Papa në Qytetin e Miqësisë: varfëria nuk është fatalitet
R. SH. - Vatikan
Në Madagaskar, Papa vizitoi Akamasoan, “Qytetin e Miqësisë”, një vepër humanitare, themeluar nga misionari argjentinas, atë Pedro Opeka, pranë vendit të grumbullimit të plehrave të Antananarivos, shembull i solidaritetit dhe i bamirësisë ungjillore për të fundmit. Projekti lindi 30 vjet më parë, përmes angazhimit të misionarit argjentinas, për t’u siguruar një strehë të varfërve E streha u bë qytet e u pagëzua me emrin tingëllues “Qytet i Miqësisë”. Prej këndej Papa kujtoi se “Britmat e të varfërve u shndërruan në këngë shprese, për banorët e këtij qyteti e për të gjithë ata, që i shikojnë”.
Gëzim i papërmbajtshëm
Shpërtheu një gëzim i papërmbajtshëm, kur Papa arriti në Akamasoa - “Qytet i Miqësisë”, ku u prit nga qindra familje dhe nga djem e vajza të të gjitha moshave, që u mblodhën në kapanonin e madh për ta dëgjuar fjalën e Françeskut. Përshëndetja e vinçencianit, themelues i “Qytetit”, Atë Pedro Opeka, pasuar nga dëshmia e trembëdhjetëvjeçares Fanny, e hapën këtë takim, që ngjalli shpresa të mëdha.
Mos u përkulni kurrë përballë varfërisë!
“Mos u përkulni kurrë përballë pasojave ogurzeza të varfërisë, mos t’ju tundojë jeta e lehtë e as mbyllja në vetvete”. Ky, mesazhi i veçantë, drejtuar të rinjve të Akamosoa nga Papa, që i falënderoi për dëshminë e bukur, të dhënë në fshatin e tyre. “Ju takon ju që këtë punë, të realizuar nga pleqtë tuaj, ta çoni përpara”- ishte porosia e Françeskut. Forcën për ta bërë këtë do ta gjeni në fenë tuaj e në dëshminë e gjallë, që i dha trajtë jetës suaj. Lërini t’ju lulëzojnë në shpirt, dhuratat që ju bëri Zoti. Lutjuni t’ju ndihmojë të viheni bujarisht në shërbim të vëllezërve e motrave”.
Kjo rrugë, shembull për sot e pikënisje për nesër
Papa u shprehu të rinjve bindjen se, duke ecur në këtë rrugë…:
“Akamasoa nuk do të jetë vetëm shembull për breznitë e ardhshme por edhe, e sidomos, pikënisje për një vepër të frymëzuar nga Zoti, e cila do të zhvillohet me atë masë, që ju do të vijoni të dëshmoni dashurinë tuaj për breznitë e sotme e të ardhshme”.
Lutja e Papës
Më pas, Lutja e Papës për gjithë vendin e edhe përtej tij:
“Të lutemi që në të gjithë Madagaskarin e edhe në vise të tjera të botës të përhapet shkëlqimi i kësaj drite e të mund të krijojmë modele zhvillimi që vënë në plan të parë luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit shoqëror, duke nisur nga mirëbesimi, edukimi për punë e angazhimi, gjithnjë të domosdoshme për dinjitetin e njeriut”.