Papa mes njerëzve Papa mes njerëzve 

Imzot Razanakolona: “Pse e admirojnë malgashët Papën?”

Imzot Razanakolona shpreh për Papën jo vetëm admirimin e tij, por edhe atë të malgashëve. I jep, kështu, përgjigje pyetjes: “Pse gjithë ky admirim nga ana e njerëzve të thjeshtë? Kush është Papa për ta?

R. SH - Vatikan

Sipas imzot Razanakolona “Malgashët e admirojnë Papën për stilin e tij personal, që është stil i të varfërve”. E me këto fjalë e përshndeti edhe Françeskun, imzot Odon Marie Arène Razanakolona, kryeipeshkëv i Antananarivos, në përfundim të Meshës, në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, ku mori pjesë një mori e paparë njerëzish, ardhur nga të gjitha zonat e vendit, duke përballuar shumë vështirësi, vetëm që të mund ta shikonin Papën. E më fatlumët, t’i shtrëngonin dorën! Sepse duhet kujtuar që Papa gjatë këtij shtegtimi në viset afrikane, shtrëngoi e po shtrëngon mijëra duar, që shtrihen drejt tij për një bekim, me bindjen se ku bekon Papa, bekon Krishti, mëkëmbës i të cilit është mbi këtë Tokë:

“Papa duhet të jetë i sigurt për përkushtimin dhe besnikërinë tonë ndaj Mëkëmbësit të Krishtit e misionit tonë ungjillëzues” - vijoi  prelati që e përfundoi pëshëndetjen me fjalët:

“Ju falënderojmë, Atë i Shenjtë! Në përfundim të këtij kremtimi të bukur, edhe një herë dëshirojmë t’ju shprehim urimet tona, shoqëruar me lutjet tona, që shërbesa Juaj, pa dyshim, barrë e rëndë, të mund të jetë gjithnjë   përplot me fryte, për të mirën e Kishës universale”. 

08 shtator 2019, 16:29