Kërko

 Papa kremton Meshën në Sheshin Dioqezan të  Soamandrakizay Papa kremton Meshën në Sheshin Dioqezan të Soamandrakizay 

Papa: një nga skllavëritë më të këqia, është të jetosh vetëm për vete

Një milion vetë ishin të pranishëm, sot paradite, në Meshën me Papën Françesku në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, në rrethinat e Antananarivos. E fortë, thirrja për të mos u mbyllur në “botën tënde të vogël”, në klanin tënd a në siguritë e rreme të parasë e të pushtetit, por për t’ia hapur zemrën tjetrit e për të shijuar një jetë të re.

R. SH. - Vatikan

Pritën gjithë natën besimtarët, në këtë shesh pafund, shtruar me dhe të kuq. As fëmijët nuk patën frikë ta sfidonin erën e fortë e të ftohtit, të armatosur vetëm me rrëgoza, batanije e buzëqeshje. Pritën, kështu, padurim, për ta përqafuar Papën Françesku. Në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay të rinjve, që mbrëmë morën pjesë në mbrëmësore, iu shtuan mijëra të tjerë, aq sa sot paradite arritën në një milion vetë, shtrënguar njëri pas tjetrit, në festë!

Nga  Soamandrakizay, në Jeruzalem

I rrethuar nga kjo turmë pa fund njerëzish, Papa e nisi homelinë e Meshës të së dielës, duke kujtuar turma të tjera. Ata  të faqes ungjillore të së dielës. E me ta, kuadrin e ngjitjes së Krishtit në Jeruzalem, ndërmjet shëmbëlltyrës së gostisë, me porta të hapura për të gjithë (posaçërisht për njerëzit që jetojnë në udhë, ndër sheshe e në udhëkryqe) e tri shëmbëlltyrave, të njohura si të mëshirës, të cilat të kujtojnë  se çdo flijim i krishterë ka kuptim, vetëm i parë në dritën e në festën  e takimit me Jezu Krishtin, që na bën disa kërkesa:

“Kërkesa e parë është të shikojmë lidhjet tona familjare. Kushdo që nuk është në gjendje ta shikojë tjetrin si vëlla, të preket nga jeta e nga gjendja e tij, pavarësisht nga vendi prej nga vjen e nga prejardhja kulturore dhe shoqërore – thotë Zoti - ai nuk mund të jetë dishepulli im!”. (Lk 14,26).

Zoti na kujton se nuk duhet manipuluar Ungjilli

E kërkesa e dytë na tregon sa e vështirë është ta takosh Zotin, kur kërkon ta identifikosh Mbretërinë e Qiellit me interesat tua personale ose me joshjen nga ndonjë idelogji, që të shtyn ta marrësh nëpër gojë emrin e Zotit ose të fesë, për të përligjur aktet e dhunës, e deri vrasjet, internimet, mërgimin, terrorizmin”.

Zoti na kumton se nuk duhet ta manipulojmë Ungjillin. Zoti na tregon edhe udhën – larg çdo manipulimi: “është dialogu, si udhë; bashkëpunimi, si mënyrë sjelljeje; njohja reciproke, si metodë e si kriter”.  E na kujton  se nuk duhet të tundohemi nga ca doktrina të paafta për të parë si rriten bashkë gruri dhe egjra, në pritje të Zotërisë së të korrave:

“Kërkesa e Mësuesit është ftesë për ta rifituar kujtesën mirënjohëse e për të pranuar se, më shumë se fitore personale, jeta jonë dhe aftësitë tona janë rezultat i një dhurate, endur nga dora e Zotit e nga shumë duar të tjera të heshtura njerëzish, emrat e të cilëve do t’i njohim vetëm kur të shikojmë Mbretërinë e Qiellit”.

Përgatitje për festën e hyrjes në Mbretërinë qiellore

Me këto kërkesa, Zoti dëshiron t’i përgatisë dishepujt e tij për festën e  hyrjes në Mbretërinë e vet, duke i çliruar nga çdo pengesë shkatrrimtare, që të çon në skllavërinë më të keqe, në atë të njeriut, që jeton vetëm për vetvete!

