Kërko

 Kard. Roger Etchegaray Kard. Roger Etchegaray 

Papa kujton kardinalin Etchegaray, njeri i paqes e dialogut

Ndërroi jetë dje, në moshën 96 vjeçare, kardinali francez Roger Etchegaray. Njeri i paqes dhe i dialogut, ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjon Palit II.

R. SH. - Vatikan

“Ndërroi jetë dje, në moshën 96 vjeçare, kardinali francez Roger Etchegaray. Ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë  të Gjon Palit II, i angazhuar në misionet për paqen në mbarë botën, nxitës i dialogut dhe i ekumenizmit. Më 1986 organizoi takimin historik ndërfetar të Asizit. Françesku e kujtoi sot paradite, gjatë Meshës në Nunciaturën apostolike  të Maputos, së bashku me kardinalin Pimiento, vdekur të martën e kaluar.

Kardinali Etchegaray, kryetar nderi i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe paqes si dhe i Këshillit Papnor “Cor Unum”, vdiq dje, 4 shtator, në qytezën baske Cambo-les-Bains, në Francë. Pas pak ditësh do të mbushte 97 vjeç.

Funerali do të kremtohet të hënën e ardhshme,  në katedalen e Shën Marisë në Bayonne.

Dhimbja e Papës

Papa - sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni - e priti me dhimbje të thellë, sot në mëngjes, lajmin e hidhur të vdekjes së tij Hirësisë së Tij. Gjatë Meshës, kremtuar në Nunciaturën Apostolike të Maputos, në Mozambik, e kujtoi kardinalin francez si njeri i dialogut dhe i paqes. E njëherësh me të, kujtoi edhe kardinalin Pimiento, që ndërroi jetë më 3 shtator.

Kolegji Kardinalor sot

Me vdekjen e dy kardinajve, Kolegji Kardinalor numëron 213 kardinaj, nga të cilët, 118 me të drejtë zgjedhore, 95, këshillimore.

05 shtator 2019, 13:17