Papa Françesku takohet me 350 anëtarët e Federatës Italiane të Urdhërave të Mjekëve Kirurgë e të Dentistëve Papa Françesku takohet me 350 anëtarët e Federatës Italiane të Urdhërave të Mjekëve Kirurgë e të Dentistëve 

Papa, kirurgëve: eutanazia është rrugë pa krye, jo liri

Papa Françesku takohet me 350 anëtarët e Federatës Italiane të Urdhërave të Mjekëve Kirurgë e të Dentistëve, të cilëve u thekson se eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar nuk janë “vendime, që lidhen me lirinë e të sëmurit”, por synojnë “ta heqin qafe” atë, që vuan. “Dhembshuri e rremë” për atë, që kërkon të vendosë vetë për vdekjen.

R.SH. - Vatikan

Papa ngriti sot sërish zërin kundër çdo lloj mundësie për pranimin e eutanazisë apo të vetëvrasjes së asistuar, siç pati bërë edhe jo më shumë se tri javë më parë. Në audiencën e sotme me Federatën Italiane të Urdhërave të Mjekëve Kirurgë dhe të Dentistëve, Ati i Shenjtë nënvizoi:

         “…mund dhe duhet të hidhet poshtë tundimi - i nxitur edhe nga ndryshimet legjislative – për ta përdorur mjekësinë në shërbim të dëshirës së mundshme të pacientit për të vdekur, duke i dhënë ndihmë për vetëvrasjen, ose duke i shkaktuar vdekjen drejtpërdrejt, përmes eutanazisë. Këto janë rrugë të nxituara para vendimeve, që nuk janë, siç mund të duken, shprehje të lirisë së njeriut, sepse përfshijnë si mundësi edhe ta heqin qafe të sëmurin, ose shprehin një dhembshuri të rreme para kërkesës për t’u ndihmuar në shpejtimin e vdekjes”.

Njeriu nuk mund të bëjë ç’të dojë me jetën

         Ati i Shenjtë kujtoi se jetën e çdo njeriu e ka në dorë Zoti e kjo, në një farë mënyre, pohohet edhe në Kartën e Re të Veprimtarëve të Shëndetësisë, e cila thekson: “Nuk ekziston e drejta për t’u sjellë në mënyrë arbitrare me jetën, prandaj, asnjë mjek nuk mund të bëhet kujdestar ekzekutiv i një të drejte, që nuk ekziston” (n.169). Mjekët, nënvizoi Papa Françesku, nuk duhet ta humbin nga sytë njeriun e sëmurë, me problemet e brishtësitë e tij të veçanta, por edhe me dinjitetin e tij të patjetërsueshëm. Sëmundja nuk është vetëm çështje mjekësore. Është fjala për një njeri të sëmurë, me karakteristikat e tij personale, që duhen marrë parasysh edhe në përcaktimin e terapive:

         “Mjekët duhet të zotërojnë, së bashku me aftësitë e duhura tekniko-profesionale, një kod vlerash e virtytesh, me të cilat t’i japin kuptim sëmundjes dhe punës së tyre, duke e kthyer çdo rast të veçantë klinik në një takim njerëzor”.

Papa Vojtila: mjeku duhet ta ruajë shenjtërinë e jetës

         Në përfundim, Papa Françesku citoi një fragment nga enciklika “Evangelium vitae”, ku “Shën Gjon Pali II vëren se përgjegjësia e punonjësve shëndetësorë është rritur tej mase sot dhe e gjen frymëzimin e mbështetjen e saj më të fuqishme pikërisht në përmasën e brendshme dhe të pashmangshme etike të profesionit mjekësor, ashtu siç e pranon edhe betimi i lashtë e gjithmonë aktual i Hipokratit, sipas të cilit çdo mjeku i kërkohet të angazhohet për ta respektuar jetën e njeriut dhe shenjtërinë e tij”.

20 shtator 2019, 15:13