Kërko

Takimi i lutjes “Paqja pa kufij” në Madrid Takimi i lutjes “Paqja pa kufij” në Madrid 

Papa për Bashkësinë e Shën Egjidit: lutje e dialog për paqen

Shtegtimi i paqes në Madrid është dëshmia e “forcës së shpirtit të Asizit, që i larton lutje Zotit dhe promovon paqen ndërmjet popujve”. Kështu Papa Françesku, në mesazhin, që hapi dje takimin e lutjes “Paqja pa kufij”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në kryeqytetin spanjoll, deri të martën.

R.SH. - Vatikan

Tridhjetë vjet më parë ra Muri i Berlinit, përfundoi ndarja e kontinentit evropian, që shkaktoi kaq shumë vuajtje. Sot, në dy dekadat e para të shekullit XXI, luftërat e reja, muret e reja dhe barrierat e reja po shkatërrojnë atë “dhuratë të Zotit, që është paqja”. Kështu u drejtohet Papa Françesku krerëve të feve të mëdha botërore, që janë mbledhur në Madrid të Spanjës, së bashku me përfaqësues të institucioneve e të kulturës, për të folur mbi “Paqen pa kufij”. Kjo është tema e Takimit të organizuar në kryqytetin spanjoll nga Bashkësia kishtare e Shën Egjidit, takim që filloi dje e do të përfundojë nesër.  “Është gjithnjë e nevojshme të lutemi e të diaologojmë në perspektivën e paqes: – nënvizon Papa Françesku – frytet vijnë më vonë!”. Pikërisht, lutja për paqen favorizoi rrëzimin e Murit të Berlinit, vijon Ati i Shenjtë, e ajo paqe duhet të “ushqehet vazhdimisht me dialog, takime dhe negociata, nga brezi në brez”.

Mbylljet e përçarjet e shkatërrojnë botën

         Sot, nënvizon ai, “në këndvështrimin e së mirës së popujve dhe të botës, është marrëzi të mbyllen hapësirat, të ndahen popujt, madje, të vihen ata kundër njëri-tjetrit, t’u mohohet mikpritja nevojtarëve dhe familjeve të tyre”, sepse kështu, “bota bëhet copë-copë, duke përdorur të njëjtën dhunë, me të cilën shkatërrohet ambienti dhe dëmtohet Shtëpia e përbashkët, e cila kërkon dashuri, kujdes, respekt, ashtu si njerëzimi kërkon paqen dhe vëllazërimin”.

Paqja është pa kufij

         Shtëpia jonë e përbashkët, nënvizon Papa, ka nevojë për dyer të hapura për të komunikuar dhe për t’u takuar, e nuk i duron muret, që ndajnë, ose i vënë banorët kundër njëri-tjetrit. Duhen respektuar ndryshimet ndërmjet njerëzve, të cilët duhet të bashkëpunojnë me përgjegjësi. Paqja, saktëson Ati i Shenjtë, “është pa kufij. Gjithmonë, pa përjashtime”.

Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor

Në Madrid, lutja për paqen, shpjegon Françesku në mesazh, “në këtë kohë, karakterizuar nga konflikte dhe dhunë, na bashkon të gjithëve edhe më shumë, përtej dallimeve, në angazhimin e përbashkët për një botë më vëllazërore”. E Ati i Shenjtë citon “Dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën botërore”, nënshkruar në shkurt, në Abu Dabi, nga ai vetë dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit. “Hap i rëndësishëm në rrugën drejt paqes botërore”, e quan sërish. Tekst, në bazë të Takimit të Madridit, sepse, siç kujton Papa, “fetë nuk nxisin kurrë luftën dhe nuk zgjojnë ndjenja urrejtjeje, armiqësie, ekstremizmi, e as nuk ftojnë për dhunë a gjakderdhje”.

Së bashku, për të thënë se paqja nuk ka kufij

Bota po përjeton “një çast tepër të rëndë”, përfundon Papa, duke u kërkuar të gjithëve të bashkohen “për të thënë me zë të lartë se paqja nuk ka kufij”.

16 shtator 2019, 15:03