Papa karmelitaneve: bëni gjeste dashurie, për ta pasur gjithnjë Zotin në kuvendin tuaj!

Një pushim këndellës, në një ditë plot me takime e fjalime, çasti i lutjes së Papës Françesku me karmelitanet e zbathura, sot paradite, në manastirin e tyre të Antananarivos, në Madagaskar. Papa nënvizoi rëndësinë e gjesteve të vogla të dashurisë, sepse janë pikërisht këto, që e shpëtojnë botën. Më pas i porositi murgeshat ta davarisin çdo hije shpirtërore, me lutje e me zemër të hapur.

R. SH. - Vatikan

Papa e la tekstin e përgatitur për këtë rast në kuvend dhe u foli lirisht motrave të klauzurës. Homelia e tij nisi me fjalën “guxim”, e vijoi  duke kujtuar se për të ndjekur Zotin, duhet gjithnjë guxim, pa harruar “se punën më të rëndë e bën Ai vetë. Ne duhet të kemi guximin ta lëmë ta përkryejë veprën”.

Më pas Papa tregoi një ngjarje nga jeta e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, që ndihmonte, gjithnjë me buzë në gaz, një murgeshë plakë, edhe pse ajo e kundërshtonte. Donte ta bindte, kështu, se dashuria e krishterë nuk shprehet vetëm përmes veprave të mëdha, por edhe përmes gjesteve të vogla.

Karmelitanet e Antananarivos: “Lutja e Papës arrin në skajet e  botës”

“Hir i jashtëzakonshëm, prania e Papës mes nesh, dhuratë tejet e madhe e Zotit, që na bëri ta shijojmë bashkimin e Kishës”. Kështu  u shpreh motër Maria Madalena, që prej vitit 1992 në këtë bashkësi, ardhur nga Karmeli i Veronës. Duke pritur arritjen e Papës, foli për frymën e uratës, që ndjehet fort në takimet e para të Papës, në trojet malgashe. “Përmes lutjes, Papa mund të arrijë të gjitha viset njëherësh! Ky është misteri  i jetës sonë brenda katër mureve, që njihet si jetë e mbyllur, jetë klauzure! Përmes lutjes mund të arrijmë në mbarë botën. E prej këndej, buron një gëzim  i madh sa vetë bota!”.

“Ardhja e Papës mes nesh është bekim i vërtetë - shton motra Paola Maria e Eukaristisë, që shpjegon sesi mund të  ndikojë prania e Papës në këtë vend, mbi përmasën e fesë katolike. “Populli malgash mendoj se ka nevojë të inkurajohet për të vijuar udhën e përditshme, duke kujtuar se nuk është i vetëm! Papa është lajmëtar i atësisë së Zotit e i mëshirës së Tij”.

Ishte edhe një nënë, e cila kishte humbur tre fëmijë, për shkak të epidemisë së fruthit, që kohëve të fundit shkaktoi vdekjen e 1200 vetëve. “Do ta pranojmë në korin tonë, në klauzurë” - thonë motrat e kuvendit, që i kushtohet Shën Jozefit e që, në dhomat e miqve, mund të pranojnë edhe mysafirë. “Për ne është përvojë e posaçme e shumë e bukur, sepse mund t’ia hapim portat e manastirit tonë vetë vuajtjes. Na lë të kuptojmë se mbyllja jonë nuk është mbyllje, por hapje e plotë, për t’iu përgjigjur nevojave të të gjithëve”.

07 shtator 2019, 17:00