Duke vijuar të ecë pas Krishtit, në udhë drejt Jeruzalemit - përmes shpjegimit të faqes së sotme ungjillore në një vend afrikan - Papa i ftoi të pranishmit të shikojnë për rreth vetes:

“Sa burra, gra, të rinj e fëmijë vuajnë e jetojnë pa kurrgjë mbas shpirtit! E kjo nuk bën pjesë në planin e Zotit. E sa urgjente është ftesa e Jezusit për të hequr dorë nga mbylljet tona, nga vetëdashjet tona individualiste, për ta lënë frymën e vëllazërimit - që  gurron nga kraharori i hapur i Krishtit, prej nga lindim si familje e Zotit -  të ngadhënjejë e secili ta ndjejë se duhet, sepse kuptohet, pranohet, çmohet në dinjitein e tij!”.

Zoti na fton të nisemi për udhë, larg çdo fatalizmi

Përballë dinjitetit të nëpërkëmbur keqas të njeriut, shpesh mbetesh i pataksur e bëhesh fatalisit. Thua kështu është e shkruar nga fati? Të vuajmë? Të mundohemi? Të nëpërkëmbemi? E të vdesim pa parë asnjë ditë të bardhë? Thua duhet të ndalemi e të presim fundin, pa guxuar të bëjmë më asnjë hap?

“Fjala e Zotit, të cilën sapo e dëgjuam - kujtoi Papa - na fton të rinisemi për udhë, ta bëjmë këtë hop cilësor e të shkëputemi  nga vetvetja, duke e parë këtë shkëputje si bazë për jetën e secilit prej nesh.

E kjo…

“… sepse së bashku mund t’i luftojmë të gjitha idhujtaritë, që na shtyjnë ta  përqendrojmë tërë vëmendjen tonë tek siguritë e rreme të pushtetit, të karrierës, të parasë, të kërkimit të lavdive njerëzore”.

Kërkesat, që na bën Jezusi, nuk peshojnë më si barrë e rëndë mbi shpatullat tona, kur nisim ta shijojmë gëzimin e jetës së re, që Ai vetë na e propozon:

“Na shtyftë ky realizëm i përvuajtur t’i përballojmë sfidat e mëdha e ju ngjalltë edhe ju dëshirën ta bëni vendin tuaj të bukur, vend në të cilin Ungjilli shndërrohet në jetë, e jeta shkrihet për lumninë gjithnjë më të madhe të Zotit”.

Të vendosim e t’i bëjmë tonat planet e Zotit!” - kjo porosia, me të cilën Papa e përfundoi homelinë, për të vijuar Meshën – e edhe shtegtimin tij në Afrikë!

Urimi i Papës në Engjëllin e Tënzot: paqe e shpresë  vendit mikpritës

Lutja e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, në Antananarivo - u ndoq edhe në anën tjetër të botës. Si zakonisht edhe sot, besimtarë të ardhur nga të katër anët, u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e mesditës – që lidhi dy vende, tepër larg gjeografikisht, tepër pranë shpirtërisht! Tipike, kjo lidhje për krishterimin!

Papa falenderoi nga zemra imzot Razanakolona për fjalët e për pritjen, së bashku  me ipeshkvijtë, meshtarët rregulltarët  dhe të gjithë besimtarët.

Falënderim edhe për presidentin e Republikës si dhe autoritetet civile të vendit, për pritjen  dashamire.

E për të bekuar mbarë popullin, Papa kërkoi edhe ndërmjetësimin e të Lumit Rafael Luis Rafiringa, reliket e të cilit mund të nderohen pranë altarit të së Lumes Victoire Rasoamanarivo.

Së fundi – lutja drejtuar Zojës së Bekuar, agim shëlbimi, në ditëlindjen e saj:

“Zoja e Papërlyer, që ju e doni  dhe e nderoni si Nënën dhe Pajtoren tuaj, e shoqëroftë gjithnjë Madagaskarin në rrugën  e paqes e të shpresës”.   

08 shtator 2019, 12:21