Kërko

Vatican News
2019.09.29 Santa Messa in occasione della Giornata Mondiale del Migrante e del Rifugiato 2019.09.29 Santa Messa in occasione della Giornata Mondiale del Migrante e del Rifugiato  (Vatican Media)

Papa: nuk mund të jemi indiferentë përballë mjerimit të kaq shumë njerëzve

Me rastin e Ditës së sotme botërore të migrantëve dhe refugjatëve, Papa kremton Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit dhe kujtoi se ta duash tё afёrmin, do tё thotё tё jesh pranë të gjithë atyre qё janё endacakë tё braktisur në rrugët tona.

R.SH.- Vatikan

"Si të krishterë nuk mund të jemi indiferentë ndaj dramës së varfërive të vjetra e të reja, ndaj vetëmive më të errëta, fyerjeve dhe diskriminimeve të atyre që nuk i përkasin grupit “tonë”. Nuk mund të qëndrojmë të pandjeshëm, përballë mjerimit të kaq shumë njerëzve të pafajshëm. Nuk mund të mos qajmë. Nuk mund të mos reagojmë. Le t'i kërkojmë Zotit hirin pёr të qaj me lotët qё na e konvertojnë zemrën para këtyre mëkateve”. Këto janë fjalë zemërthyer, të pëshpëritura me një fije zëri ndërsa nga Mesdheu ende vijnë jehonat e vdekjes, Papa Françesku shqiptoi në Meshën e dielën së 29 shtatorit, në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e Ditës sё 105-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve.

Njё thirrje e fuqishme në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e pёr t’u kujdesur në veçanti, për emigrantët, tё përjashtuarit e pёr tё gjitha ata njerëz qё ikin nga lufta e nga mjerimi, në kërkimin e shpresës për të ardhmen. Ky është edhe thelbi i homelisё së pasionuar, që Papa Françesku shqiptoi sot, gjatё Meshës Shenjte, kremtuar nё Sheshin e Vatikanit, me rastin e Ditёs Botёrore tё Migrantëve dhe Refugjatëve.

Burra e gra me tipare të llojllojshme somatike, me veshje tradicionale, këngë, valle, lexime dhe lutje tё shqiptuara në gjuhë të ndryshme e sollën, sot paradite, botën në Sheshin e Shën Pjetrit,  nё Vatikan ku, Papa Françesku kremtoi Meshën e shenjtë për ta, Migrantë e Refugjatë.

Kjo Dita Botёrore e Migrantëve dhe Refugjatëve ka si temё “Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë”, e na fton tё reflektojmë mbi faktin se “emigrantët, refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe viktimat e trafikimit janë njerёz të prekur nga një shqetësim shumë më i madh, që ka të bëjë me të gjithë banorët e periferive ekzistenciale dhe, së fundi, na takon e shqetëson të gjithëve si individë dhe si një familje e vetme njerëzore" kujtoi Papa.

 

Kujdesi i Zotit të Izraelit ndaj më të brishtëve

Zoti i Izraelit është Ai “që i jep tё drejtën bonjakut dhe vejushës, e do tё ardhurin, i jep bukën dhe veshjen”. Kёtё pohim e gjejmë të shkruar në librin biblik tё Ligjit tё Pёrtёrirё, por na e përsërit edhe Libri i Daljes e të njëjtën gjё e pohon edhe Psalmi 146 i liturgjisë sё sotme, tha Papa nё homeli duke kujtuar se: "Zoti i mbron ardhacakët, të huajt, u ndihmon bonjakëve e tё vejave, u jep tё drejtën tё nёpёrkёmburve, u jep ushqim tё uriturve, Zoti i çliron robërit". Këto janë kategoritë më të prekura të shoqërisë, janë mё tё brishtët e shoqërisë sonë bashkëkohore, "shpesh të harruar dhe të ekspozuar ndaj abuzimeve", po tha Papa, "Zoti kujdeset për ta dhe njё dashuri të veçantë". Kjo ёshtё karakteristika e Tij e veçantë, vëmendja e dashamirësia e Tij  Hyjnore – tha Papa - janë edhe "një detyrë morale", për " të gjithë ata që duan t'i përkasin popullit të Zotit", e shtoi se edhe:

Në Mesazhin për Ditën e sotme tё105-tё Botërore të Migrantëve e Refugjatëve përsëritet si refren tema qё na kujton se:“Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë”. Dhe kjo është e vërtetë: nuk është fjala vetëm pёr të huajt, por është fjala pёr të gjithë banorët e periferive tona ekzistenciale, të cilët, së bashku me emigrantët dhe refugjatët, janë viktima të kulturës së hedhurinave. Zoti kërkon nga që ne të vëmë nё jetё dashurinë vepruese, bamirësinë bujare ndaj kёtyre njerëzve; na kërkon që t’ua kthejmë dinjitetin e tyre njerëzor, së bashku me dinjitetin tonё, pa përjashtuar askënd, pa lënë askënd jashtë, dhe se për të arritur kёtё, i duhet dhënë fund mjerimit, mënjanimit, duhet mundur indiferenca e përmbysur kultura e hedhurinave.

 

Në botën e sotme ka ende shumë padrejtësi

Së bashku me gjestet e dashurisё e tё bamirësisë, sipas Papёs Françesku është, po aq e nevojshme të "reflektojmë mbi padrejtësitë që shkaktojnë përjashtimin dhe mënjanimin e shumё njerёzve nё shoqёri, veçanërisht mbi privilegjet e të paktëve, që ruhen e mbrohen, në dëm e në kurriz të shumë njerëzve”. Dhe duke cituar akoma Mesazhin e kësaj dite vazhdoi:

Bota e sotme është çdo ditë më elitiste dhe më mizore me të përjashtuarit. Është një e vërtetë e dhimbshme, kjo botë është çdo ditë më shumë elitiste, më mizore me të përjashtuarit. Vendet në zhvillim e sipёr vazhdojnë të jenё gjithnjё e mё varfëruara e tё privuara nga burimet e tyre më të mira natyrore dhe njerëzore, në përfitim të disa tregjeve të privilegjuara. Luftërat i prekin vetëm disa rajone të botës, por me armët që prodhohen dhe shiten në rajone tjera, të cilat pastaj nuk duan t’i marrin përsipër refugjatët qё prodhojnë konfliktet e tilla. Ata që paguajnë haraçin janë gjithmonë të vegjlit, të varfrit, më të brishtët, të cilëve u pengohet të ulen në tryezë dhe nuk u lihen as "dromcat" e banketit.

Edhe sot, në fakt, tha Papa, "kultura e mirëqenies [...] na bën të mendojmë vetëm për vete, na bën të pandjeshëm ndaj klithmave të tjerëve, [...] na shpie të jemi indiferentë ndaj të tjerëve e madje edhe tё biem në globalizimin e indiferencës.

29 shtator 2019, 19:30