Kërko

 Papa gjatë takimit në Palazzo Ponta Vermelha Papa gjatë takimit në Palazzo Ponta Vermelha 

Papa: “Paqja, lule e brishtë, që përpiqet të mbijë e të lulëzojë në shkëmbinjtë e dhunës”

Fjalimi i parë i Papës në Maputo, gjatë takimit me Autoritetet, Trupin Diplomatik dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, në Palacio da Ponta Vermelha, residencë zyrtare e Presidentit të Republikës. Në qendër të vëmendjes, udha e paqes dhe e pajtimit në Mozambik, etapa e parë e shtegtimit papnor në Afrikë, që do pasohet nga vizitat në Madagaskar e në ishujt Mauritius

R. SH. - Vatikan

Fjalët e para të Papës, pas përshëndetjes së autoriteteve, ishin fjalë afërsie e solidariteti drejtuar të gjithë atyre, që u ndeshën me ciklonet Idai e Kenneth, pasojat shkatrrimtare të të cilëve vijojnë të peshojnë rëndë mbi shumë familje, sidomos ku rindërtimi kërkon vëmendje të posaçme.

Për fat të keq - kujtoi Papa - nuk do të mund të vij personalisht ndërmjet jush, por dua ta dini se e ndaj me ju ankthin, dhimbjen e edhe angazhimin e bashkësisë katolike, në përpjekjen për ta përballuar një situatë kaq të vështirë:

“Në mes të katastrofës e mjerimit, i lutem Provanisë hyjnore që të mos ju mungojë ndihma e të gjitha forcave civile e shoqërore të cilat, duke vënë në qendër njeriun, uroj të jenë në gjendje të rindërtojnë çka u shkatërrua”.

Për rrugë, në kërkim të paqes

Papa kujtoi, në vijim, përpjekjet dhjetravjeçare të bashkësisë ndërkombëtare në kërkim të paqes, që të bëhej përsëri normë jete e pajtimi e udha më e mirë për të përballuar vështirësitë dhe sfidat. Kujtoi, prandaj, nënshkrimin  e traktatit historik të paqes, vëshirësitë që u kapërcyen, derisa u dukën mugullimet e para. Këto filiza e mbështesin shpresën dhe japin besim, për të mos lejuar që mënyra si shkruhet historia të jetë lufta vëllavrasëse, në vend të aftësisë për ta njohur njëri-tjetrin si vëllezër, bij të së njëjtës tokë, mbarështues të të njëtit fat – theksoi. 

Gjon Pali II – për luftën...

Në vijim, Françesku citoi fjalët e Papës Gjon Pali II, shqiptuar gjatë vizitës në këtë vend, më 1988, lidhur me luftën. Pati thënë Papa Wojtyla: “Me luftën, shumë burra, gra e fëmijë vuajnë, sepse nuk kanë strehë, për të banuar; bukë, për të ngrënë; shkolla, për të mësuar; spitale, për t’u mjekuar; kisha, ku të mblidhen për t’u lutur së bashku e ara, ku të mbjellin e të korrin. Mijëra njerëz detyrohen  të vihen në lëvizje, në kërkim të sigurisë e të mjeteve të mbijetesës; të tjerë shpërngulen në vendet fqinje”. Prej këndej, thirrja “Jo, dhunës; po, paqes! (Fjalimi gjatë vizitës Presidentit të Republikës, 16 shtator 1988).

...  e Françesku, për paqen

Pas këtij kthimi në të kaluarën, Françesku rikujtoi se fjala kryesore shtegtimit të tij është “paqe”! Është kërkimi i paqes afatgjatë, të cilin e quajti mision, që u takon të gjithëve e që kërkon shumë punë, sepse paqja është “si lule e brishtë, që përpiqet të mbijë e të lulëzojë ndër plasat e shkëmbinjve të dhunës” (Mesazh për Ditën Botërore të Paqes, 2019), prandaj kërkon të afirmohet me vendosmëri, por pa fanatizëm; me guxim, por pa ekzaltim; me ngulm, por në mënyrë të mençur:

“Jo dhunës, po paqes e pajtimit” - ishte thirrja e Papës, që vijoi të kujtojë  se paqja nuk është thjesht mungesë e luftës, por angazhim i palodhshëm –posaçërisht për ata që kanë më shumë përgjegjësi. Kërkon të njihet, të garantohet, të rindërtohet konkretisht dinjiteti, shpesh i harruar ose i injoruar i vëllezërve tanë, që të mund ta ndjejnë veten protagonistë të fatit të vet e të kombit të vet:

“Nuk mund të mos e kemi gjithnjë parasysh se pa barazi mundësish, format e ndryshme të agresionit e të luftës do të gjejnë gjithnjë terren pjellor, që heret a vonë, do të shkaktojë shpërthimin. Kur shoqëria - vendase, kombëtare ose botërore - e braktis në periferi një pjesë të vetvetes, nuk do të ketë programe politike, as forca rendi a policore, që do të mund ta sigurojnë vazhdimisht qetësinë” (Nxit.ap Evangelii gaudim, 59).

Paqja hap rrugën e progesit për të rinjtë

Më pas Papa kujtoi se progresi i Mozambikut u sigurua pikërisht falë paqes dhe e nxiti vendin ta çojë më tej punën e filluar për konsolidimin e institucioneve të nevojshme, që askush të mos ndjehet i braktisur, posaçërisht të rinjtë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë:

“Të rinjtë janë jo vetëm shpresa e kësaj toke, po edhe e sotmja dhe e ardhmja. Kanë nevojë të gjejnë udhë dinjitoze, që i lejojnë të zhvillojnë të gjitha talentetet: janë forcë, që krijon mundësitë për ta mbjellur e për ta rritur të shumëdëshiruarën miqësi shoqërore”.

Kultura e paqes

Vijoi të fliste për kulturën e paqes – Ati i Shenjtë gjatë takimit me Autoritet, Trupin Diplomatik dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kërkon një proces të vazhdueshëm - theksoi - në të cilin duhet të marrë pjesë aktive çdo brezni. Prandaj duhet favorizuar kultura e takimit, duhet të pranohet tjetri, të shtrëngohen lidhjet, të hidhen urat. Në këtë drejtim duhet ruajtur kujtesa, si udhë për ardhmërinë e shteg për kërkimin e rrugëve të përbashkëta, që pasuritë e kombit tuaj të mos vijojnë të jenë vetëm në dorë të disave, por pasuri e të gjithëve:

“Mos pushoni s’u angazhuari, derisa të mos ketë më asnjë fëmijë, adoleshent e të ri pa shkollë; familje pa shtëpi; punëtor pa punë; fshatar pa tokë. Këto janë bazat e ardhmërisë plot me shpresë, me dinjitet. Janë armët e paqes”.

Me vlerë për të gjitha kombet – kjo thirrje që jehon nga Afrika!

05 shtator 2019, 11:13