Papa Francesco incontra Bartolomeo Patriarca Ecumenico di Costantinopoli  Papa Francesco incontra Bartolomeo Patriarca Ecumenico di Costantinopoli  

Papa, Patriarkut Bartolomeu: ta dëshmojmë së bashku Zotin

Papa shpjegon në një letër historinë e relikeve të Shën Pjetrit dhuruara ortodoksëve, , më 29 qershorin e kaluar, në përfundim të Meshës me rastin e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.

R.SH. - Vatikan

Në një letër drejtuar Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartholomeu I, Papa Françesku sqaron kuptimin e dhuratës së disa fragmenteve të relikeve të Shën Pjetrit Apostull bërë Kishës së Kostandinopojës, relike që "tani janë vendosur pranë atyre të Andreut apostull", vëllait të Simon Pjetrit. Një gjest që dëshiron të jetë "një ripohim i udhës që Kishat tona kanë bërë për t'u afruar njëra me tjetrën", nënvizon Papa.

"Dallimet tona nuk janë më pengesë për dëshminë tonë të përbashkët dhe për misionin tonë ungjillëzues në shërbim të familjes njerëzore, e cila sot tundohet të ndërtojë një të ardhme thjesht mondane, një të ardhme pa Zot". Kështu shkruan Papa Françesku në një letër drejtuar Patriarkut Bartolomeu I, duke shpjeguar historinë e relikeve të Shën Pjetrit që vetë Papa deshi t’ia dhuronte Kisha Ortodokse të Kostandinopojës, të cilat, më 29 qershorin e kaluar, në Vatikan, ia dorëzoi kryetarit të delegacionit të patriarkanës së Kostandinopojës, kryepeshkopit Job nga Telmessos, në përfundim të Meshës me rastin e  solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.

"Ndjeva se do të kishte një kuptim të rëndësishëm, sikur disa fragmente të relikteve të Pjetrit Apostull të vendoseshin pranë relikteve të Andreut Apostull, i cili nderohet si Pajtor qiellor i Kishës së Kostandinopojës”, shkruan mes tjerash Papa Françesku duke shpjeguar se është fjala për relike, nëntë fragmente eshtrash, që Papa Pali VI i pati dashur për kapelën private të apartamentit papnor në Pallatin Apostolik, në Vatikan. "Ky gjest - përfundon Papa Françesku - dëshiron të jetë një ripohim i udhës që Kishat tona kanë bërë për t’u afruar më shumë njëra me tjetrën: një udhëtim që nganjëherë është sfidues dhe i vështirë, e megjithatë është shoqëruar nga shenja të qarta të hirit të Zotit".

Hapa të ri e të guximshëm për të vazhduar udhëtimin

"Për të vazhduar këtë udhëtim - vazhdon Papa në letrën dërguar Bartholomeu I - nevojitet mbi të gjitha një konvertim shpirtëror e një besnikëri e përtërirë ndaj Zotit, i cili dëshiron nga ana jonë një angazhim më të madh dhe hapa të rinj e të guximshëm". Vështirësitë e mosmarrëveshjet, rekomandon Papa Bergoglio, nuk duhet të na shpërqendrojnë  e të na largojnë "nga detyra dhe përgjegjësia jonë që kemi si të krishterë", veçanërisht si barinj të Kishës, përpara Zotit dhe historisë.

Papa me reliket e Shën Pjetrit
Papa me reliket e Shën Pjetrit

Historia e varrit të Pjetrit dhe bazilikës

Në letër, Papa përshkon edhe historinë e zbulimit të varrit të Shën Pjetrit. E kujton se "tradita e Kishës romake" ka dëshmuar gjithmonë se apostulli, pas martirizimit të tij në Cirkun e Neronit, në Romë, u varros në nekropolin e afërt në Kodër të Vatikanit. Dhe se "varri i tij shpejt u bë një cak për shtegtarë e besimtarë". Pastaj në vendin ku gjendet varri, "perandori Konstantin e ndërtoi Bazilikën e Vatikanit kushtuar Shën Pjetrit".

13 shtator 2019, 14:31