Cerca

Vatican News
 Mesha Shenjte pranë Monumentit të Mbretëreshës së Paqes Mesha Shenjte pranë Monumentit të Mbretëreshës së Paqes  (Vatican Media)

Të mos lejojmë të na rrëmbehet fytyra e re e Kishës!

E pritën me 100 mijë degë palmash, të tundura në erë, Papën Françesku në Mauritius. Të dukej si të ishte e Diela e Pashkëve. Këto degë, gjithnjë të blerta, ishin simbol i një angazhimi. Banorët angazhoheshin, kështu, se do të mbjellin 100 mijë pemë, si kontribut për mbrojtjen e gjithësisë, temë që Papa e preku shumë herë këto ditë të kaluara në Mozambik e në Madagaskar, para se të shkelte në këtë kind toke, që pluskon në pafundësinë e Oqeanit Indian.

R. SH. - Vatikan 

E pritën me 100 mijë degë palmash, të tundura në erë, Papën Françesku në Mauritius, Dita e mbrame e vizitës së Papës në Afrikë. Të dukej si të ishte e Diela e Pashkëve. Këto degë, gjithnjë të blerta, ishin simbol i një angazhimi. Banorët angazhoheshin, kështu, se do të mbjellin 100 mijë pemë, si kontribut për mbrojtjen e gjithësisë, temë  që Papa e preku shumë herë këto ditë të kaluara në Mozambik e në Madagaskar, para se të shkelte në këtë kind toke, që pluskon në pafundësinë e Oqeanit Indian.

Palma nëpër rrugë, në duart e një turme entuziaste. Palma edhe mbi altar, së bashku me lulet bardh e verdh, pranë monumentit kushtuar Marisë, Mbretëreshë e Paqes, vend i takimit të parë të Papës në këtë etapë të tretë e të fundit të shtegtimit në Afrikë.  Në homeli, Papa kërkoi  shumë kujdes edhe për ekologjinë njerëzore.

Arritëm, pra, tek data 9 shtator e vizita e Papës në Afrikë po i afrohet fundit. Sot paradite programi i Papës në Mauritius nisi me Meshën, kremtuar pranë Monumentit të Marisë, mbi mal.

Mbi këtë mal, prej nga shihet qyteti, e më tutje, edhe deti – ishin prandaj edhe fjalët e para të homelisë - arritëm, për t’u bërë pjesëtarë të kësaj turme fytyrash, ardhur nga Mauritius e nga ishuj e tjerë të kësaj zone të Oqeanit Indian. Erdhëm për të dëgjuar Jezusin, i cili kumton Lumnitë! Kumton vetë fjalën  e Jetës që, ashtu si dymijë vjet më parë, ka të njëjtën forcë e të njëjtin zjarr. Zjarr, që i ngroh edhe zemrat më të akullta. Së bashku mund t’i themi Zotit:

“Besojmë në Ty e drita e fesë dhe rrahjet e zemrës na flasin e na tregojnë sa e vërtetë është profecia e Isaisë: ‘Kumtoje paqen e shëlbimin! Sill lajme të mira! Mbretëro, o Zoti ynë!’”.

Lumnitë janë karta e identitetit e të krishterit - vijoi Françesku - Në to skicohet fytyra e Mësuesit, që jemi të thirrur ta bëjmë të dukshme në të përditshmen e jetës sonë. Siç bëri “apostulli i unitetit maurician” i lumi Jacques-Désiré Laval,  aq i nderuar në këto troje.

Papa kujtonte, kështu, që në fjalët e para të homelisë, kushtuar lumnive, një të Lum, që bëri aq shumë për të varfërit. E ishte pikërisht dashuria për Krishtin e për të varfërit - kujtoi në vijim - që e ruajti nga iluzioni i një ungjillëzimi  “të largët e asketik”. E kish kuptuar se të ungjillëzosh do të thotë të bëhesh gjithkush për gjithkënd.

E këtu Papa nisi të pikturojë, me pak penelata, portretin e të Lumit më të nderuar nga njerëzit, që e rrethonin në ishullin  e largët:

“Mësoi gjuhën e  skllevërve të sapo liruar e ua kumtoi atyre me thjeshtësi Lajmin e Mirë të shëlbimit. Diti t’i mbledhë besimtarët e të krijojë bashkësi të vogla, shumë nga të cilat janë sot famulli të mëdha. Ishte shumë i aftë t’i mbushte me besim më të varfërit e më të flakurit nga radhët, më të fundmit, në mënyrë që të bëheshin të parët për t’u organizuar e për t’u dhënë përgjigje vuajtjeve të tyre. Ati Laval e rinoi Kishën mauriciane e i dha frymëmarrje të re, hapi një rrugë, që jemi të ftuar  ta vijomë në rrethanat aktuale”.

