Kërko

 Papa takohet me ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe rregulltarët e Mozambikut Papa takohet me ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe rregulltarët e Mozambikut 

Papa, klerit në Mozambik: në shkollën e Marisë, larg rendjes pas përfitimeve personale

Identiteti i priftit dhe i rregulltarit, inkulturimi i fesë, shpirti i shërbimit, kultura e takimit: këto, e disa tema të tjera, preku Papa në fjalimin drejtuar sot pasdite, në Katedralen e Maputos, ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, seminaristëve e katekistëve, ardhur nga i gjithë Mozambiku. Atyre Papa Françesku ua paraqiti Marinë si shembull i njeriut, që nuk zmbrapset e ia beson plotësisht vetveten Zotit, pa asnjë kusht!

R. SH. - Vatikan

Ishte një përgjigje, që i jepej thirrjes së dikurshme, përsëritur së bashku, fjala që Papa u drejtoi ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve e katekistëve, gjatë takimit me ta, mbajtur në Katedralen e Maputos.

“Jemi Kishë, që punon në gjirin e një populli heroik, specialist për të vuajtur e për ta mbajtur gjallë shpresën. Me krenarinë e ligjshme të popullit, që na fton ta përtërijmë fenë dhe shpresën, duam ta përsërisim “po” - në tonë. E sa e kënaqur është Kisha Nënë, kur dëgjon nga buzët tuaja shprehjen e dashurisë për Zotin e për misionin, që ju besoi! Sa e kënaqur është, duke parë dëshirën tuaj për t’u rikthyer gjithnjë tek “dashuria e parë”(Vap 2,4)!

T’i bëjmë ballë realitetit, ashtu siç është!

Të dashur vëllezër - vijoi Papa duke iu drejtuar sivëllezërve në meshtari – ne, duam s’duam, jemi të thirrur ta përballojmë  realitetin ashtu siç është. E në vijim kujtoi se kohët ndryshojnë e shpesh nuk është aspak e lehtë të mësohesh me skenat e reja, gjë që të nxit të ëndërrosh qepët e Egjiptit, duke harruar se e ke përpara, jo mbrapa, Tokën e Premtuar. E, të pushtuar nga malli për të kaluarën, ngurosemi - shtoi - Në vend që të shpallim Lajmin e Mirë, ajo që kumtojmë është diçka ngjyrë hiri. Nuk e tërheq e, aq më pak, e ndez zemrën e njerëzve.

Fjala e Papës mbahej në katedralen kushtuar Zojës së Papërlyer – e Ati i Shenjtë ua kujtoi këtë sivëllezëve në meshtari, duke i porositur të mos ia ndajnë sytë, sepse në mënyrën si sillet Ajo, mund të zbulohen përgjigjet për pyetjet, që i mundojnë e të gjindet nxitja e nevojshme për t’iu përgjigjur Zotit me të njëjtën bujari, që u përgjigj Maria.

Kriza e identitetit meshtarak

Papa, u ndalua, më pas gjatë edhe tek kriza  e identetit meshtarak:

“Përballë kësaj krize - kujtoi - ndoshta duhet të rikthehemi në vendet ku u thirrëm, ku ishte e dukshme se nisma dhe pushteti vinin nga Zoti”.

Më pas, një portret prekës, përgjithësues, i meshtarit të vërtetë, Njeriut të kushtuar plotësisht Zotit e të afërmit:

“Meshtari është më i varfëri ndërmjet njerëzve, nëse Jezusi nuk e pasuron me varfërinë e tij; më i panevojshmi shërbëtor, nëse Jezusi nuk e thërret mik; më i çmenduri ndërmjet njerëzve, nëse Jezusi nuk e mëson me durim, siç bëri me Pjetrin. Prandaj lutja jonë, që na mbron nga çdo kurth i së keqes, është lutja  e Nënës sonë: ‘Jam meshtar, sepse Ai e pa me mirësi të pa fund, vogëlsinë time”:

“E vetmja rrugë për ta përballuar krizën e identietit e për t’u përtërirë si barinj-dishepuj-misionarë, është të rikthehemi në Nazaret!”

Lidhja e ngushtë meshtar -besimtar

Më pas, Papa kujtoi lidhjen e ngushtë të meshtarit me besimtarët. Për ne, meshtarët - theksoi - historitë e njerëzve tanë nuk janë lajme: ne i njohim njerëzit tanë, mund ta marrim me mend çka i mundon zemrat e tyre, e zemra jonë, duke vuajtur me ta, bëhet copë e na duket sikur hahet prej njerëzve tanë: “Merreni e hajeni!”:

“Kjo është fjala, që pëshpërit vazhdimisht meshtari i Jezusit, kur kujdeset për popullin e vet besnik: merreni e hajeni, merreni e pijeni….! E kështu jeta jonë meshtarake shkon duke u dhuruar në shërbim, pranë popullit besnik të Zotit!”.

Përtëritja e thirrjes

Më pas, në bisedën e Papës, përtëritja e thirrjes:

“Ta përtërish thirrjen - theksoi - do të thotë të zgjedhësh, të thuash po e të lodhesh me çka është e frytshme para syve të Zotit, me çka e bën të pranishëm, e mishëron të Birin Jezus. Dashtë Zoti të gjejmë, në këtë raskapitje shëruese, gurrën e identitetit tonë e të lumturisë sonë”.

05 shtator 2019, 17:53