Kërko

 Mauritius në pritje të Meshës, në Port Louis Mauritius në pritje të Meshës, në Port Louis 

Mauritius: shembull bashkëjetese paqësore

Jezuiti atë Georges Cheung flet për shpresat, sfidat e problemet e Kishës në Mauritius, për marrëdhëniet me fetë e tjera, shqetësimet shoqërore lidhur me varfërinë dhe fenomenin e drogës. Për meshtarin, Mauritius mund të jetë shembull i bashkëkjetesës paqësore për mbarë botën.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa vizita e Papës në Port Louis sapo ka nisur, atë Cheung skicon një kuadër të realitetit të Kishës dhe të problemeve, që e trondisin vendin, duke vënë në dukje pasurinë e bashkëjetesës paqësore në gjirin e një shoqërie mjaft të larmishme:

“Ka dy aspekte: për Kishën katolike është gëzim i madh, sepse Kreu i Kishës vjen në vendin tonë… është pak a shumë si të na vinin për vizitë Apostujt, si ‘Pali’… Edhe për të tjerët është gëzim i madh, sepse populli i Mauritius i respekton shumë autoritetet, e aq më tepër, figurën e Papës”.

Ju, çfarë prisni nga kjo vizitë?

“Mendoj se duhet ta jetojmë si shtegtim, shtegtim shpirtëror. Duhet ta përgatisim zemrën tonë, shpirtin tonë, si kur nisemi për shtegtim drejt Tokës Shenjte. Populli pret një fjalë nga Papa. Fjalë, që të na përforcojë në fe, sepse nuk na mungojnë vështirësitë: varfëria, droga…  e herë herë edhe  na lëshon zemra, por…”.

 Po sfidat e Kishës?

“Një nga sfidat më të mëdha është ajo drogës. Ka shumë, shumë që janë shndërruar plotësisht në skllevër të saj; vijon varfëria, sepse kemi shumë pasardhës të skllevërve të djeshëm, që e kanë vështirë të gjejnë vendin e tyre në bashkësinë e Mauritius. Ky mund të bëhet problem për marrëdhëniet ndërmjet bashkësive të ndryshme”.

Mesazhi që Kisha e katolikët e Mauritius dëshirojnë t’i drejtojnë Atit të Shenjtë?

“Mendoj se popullsia  e Mauritius mund të japë edhe një mesazh shprese. Vërtet se kemi shumë probleme, por dimë edhe të jetojmë pak a shumë në paqe. E kjo nuk është aspak e lehtë; e kemi gjithnjë tundimin t’i mbyllim portat tona; megjithatë, mendoj se Mauritius është vend ku njeriu mund të jetojë i lumtur!”.

 

09 shtator 2019, 11:09