Kërko

Vatican News
 Pietà, Michelangelo, interno della basilica di San Pietro, Madonna e Gesù Cristo Pietà, Michelangelo, interno della basilica di San Pietro, Madonna e Gesù Cristo 

Papa: pa Kishën Nënë nuk mund të ecim përpara

Liturgjia, pohoi Françesku, pasi tregon Kryqin e Lumnueshëm të Krishtit, na fton të shikojmë edhe Nënën e Tij, të butë e të përvujtë.

R.SH. - Vatikan

“Ashtu si pa Marinë nuk do të ishte Jezusi, kështu edhe pa Kishën nuk mund të shkojmë përpara”. Këtë theksoi Papa Françesku, gjatë Meshës së mëngjesit tё 15 shtatorit 2014, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur përkujtohet Zoja e Dhimbshme.

Liturgjia, pohoi Françesku, pasi tregon Kryqin e Lumnueshëm të Krishtit, na fton të shikojmë edhe Nënën e Tij, të butë e të përvujtë. Në Letrën drejtuar Hebrenjve nënvizohen tri fjalë të forta. Thuhet se Jezusi “mësoi, dëgjoi, pësoi”. Është e kundërta e asaj, që i ndodhi atit tonë, Adamit. Ai nuk deshi ta nxërë mësimin, që i urdhëroi Hyji, nuk deshi të pësonte e as të bindej. Ndërsa Jezusi, edhe pse ishte Zot, u poshtërua, e uli veten duke u bërë shërbëtor. Kjo është lavdia e Kryqit të Krishtit:
Jezusi erdhi në botë, për të mësuar të ishte njeri, për të qenë njeri, duke ecur me njerëzit. Erdhi në botë për t’u bindur, e u bind. Por bindjen e mësoi nga vuajtja. Adami doli nga Parajsa me një premtim, që shkoi përpara në shekuj. Sot, me këtë bindje, me këtë vetasgjësim, me këtë poshtërim të Jezusit, premtimi u bë shpresë. E populli i Hyjit ecën me shpresë të sigurt. Edhe Nëna, ‘Eva e re’ , si e quan vetë Pali, mori pjesë në udhën e Birit: mësoi, vuajti e dëgjoi. E u bë Nënë!”.

Ungjilli na e paraqet Marinë tek këmbët e Kryqit. E Jezusi i thotë Gjonit; “Ja, Nëna jote!”. Maria, pohoi Papa, është Nënë:
“E kjo është edhe shpresa jonë. Ne nuk jemi jetimë, kemi Nëna: Nënën Mari. Por edhe Kisha është Nënë e edhe Kisha vajohet Nënë, kur bën të njëjtën udhë, që bënë Jezusi e Maria: udhën e bindjes, udhën e vuajtjes, e kur mëson vazhdimisht të ecë në gjurmët e Zotit. Këto dy gra - Maria e Kisha – e çojnë përpara shpresën e Krishtit, na japin Krishtin, e lindin Krishtin në shpirtin tonë. Pa Marinë nuk do të ishte Jezu Krishti; pa Kishën, nuk mund të shkojmë përpara”.

Dy gra e dy Nëna, vijoi Papa, e pranë tyre, shpirti ynë që, siç thoshte murgu Isak, abati i Stelës, është “femëror”, i ngjet Marisë e Kishës:
“Sot, duke e parë pranë Kryqit këtë grua, tejet të vendosur për ta ndjekur të Birin në vuajtje, për të mësuar bindjen, duke e parë, pra, shikojmë Kishën e shikojmë Nënën tonë. Shikojmë edhe shpirtin tonë të vogël, që nuk do të humbasë kurrë, nëse do të vijojë të jetë edhe grua, pranë këtyre dy grave të mëdha, që na shoqërojnë në jetë; Maria e Kisha. E ashtu si etërit tanë dolën nga Parajsa me një premtim, sot ne mund të shkojmë përpara me një shpresë; shpresën që na e jep Nëna jonë Maria, e ngulur tek Këmbët e Kryqit, e Nëna jonë, Kisha hierarkike”.

15 shtator 2019, 00:09