Papa takohet me punëtorët Papa takohet me punëtorët 

Lutja e Papës për punëtorët, ata, që e fitojnë me djersë bukën e përditshme

Gjatë vizitës në Kantierin Mahatazana, drejtuar nga “Qyteti i Miqësisë” i Akamasoa-s, është hapur një gurore, ku punojnë 7000 vetë. Pranë kantierit lartohet monumenti i Zemrës së Krishtit, që peshon 600 kilogram, përuruar më 1 maj të vitit 2008. Gurorja është pjesë përbërëse e një mori veprimtarish të tjera, duke nisur nga zdrukthëtaria, që prodhon banka e karrige për shkollat e kryeqytetit malgash; porta, dritare e shkallë për banesa si dhe mobilje për tregun e jashtëm. Për këta punëtorë Papa i drejtoi Zoti lutjen:

O Zot, Ati ynë, Krijues i qiellit e i dheut, të falënderojmë që na mblodhe

si vëllezër në këtë vend;

përballë këtij shkëmbi të copëtuar nga krahu njerëzor!

Ne po të lutemi për të gjithë punëtorët:

Për ata që s’u pushojnë kurrë duart

e shtypen nën barrën e  mundit të  madh fizik.

Ruaja korpin nga raskapitja e tepërt;

mos u mungoftë dhembshuria e aftësia për të përkëdhelur!

Jepu forcën e shpirtit e shëndetin e korpit,

që të mos mbeten të shtypur nën barrën e mundit të tyre!

Bëj që fryti i punës

t’u sigurojë një jetë dinjitoze, atyre  e familjeve;

e të gjejnë në gjirin e tyre, në muzg, ngrohtësi, rehati, inkurajim,

e, të bashkuar, nën vështrimin e syve të Tu,

të shijojnë gëzimet e vërteta.

Bëj që familjet ta dinë se gëzimi i fitimit të bukës së përditshme

përkryhet, kur kjo bukë thyhet bashkë;

kur fëmijët tanë nuk detyrohen të punojnë,

se mund të shkojnë në shkollë e t’i vijojnë studimet,

e kur mësuesit e tyre mund t’i kushtojnë kohë kësaj detyre

pa pasë nevojë të punojnë gjetiu, për ta përballuar jetesën e përditshme.

O Zot i drejtësisë, preke zemrën e sipërmarrësve dhe të drejtuesve,

që ta mendojnë gjithçka është e nevojshme

për t’u siguruar atyre që punojnë

pagë e kushte të përshtatshme

për dinjitetin e tyre si njerëz!

Kujdesu, me mëshirën tënde atërore,

për të papunët;

bëj  që papunësia - shkaktare e mjerimit pa fund –

të zhduket nga shoqëritë tona;

që çdo njeri të njohë gëzimin dhe dinjitetin e atij,

që bukën e përditshme e fiton me djersë të ballit,

për ta çuar në shtëpi e për t’a thyer me të dashurit.

Krijoje ndër punëtorë frymën e solidaritetit të vërtetë,

që kështu të jetojnë përkrah

duke i dhënë njëri-tjetrit guxim,

duke ndihmuar të këputurin

e duke e ringritur në këmbë të rrëzuarin.

Zemra e tyre mos u mbushtë kurrë

me urrejtje, me mllef, me  hidhërim

përball padrejtësive, por gjithnjë me shpresë

se do ta shohin, një ditë, botën më të mirë

e do të dinë, së bashku, në mënyrë konstruktive,

t’i mbrojnë të drejtat e veta

e zërat e tyre e britmat, do t’i bëjnë të dëgjohen!

O Zot, Ati ynë, ti na dhurove si Pajtor e Mbrojtës

të punëtorëve të botës mbarë, Shën Jozefin,

atin e kujtuar të Jezusit, fatin guximtar të Virgjërës Mari!

Ia besoj  atij  të gjithë ata, që punojnë këtu, në Aakamasoa,

e të gjithë punëtorët e Madagaskarit,

posaçërisht ata, që kalojnë ditë të vështira.

Ai i ruajtë në dashurinë e Birit tënd

e i mbështetët në jetën e tyre e në shpresën e tyre!

Amen.

08 shtator 2019, 16:53