Cerca

Vatican News
2019.09.12 Corso di formazione promosso dalla Congregazione per i Vescovi e per le Chiese Orientali 2019.09.12 Corso di formazione promosso dalla Congregazione per i Vescovi e per le Chiese Orientali  (Vatican Media)

Papa: ipeshkvijve të ri, të ‘matur’ e të përzemërt, shkoni në mesin e njerëzve

Papa ipeshkvijve: Afër Zotit dhe vëllezërve. Ky është misioni ipeshkvijve, të jenë "kanale gjithmonë të hapura" ndërmjet Jezuit e njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Afër Zotit dhe vëllezërve. Brenda kësaj dinamike ‘luhet’ –  ‘ përshkohet’ misioni i ipeshkvijve, të cilët janë të thirrur të jenë "kanale gjithmonë të hapura" ndërmjet Jezuit e njerëzve, me një gatishmëri vërtetë reale për t'i përvjel mëngët e për t’i përlyer duart për dhe me jetën e vëllezërve. Kështu u tha Papa Françesku 105 ipeshkvijve të rinj të shuguruar gjatë këtij viti, të cilët i priti sot paradite në audiencë në Vatikan. Prelatët morën pjesë në simpoziumin e organizuar enkas për ta nga Kongregata e Selisë së Shenjtë për Ipeshkvijtë dhe për Kishat Lindore, që u mbajt në Romë këtyre ditëve dhe mbaroi dje. Një simpozium që iu kushtua identitetit dhe misionit të ipeshkvit, e që sivjet u përqendrua në mënyrë të veçantë mbi sinodalitetin, kujtoi në fillim të audiencës, në përshëndetjen e tij Kardinali Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë., duke shpjeguar se si "sinodalitetit, ka dy drejtime: nga poshtë lart, pra, kujdesi për funksionimin e mirë të dioqezave,  të famullive, të pjesëmarrjes së laikëve, duke u nisur nga baza e, nga lart poshtë".

Papa Françesku i porositi ipeshkvijtë e ri të jenë të "ndershëm" dhe të mos tërhiqen përballë problemeve që kanë njerëzit: "Të jesh afër njerëzve, do të thotë të njëjtësohesh me popullin e Zotit, duke i ndarë dhimbjet e tij, duke mos i përçmuar shpresat e tij. Të jesh afër popullit do të thotë të kesh besim se hiri që Zoti dikon me besnikëri e begati mbi ne, kanale të të cilin jemi edhe përmes kryqeve që mbartim, është më shumë i madh se sa balta, nga e cila kemi frikë. Ju lutem, mos u largoni prej njerëzve, mos të mbizotërojë në ju frika nga rreziqet e misionit, duke u tërhequr e mbajtur distancë. Kishat tuaja janë shprehje e identitetit tuaj, sepse Zoti i ka bashkuar dy fatet, duke shqiptuar emrin tuaj së bashku me emrin e  saj”.

"Termometri i afërsisë – pohoi Papa Bergoglio - është vëmendja që tregoni ndaj të varfërve, ndaj të mënjanuarve, afërsia vetvetiu është një kumtim i dashurisë dhe Mbretërisë së Zotit. Do të jetë tejet e çmueshme, gjithashtu edhe maturia juaj, në një kohë kur në shumë vise të botës gjithçka reduktohet në një mjet a synim, për t’i kënaqur nevojat dytësore, që gëlltisin dhe sklerotizojnë zemrën".

Të jetosh një jetë të thjeshtë, - theksoi Papa -  do të thotë të dëshmosh se Jezusi na mjafton, se thesari nga i cili duam të rrethohemi, përbëhet më shumë nga njerëzit që, në varfërinë e tyre, na kujtojnë e na prezantojnë gjithmonë para Tij: jo të varfër abstrakt, të dhëna dhe kategori sociale, por njerëz konkretë, dinjiteti i të cilëve na është besuar nga etërit e tyre. Duhet të jemi Etër të njerëzve konkret; kjo është atësia, që do thotë aftësi për të parë, saktësisht e konkretisht njerëzit në skamje, aftësi për t’i përkëdhelur, aftësi për të vajtuar me atë që qajnë”, duke dëshmuar me të gjithë e për të gjithë, dashurinë e Zotit. Papa nënvozi edhe një herë se  “detyra parësore dhe e pazëvendësueshme” e ipeshkvijve, është të qenurit “dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur”, sepse kjo është “pasuria e vetme që Kisha trashëgon e transmeton pavarësisht prej duarve tona të brishta”.

12 shtator 2019, 16:26