Kërko

 Marie Reine de la Paix në Port Louis Maurizio Marie Reine de la Paix në Port Louis Maurizio 

Ishulli Mauritius, në pritje të Papës

Si çdo vit, në prag të festës të të Lumit atë Laval, që kremtohet më 9 shtator, besimtarët e Mauritius shkojnë në procesion drejt Shenjtërores të Shëna Kryqit, që do të vizitohet nesër nga Papa Françesku. Mesha shenjte do të kremtohet në monumentin kushtuar Marisë, Mbretëreshë e Paqes.

R. SH. - Vatikan

Sot, 8 shtator, nata e festës së të Lumit Jacques-Désiré Laval, besimtarët e Mauritius shkojnë në procesion drejt Shenjtërores së Shëna Krygjës, kushtuar, në gjysmën e parë të tetëqindës, atit misionar francez, që shkriu gjithë jetën në shërbim të ungjillëzimit të bashkësisë së ishullit të sapoçliruar nga skllavëria. Kujtimi i të Lumit, që nderohet edhe nga shumica hinduiste, është një nga çastet më të rëndësishme në jetën e të krishterëve të Mauritius. Posaçërisht e ndjerë sivjet, sepse festës do t’i prijë Papa Françesku, që nesër do ta vizitojë privatisht Shenjtëroren.

Nesër, Papa do të jetë në Port Louis

Papa do të arrijë në aeroportin e kryeqytetit Port Louis nesër në mëngjes e, pas ceremonisë së mirëseardhjes, në praninë e kryeministrit të Mauritius, Pravind Kumar dhe të kardinalit Maurice Piat, ipeshkëv i qytetit, do të shkojë te monumenti kushtuar Marisë, Mbretëreshë e Paqes. I përuruar më 1940 në shenjë falënderimi për mbrojtjen e vendit gjatë Luftës I Botërore, monumenti do të jetë edhe vendi ku Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte, në orën 10.15, me orën tonë.

Takimi me ipeshkvijtë dhe autoritetet

Më pas Papa do të drekojë në argjipeshkvinë e Port Louis me pesë ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore të Oqeanit Indian, në të cilën marrin pjesë prelatët e Mauritius, Seychelles, Rèunion e Comore, për të shkuar, pastaj, në shenjtëroren kushtuar atit Laval. Pasdite, vizita në Pallatin presidencial të Ishullit, për takimin me kryetarin e shtetit Barlen Vyapoory e më pas, edhe me kryeministrin e për fjalimin drejtuar autoriteteve politike, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik.

Në mbrëmje, rikthimi në Madagaskar

Në orën 17.00 me tonën, parashikohet rikthimi me avion në Antananarivo, kryeqytet i Madagaskarit, ku Papa Françesku do kalojë natën, në pritje të  nisjes drejt Vatikanit, parashikuar për të martën, 10 shtator!

08 shtator 2019, 14:06