Papa me gazetarët Papa me gazetarët 

Gjatë fluturimit drejt Afrikës, Papa kërkon lutje për tragjedinë e Bahamas

Në shtegtimin drejt Maputos, Papa e përfundoi përshëndetjen tradicionale me gazetarët e pranishëm në avion, duke u kërkuar lutje për viktimat e uraganit, që goditi rëndë Ishujt Bahamas. Pak më përpara, urimi që vizita të ketë frytet e dëshiruara, e edhe një bisedë e shkurtër, gazmore me dekanin e vatikanistëve, për të ndryshuar pakëz atmosferën, që do të ngrysej nga lajmi i hidhur!

R. SH. - Vatikan

Papa shtegtonte drejt Afrikës, po një pjesë e zemrës së tij sot ishte  atje, pranë “periferisë” së fundit, afër njerëzve të Karaibeve, të tronditur thellë nga katastrofa e shkaktuar prej “Dorian Hurricane”. Para se të përfundonte përshëndetjet me gazetarët, Papa e mori përsëri në dorë mikrofonin, për t’i ftuar të gjithë  ata, që e shoqërojnë në shtegtim drejt Afrikës jugore, të luten së bashku me të. Françesku u njoftua për shkatërrimet lënë pas nga uragani, sidomos në Bahamas - lajme e pamje, që  flasin vetë për mijëra të pastrehë e të vdekur gjatë rrugëve, mbjellë me rrënoja. Janë njerëz të varfër - kujtoi me dhimbje të thellë Papa - që brenda një dite të vetme humbën gjithë ç’kishin ndërtuar një jetë të tërë: shtëpinë, gjithçka. Edhe jetën!

Këto, fjalët e Papës:

“Dëshiroj t’ju ftoj që, secili në zemër të vet, të thotë një lutje për viktimat  e uraganeve në Bahmas; janë njerëz të varfër, që papritur e pa kujtuar, humbën shtëpinë, humbën gjithçka, edhe jetën. Secili në zemër të vet të thotë një lutje për këta vëllezër e motra, që po vuajnë kaq shumë për shkak  të këtyre uraganeve në Bahamas. Faleminderit!”.

04 shtator 2019, 14:38