Kërko

Vatican News
 Papa në Madagaskar Papa në Madagaskar  (Vatican Media)

Papa, në Madagaskar, pritet nga presidenti, rrethohet nga populli

Sapo arriti në Madagaskar, Papa u prit me një ceremoni gazmore. Ishte urimi i parë i mirëseardhjes. Nesër është në program takimi i Papës me të rinjtë dhe lutja në Manastirin e Karmelitëve të Discalced. Të dielën më 8 shtator Mesha dhe lutja me punëtorët e Mahatazana.

R. SH. - Vatikan

Sapo shkeli në trojet e vendit afrikan, Papa u prit me një ceremoni mirëseardhjeje në aeroportin e Antananarivos. Për ta pritur kishte dalë presidenti i Republikës, Andry Rajoelina, me të cilin nesër do të ketë takime protokollare.

Papa përshkoi rrugët e mbushura përplot me popull, në pritje për ta parë, për ta duartrokitur, për ta çikur. Atmosferë, që të kujton  Jeruzalemin! Për të arritur kështu, i shoqëruar nga turma, në Nunciaturën  apostolike, seli e tij në tokën malgashe.

Arritja në Nunciaturë

Pa arritur mirë në Nunciaturën Apostolike të vendit, Papa u takua me 50 të rinj, që kënduan dy himne vendase për nder të tij. Në përfundim të këngëve, Françesku përshëndeti njerëzit, që po e prisnin, para se të hynte në Nunciaturë, ku do të darkojë e do të kalojë natën.

Programi, në vijim

Të shtunën, 7 shtator, gjithnjë në kryeqytetin malgash, parashikohet vizita e mirësjelljes presidentit, në Pallatin presidencial “Iavoloha”, takimi me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin diplomatik në Ceremony Building; Uratët e Mesditës, në manastirin e karmelitaneve të zbathura e, pas drekës, në Nunciaturë, takimi me ipeshkvijtë e Madagaskarit, në Katedralen e Andohalo, vizita tek Varri i së Lumes Victoire Rasoamanarivo si dhe mbrëmësorja me të rinjtë, në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay.

E dielë, 8 shtator, akoma në Antananarivo, sipas programit, Mesha,  gjithnjë në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot e, pas drekës me grupin shoqërues në Nunciaturën Apostolike, vizita në Qytetin e Miqësisë të Akamasoa, lutja për punëtorët në kantierin e Mahatzana, takimi me priftërinjtë, rregulltarët, të kushtuarit e seminaristët, në Kolegjin  e Saint Michel.

Arrijmë, kështu, në ditën e fundit, 9 shtator kur, në orën 07.30, Papa do të niset për në Port Louis, kryqytet i Mauritius. Në orën 10.40 do të fillojë  ceremonia e mirëseardhjes, në aeroport; më pas, Mesha në Monumentin e Marisë, Mbretëreshë e paqes, dreka me ipeshkvijtë e Cedoi(Konferenca Episkopale e Oqeanit Indian) në Episkopat, vizita private në Shenjtëroren e Pere Laval. Pastaj, vizita e mirësjelljes presidentit dhe takimi me kryeministrin, në Pallatin presidencial, pasuar nga takimi me autoritetet, shoqërinë civile, diplomatët.

Pas ceremonisë së lamtumirës, në aeroport, Françesku do të niset përsëri për në Antananarivo, ku do të arrijë rreth orës 20.00.

Dita e martë, 10 shtator, do t’i kushtohet vetëm fluturimit të kthimit drejt Italisë, duke nisur nga ceremonia e lamtumirës, në aeroportin e kryeqytetit malgash, me nisjen rreth orës 09.20 e arritjen në Romë-Ciampino, parashikuar për orën 19.00.    

06 shtator 2019, 16:06