Kërko

Vatican News

Papa për Talitha Kum: jeni pararoja e Kishës kundër trafikimit

Papa u shpreh sot me mirënjohje për pjesëmarrësit në Asamblenë e parë të Përgjithshme të Talitha Kum - Rrjeti Botëror i Jetës së Shuguruar kundër Trafikimit - dhe u bëri thirrje konregatave të tjera fetare të bashkohen me këtë punë misionare për të “arritur në çdo vend”.

R.SH. - Vatikan

“Ju përgëzoj për punën e rëndësishme, që po bëni në këtë fushë shumë të ndërlikuar dhe dramatike. Vepër, që ndërthur misionin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve. Ju keni vendosur të jeni në vijën e parë të frontit”.

         Në fjalët e Papës Françesku për pjesëmarrësit në Asamblenë e parë të Përgjithshme të Talitha Kum - Rrjeti Botëror i Jetës së Shuguruar kundër Trafikimit të qenieve njerëzore – ndihej mirënjohja e Atit të Shenjtë për një vepër, shifrat e së cilës flasin vetë. “Vetëm në dhjetë vjet – kujtoi Papa - arriti të koordinojë 52 rrjete fetare në më shumë se 90 vende në të gjitha kontinentet”. Shifrat, pra, tregojnë një impenjim, i cili, dhjetë vjet pas themelimit me nismën e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (UISG) si edhe të Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm (USG), vijon gjithnjë në vijën e parë të frontit për të gjitha kongregatat e përfshira në projekt . “Dy mijë veprimtarë – vuri në dukje Françesku - më se pesëmbëdhjetë mijë viktima të trafikimit të ndihmuara dhe më se dyqind mijë njerëz, pjesëmarrës në veprimtaritë parandaluese dhe ndërgjegjësuese”.

Objektivat e Asamblesë

         Gjatë Asamblesë, që do të përfundojë nesër, më 27 shtator, me paraqitjen e udhëzimeve për punën e Rrjetit në vitet e ardhshme, delegatet nga e gjithë bota treguan për punën e murgeshave të “Talitha Kum” në vende të ndryshme. Papa Françesku nxorri në pah 2 çështjet kryesore të sesioneve të punës:

         “Nga njëra anë, dallimet e mëdha që ende karakterizojnë gjendjen e grave në botë e që rrjedhin kryesisht nga faktorët shoqëroro-kulturorë. Nga ana tjetër, kufizimet e modelit neoliberist të zhvillimit, i cili, me botëkuptimin e tij individualist, ka rrezik ta bëjë shtetin të heqë dorë nga përgjegjësitë e tij. Megjithëse të rëndësishme, këto nuk janë sfidat e vetme me të cilat përballemi. Seksioni i Migrantëve dhe i Refugjatëve i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor ka botuar kohët e fundit ‘Orientimet Baritore mbi Trafikimin e Njerëzve’, dokument që shpjegon kompleksitetin e sfidave të sotme dhe jep udhëzime të qarta për të gjithë punonjësit baritorë, që duan të impenjohen në këtë fushë”.

Thirrja e Papës

         Duke pasur parasysh “sfidat, që paraqet trafikimi”, fenomen, që Papa e quajti “plagë në trupin e njerëzimit bashkëkohor”, Françesku ngriti zërin në thirrjen:

“U bëj thirrje edhe kongregatave të tjera rregulltare, si femërore, ashtu edhe mashkullore, të bashkohen me këtë vepër misionare, duke vënë në shërbim të saj personel dhe fonde, në mënyrë që të arrihet në çdo vend. Përveç kësaj, uroj të shumëfishohen fondacionet dhe bamirësit, që sigurojnë mbështetjen e tyre bujare e pa interes për veprimtaritë tuaja”.

Pa harruar problemet e kongregatave rregulltare, Papa Françesku u këshilloi murgeshave dhe rregulltarëve të dalin në udhë e të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet e brendshme, siç përshkruhet edhe në Veprat e Apostujve, që dëshmojnë se kur besimtarët patën guximin të dilnin nga Sinagoga, Shpirti Shenjt bëri mrekulli në ta. Para se t’i bekonte të pranishmit, Ati i Shenjtë u dha një këshillë të fundit: “Kurrë – kurrë – mos e mbyllni ditën pa menduar për vështrimin e njërës prej viktimave, që keni njohur; kjo do të jetë lutje e bukur për ju”.

26 shtator 2019, 15:15