Papa mbërrini në Mozambik, ku filloi vizitën apostolike në Afrikë

Avioni i Papës mbërrini pak pas orës 18:00 lokale në Maputo, kryeqytetin e Mozambikut. Nё aeroport Papa Françesku u prit nga Presidenti Filipe Jacinto Nyusi dhe gruaja e tij. Me delegacione e ipeshkvij tё vendit ishte gjithashtu edhe një grup i madh besimtarësh me këngë e valle tradicionale

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ёshtё në Mozambik, nё etapёm e parё tё udhëtimit tё tij të 31-të apostolik ndërkombëtar. Pas Mozambikut Papa, deri mё 10 shtator, do të vizitojë edhe Madagaskarin e Mauricius. Pas 10 orësh fluturimi, aeroplani papnor arriti pak pas orës 18.00 në aeroportin e kryeqytetit Maputo, qyteti më i madh i shtetit afrikan, ndërtuar pranë grykëderdhjes sё lumit Shpirt Shenjt, nё veri tё Delagoa-s, pranë Oqeanit Indian.

Pritja

Për ta pritur e përshëndetur Papën, nё aeroport, në një mbrëmje tё freskët shtatori, ishte i pranishëm Presidenti i Republikës, Filipe Jacinto Nyusi, dhe gruaja e tij. Me delegacionet dhe ipeshkvijtë e Mozambikut, ishte edhe një grup i madh besimtarësh: dy fëmijë me veshje tradicionale e përshëndetën Atin e Shenjtё duke i uruar mirëseardhje tё pёrzemёrt, e kështu menjëherë gjithçka u zhvillua nё njё atmosferë hareje e feste me muzikë, valle dhe këngë popullore që shprehnin gëzimin e një përqafimi tё shumëpritur por edhe "shpresën, paqen e pajtimin", që janё edhe temat e kësaj vizite papnore, qё po zhvillohet disa javë pas marrëveshjes së paqes që u nënshkrua në muajin gusht nga kreu i shtetit me opozitën e Renamo-s. Një marrëveshje që pason nënshkrimin historik të pajtimit që u realizua mё 4 tetorit 1992, me ndërmjetësimin e Komunitetit tё Shёn Egjidit tё Romёs, pas një konflikti që pati shkaktuar vdekjen e një milion njerëzve: në vitin 1988 Mozambiku u vizitua nga Papa Shën Gjon Pali II, i cili shkoi nё vend pёr tё konstatuar se si nё atё tokё po vazhdonte akoma "lufta, me të gjitha pasojat e saj tragjike të vuajtjes, zisë dhe shkretimit".

Përshëndetja e popullsisë

Pas ceremonisë së mirëseardhjes qё u mbajt në aeroport, Papa Françesku u nis drejt Nunciaturës Apostolike, e cila gjendet në zonën qendrore të Maputo-s, ku janё tё përqendruara qendrat e misioneve diplomatike tё shteteve tё ndryshme, në sfondin e Oqeanit Indian.

Rrugës nga aeroporti drejt Nunciaturës me papamobile, një turmë e madhe shumëngjyrëshe dhe brohoritëse, dhjetëra mijëra njerëz këndonin e tundnin flamuj, duke përshëndetur dhe brohoritur Papën këtë mbrëmje në Maputo, përgjatë shtatë kilometrave të rrugës nga aeroporti e deri te Nunciatura Apostolike, që Françesku pёrshkoi me  papamobil ’të hapur’.

Një grup të rinjsh, e priti Atin e Shenjtë para Nunciaturёs, siç njoftoi Zyra e Shtypit e Vatikanit. Pastaj, në hyrje të selisё diplomatike tё Vatikanit, përshëndetja me personelin fetar të përfaqësisë papnore nё Maputo.

04 shtator 2019, 21:44