Prej këndej, porosia: “Ky hov misionar duhet ruajtur, sepse ka mundësi që, si Kishë e Krishtit, të tundohemi për ta humbur entuziazmin e ungjillëzimit e të rendim pas sigurive të botës, që pak nga pak e bëjnë misionin të paaftë për t’i tërhequr njerëzit:

“Hovi misionar ka fytyrë të re, e është i aftë të rinojë” - kujtoi Papa:
“Të rinjtë tanë - vijoi - janë misioni ynë i parë! Duhet t’i ftojmë për të gjetur lumturinë e tyre në Jezusin, e jo në mënyrë asketike e nga larg, por  duke u dhënë një vend, duke e njohur gjuhën e tyre, duke i dëgjuar historitë e tyre, duke jetuar përkrah tyre, duke i siguruar se  janë të bekuarit e Zotit. Nuk duhet të lejojmë të grabitet fytyra e re e Kishës dhe e shoqërisë! Nuk duhet t’i lejojmë tregtarët e vdekjes t’i vjedhin frytet e para të kësaj toke”.

Në këmbët e këtij mali,  që sot do të doja të ishte mali i Lumturive – bëri thirrje Françesku - edhe ne duhet ta  ridëgjojmë këtë ftesë  e të jemi të lum. Vetëm të krishterët gazmorë  ngjallin dëshirën për ta ndjekur këtë rrugë. “Fjala ‘i lumtur' ose 'i lum' bëhet sinonime me fjalën ‘Shenjt', ngaqë tregon se njeriu është besnik ndaj Zotit, e jeton Fjalën e Tij e arrin, me dhurimin e vetvetes, lumturinë e vërtetë.

Kur një i ri shikon ndonjë projekt të jetës së krishterë, të realizuar me gëzim, kjo e entuziazmon, e inkurajon dhe ndjen dëshirën që mund ta shprehim në këtë mënyrë: ‘Dua të ngjitem mbi Malin e Lumturive, dua ta takoj sy për sy Krishtin e Ai të më tregojë cila është udha ime e lumturisë'.

Të lutemi, të dashur vëllezër e motra - vijoi Papa - për bashkësitë tona që, duke dhënë dëshminë e gëzimit të jetës së krishterë, t’i shikojnë sesi lulëzojnë thirrjet për shenjtëri, në format e ndryshme, që u propozon Shpirti Shenjt".

E në përfundim, Françesku iu drejtua Virgjërës Mari, shtatoren e së cilës e kishte përballë:

“Figurja e Marisë, Nënë, që na mbron e na shoqëron, na kujton se edhe ajo u quajt ‘e lume’. Asaj, që e jetoi dhimbjen, si t’ia kish përshkuar zemrën shpata, tej për tej; Asaj, që kaloi cakun më të keq të vuajtjes, duke parë si i vdiste i Biri, t’i kërkojmë dhuratën që t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt e edhe dhuratën e gëzimit të pafund, atë, e cila na bën të provojmë e të pohojmë gjithnjë ‘punët e mëdha, që bën i Gjithëpushtetshmi, emri i të cilit është shenjt!”.

Përshëndetje e falënderime, në përfundim të kremtimit

Si kreu homelinë, Papa vijoi kremtimin e Meshës Shenjte. E, para se ta përfundonte, i falënderoi të gjithë organizatorët e pritjes prekëse, duke nisur nga kardinali Piat, për të vijuar me gjithë klerin, pa harruar autoritetet civile, presidentin e Republikës e kryeministrin, të cilin do ta takonte pas Meshës.

Një përshëndetje e posaçme, shoqëruar me bekimin papnor, ajo drejtuar të burgosurve, që i kishin shkruar Papës një letër.

Së fundi, përshëndetja për mbarë popullin e Zotit, duke e siguruar për mirënjohjen e duke i kërkuar të vijojë të lutet për të:

“Zoti vijoftë t’u japë të gjithëve forcë për t’i realizuar  aspiratat e  ligjshme. E, ju lutem, vijoni të më kujtoni në uratë!”.

E përcollën, si e kishin pritur, banorët e Mauritius, Papën, me 100 mijë degë palmash, të tundura në erë, si premtim se nuk do të lejojnë askënd  t’ua rrëmbejë fytyrën e re të Kishës!

09 shtator 2019, 12:25