin qendror të Iasi-t, në Rumani, kur gjyshja më shikonte - ishte si gjyshet rumune, me vel-, ajo më shikonte, e kishte nipin e saj në krahë dhe ma tregoi, sikur të më thoshte: "Kjo është fitorja ime, ky është triumfi im".  Ai imazh,  që u përhap anembanë botës, na thotë më shumë se ky predikim. Pra, dashuria e Zotit na kërkon gjithmonë të mbjellim dashuri dhe ta përforcojmë popullin. T’i themi jo kulturës së hedhurinave. Do të doja t’u thosha, më falni, priftërinjve të famullive, kur në mbrëmje e bëni rrëmimin e ndërgjegjes tuaj, pyesni këtë: si u solla sot me fëmijët dhe me pleqtë? Kjo do të na ndihmojë.

30 shtator 2019, 13:28