Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: udha e përvujtërisë së vërtetë çon në bashkim me Zotin

Duke reflektuar për Ungjillin e sotëm sipas Lukës, Françesku vërejti sesi vrapohet çdo ditë për të zënë vendin e parë, për t’i treguar botës se jemi dikushi, se kemi epërsi mbi të tjerët”: sjellje që - theksoi - e rrënon vëllazërimin dhe i bën keq si bashkësisë civile, ashtu edhe asaj kishtare.

R. SH. - Vatikan

Edhe në ditët tona vërehet dëshira “për të dalë mbi të tjerët”, në vend që të zgjidhet rruga e përvujtërisë, ashtu si na e tregon Jezusi: ta pranojmë, prandaj, vetveten “kështu siç jemi”, domethënë, të vegjël, e të mësohemi të gëzojmë, duke dhuruar, pa pritur shpërblim”. Ky, reflektimi i Papës në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

Sjellje e përhapur

Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek Ungjilli i sotëm, sipas Lukës, në të cilin bëhet fjalë për një gosti, ku është i ftuar edhe Jezusi. Dreka shtrohet në shtëpinë e njërit nga krerët e farizenjve e Zoti vëren sesi të ftuarit turren për të zënë  vendet e para. Sjellje - kujtoi Papa – mjaft e përhapur edhe sot e kësaj dite:

“Ky vrapim për të zënë vendet e para, i bën keq bashkësisë, si asaj civile, ashtu edhe asaj kishtare, sepse rrënon vëllazërimin. Të gjithë i njohim këta njerëz, që kacavaren sa munden për t’u ngjitur lart e më lart… E kështu e dëmtojnë vëllazërinë, e dëmtojnë…”.

Dy shëmbëlltyrat

Jezusi - kujtoi Papa - gjatë gostisë, tregon dy shëmbëlltyra, si shembull për sjelljet tona të përditshme. Kanë të bëjnë me përvujtërinë e me bujarinë pa asnjë interes. Shëmbëlltyra e parë u drejtohet të ftuarve në gosti, për t’i nxitur të mos ulen në vendin e parë. Përkundrazi, në të fundmin:

“Nuk duhet ta kërkojmë vëmendjen a nderimin e të tjerëve. Nëse e dashkemi, duhet të presim të na e bëjnë ata vetë! Jezusi na mëson udhën e përvujtërisë; e duhet nxënë kjo udhë, sepse është udha e vërtetë, që na krijon mundësinë të kemi edhe lidhje të vërteta. Përvujtëria e vërtetë nuk është e ajo e shtira, që Piemonti e quan përvujtëri prej ‘maceje të ngordhur’. Jo. Kjo nuk është përvujtëria e vërtetë!”.

T’i ftojmë të varfërit në gostinë tonë

Shëmbëlltyra e dytë i drejtohet “të zotit të gostisë”. Jezusi e fton të mbledhë në tryezën e  tij të varfër, sakatë, të çalë, të verbër:

“Jezusi shkon krejtësisht kundër rrymës, sepse mendon gjithnjë me logjikën  e Hyjit Atë. E na jep edhe çelësin, për ta shpjeguar këtë fjalim! E cili është çelësi? Është një premtim: nëse ti do të bësh kështu, ‘do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve’. Kjo do të thotë se kush sillet  kështu, do të ketë shpërblimin hyjnor, shumë më të lartë se ai i njeriut -  që të bën një nder, duke të pritur t’i bësh tjetrin: jo, kjo nuk është e krishterë! E krishterë është bujaria e përvuajtur. Shkëmbimi i shpërblimeve njerëzore  e prish miqësinë, e bën marrëdhënie tregtare, me interes personal, ndërsa miqësia nuk duhet të ketë kurrfarë interesi. Këtë kërkon Jezusi: bujari, pa kurrfraë interesi, për të na hapur rrugën drejt një gëzimi shumë më të madh, gëzimit, që na bën pjesëtarë të dashurisë së vetë Zotit, i cili na pret të gjithë në gostinë qiellore”.

Tweet

Menjëherë pas lutjes mariane, në tweet-in e botuar në faqen e tij të internetit @Pontifex, Papa pohon se “në Ungjillin e sotëm Jezusi na fton për bujari pa pikën e interesit, që të na hapet para udha e gëzimit shumë më të madh: gëzimit për të qenë pjesëmarrës në dashurinë e vetë Zotit”.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi Ditën e sotme botërore të lutjes për kujdesin e Krijimit si dhe shtegtimin e tij të afërt apostolik në Afrikë.

Ftesa për të jetuar sipas stilit, që e respekton Gjithësinë, përshëndetja drejtuar Kishës greko-katolike-ukrainase, që nis Sinodin e saj në Romë, njoftimi për shtegtimin e tij të afërt në Mozambik, Madagaskar e Mauritius. Këto ishin temat, mbi të cilat Papa Françesku u ndalua posaçërisht gjatë përshëndetjeve, pas lutjes së Engjëllit. Mendimi i parë i Papës iu kushtua nismës ekumenike lidhur me sensibilizimin për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët:

“Sot, dita e parë e shtatorit, kremtohet Dita botërore e lutjes për kujdesin ndaj krijimit. Lutje ekumenike, që nxit ndërgjegjësimin dhe angazhimin për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, duke nisur nga një stil më i qëndrueshëm jete personale e familjare. Që sot e deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut të Asizit, është kohë e favorshme për ta lavdëruar Zotin për të gjitha krijesat e veta e për të marrë mbi vete përgjegjësinë që na takon, përballë britmës së Tokës”.

Lutja për shtegtimin

Françesku u drejtoi një përshëndetje të veçantë shtegtarëve ukrainas, ardhur nga vende të ndryshme, me rastin e Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës greko-katolike ukrainase, që do të mbahet në Romë ditët e ardhshme. Së fundi, kërkoi lutje për shtegtimin e tij të afërt në Afrikë, nga 4 deri më 10 shtator:

“Të mërkurën e ardhshme, në dashtë Zoti, do të nisem për shtegtim apostolik në Afrikë, për të vizituar popullsitë e Mozambikut, Madagaskarit e Mauritius. Ju kërkoj të më shoqëroni me lutje, që kjo vizitë baritore të japë fytet e dëshiruara”.

Në zemër të Papës, edhe motrat dhe të rinjtë e Institutit Giuseppe Benedetto Cottolengo, të cilët i falënderoi për dëshminë e tyre.

01 shtator 2019, 15:27