Papa në prag të nisjes drejt Mozambikut Papa në prag të nisjes drejt Mozambikut 

Papa Françesku në avion drejt Mozambikut

Filloi shtegtimi i 31-të apostolik i Papës Françesku në tre vende të Afrikës australe. Avioni papnor u shkëput nga toka italiane sot në mëngjes, pak para orës 08.00 - e do të arrijë në Mozambik sonte, rreth orës 18.30. Pas Mozambikut, Ati i Shenjtë do të shtegtojë edhe në Madagaskar e Mauritius: në një tweet, Françesku kërkon lutje për pajtimin dhe paqen në Afrikë. Para se të largohej nga Vatikani, u takua me 12 emigrantë, ardhur nga tre vendet, që do t’i vizitojë gjatë këtij shtegtimi.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku është në avionin, që vijon fluturimin drejt Mozambikut, etapë e parë e shtegtimit të tij të 31-të apostolik, gjatë të cilit do të vizitojë edhe Madagaskarin e Mauritius. Avioni papnor u shkëput nga toka italiane  pak pas orës 08.00, në aeroportin Romë-Fiumicino e do të zbresë në kryeqytetin Maputo sonte, rreth orës 18.30, pas 10 orë e gjysëm fluturimi.  Në sheshin e parkimit të aeroportit romak, rezervuar për avionin Alitalia, një Airbus A-330, i pagëzuar me emrin “Giovanni Battista Tiepolo”, Papa përshëndeti autoritetet fetare e civile, që kishin dalë për t’i uruar udhë të mbarë! Pastaj, me buzë në gaz, duke u mbështetur me dorën e djathtë për parmak, arriti në hyrjen e Airbus-it. Pa harruar të ndalet pakëz, për të përshëndetur komandantin e fluturimit dhe dy shoqërueset e shtegtarëve, që po e prisnin. Së fundi u kthye për t’i përshëndetur edhe një herë gjithë të pranishmit e tjerë. Pas arritjes në aeroportin e Maputos dhe ceremonisë së mirëseardhjes, programi parashikon, më 5 shtator, disa takime.

Arritja në Mozambik

Takimet e para do të jenë vizita e mirësjelljes presidentit mozambikan, Filipe Nyusi dhe takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Më pas, takimi ndërfetar me të rinjtë dhe ai me ipeshkvijtë, priftërinjtë e rregulltarët, në katedralen e Zojës së Papërlyer, në Maputo.

Takimi me 12 migrantë nga Mozambiku, Madagaskari e Mauritius

Sot paradite, para se të largohej nga Shtëpia e Shën Martës, Papa u takua me 12 vetë, që strehohen nga Qendra Astalli e Jezuitëve e nga Bashkësia e Shën Egjidit, ardhur nga Mozambiku, Madagaskari e Mauritius. Grupi shoqërohej nga Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajevski.

Papa i fton të gjithë  të luten

Papa i fton të gjithë  të luten për këtë shtegtim, e sidomos, për frytet e tij, që janë paqja e pajtimi në gjithë Kontinentin afrikan!

Ftesë, përmes një tweet-i

Gjithnjë sot paradite, përmes një tweet-i, një ftesë tjetër e Françeskut, për t’u bashkuar me të në lutje “që Zoti, Atë i të gjithëve, ta forcojë në mbarë Afrikën pajtimin vëllazëror, e vetmja shpresë për paqen e vërtetë e të qëndrueshme”.

04 shtator 2019, 11:07