Kërko

Papa Françesku në audiencë me delegacionin e TGR - RAI Papa Françesku në audiencë me delegacionin e TGR - RAI 

Papa, gazetarëve të RAI-t: paraqisni realitetin e mirëfilltë

Me rastin e 40-vjetorit të TGR-së (emisioni i lajmeve rajonale të RAI-t), Papa Françesku u takua sot me një delegacion të RAI-t dhe kujtoi “impenjimin e madh” të gazetarëve dhe teknikëve, si edhe ofertën televizive “që nuk harron gjuhët dhe kulturat e pakicave”.

R.SH. - Vatikan

Edhe në botën e informacionit është e rëndësishme të pasqyrohet realiteti i periferive, duke i dhënë “zë varfërisë, sfidave, nganjëherë edhe emergjencave në territore”, por edhe “vendeve dhe dëshmive të tyre të fesë”. Papa Françesku i sugjeroi këtë mision të veçantë dhe të çmuar, delegacionit të emisionit të lajmeve rajonale të RAI-t (Radio Televizioni Italian), TGR. Kujtoi se pasqyrimi i realitetit të përditshëm lokal “me njerëzit, ngjarjet, projektet, problemet dhe shpresat” e tij, do të thotë edhe të përshkosh udhë e të takosh familje.

Detyrat e informacionit lokal

         Papa iu drejtua gazetarëve të RAI-it, por nënvizoi aspekte të vlefshme për të gjithë gazetarët, që merren me informacionin lokal, i cili, sipas Atit të Shenjtë, nuk ka më pak vlera se ai kombëtar. Përkundrazi, shtoi Françesku, “është më i mirëfillti dhe më i vërteti i botës së komunikimit, pasi nuk iu përgjigjet nevojave të fitimit, ose mesazheve për t’u komunikuar, por është i thirrur të transmetojë vetëm zërin e njerëzve, në të gjitha aspektet e tij e në çastet e ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe shpirtërore”. Gjithashtu, ka detyrën e rëndësishme “të vlerësojë realitetet dhe kulturat lokale, pa të cilat nuk do të ekzistonte bashkimi i kombit”.

Kontributi i RAI-t

         Papa falenderoi gazetarët e pranishëm për impenjimin e tyre të përditshëm, që synon të hedhë dritë mbi kulturat vendase e të pasqyrojë “ato lajme, të cilat, shpesh, për shkak të nevojave editoriale, nuk mund të transmetohen në emisionet kryesore”. E kujtoi edhe kontributin e madh të RAI-t:

         “Në historinë e tij të gjatë, Radio Televizioni Italian - RAI ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ta ndihmuar popullin italian të ndihet i tillë, me gjuhën dhe kulturën e tij. Pikërisht sot, më shumë se kurrë, ndihet nevoja e lajmeve të komunikuara katërcipërisht, me një gjuhë të qetë, që favorizon reflektimin; fjalë të peshuara mirë dhe të qarta, pa tone agresive dhe përçmuese. Fjalë, bazuar mbi të vërtetën, mirësinë dhe bukurinë. Prandaj, ju inkurajoj që të vazhdoni t’i tregoni dhe t’i bëni të njohura ato realitete të mirëfillta, që gjenden ende në shumë anë të Italisë: realitete, që nuk dorëzohen para indiferencës, që nuk heshtin përballë padrejtësive, që nuk ndjekin modën. Ka një det me mirësi, që nuk duket e meriton të njihet”.

Kufizimet dhe mundësitë e globalizimit

Duke iu referuar detyrave të informacionit, Françesku u ndal në fenomenin e globalizmit. Në vetvete, nënvizoi Papa, globalizimi nuk është “i keq”, sepse mund të na ndihmojë t’i përkasim njëri-tjetrit. Por ka disa probleme në mënyrën e zbatimit të tij:

“Në fakt, nëse globalizimi pretendon t’i uniformojë të gjithë, dëmton pasurinë dhe veçantinë e çdo populli, priret të standardizojë gjithçka dhe të gjithë, në vend që të vlerësojë larmitë, veçoritë, kulturat, historitë, traditat. Nëse, nga ana tjetër, globalizimi përpiqet t’i bashkojë të gjithë, duke respektuar njerëzit, grupet shoqërore, pasuritë dhe veçoritë e popujve, atëherë ai globalizim është i mirë, sepse na bën të zhvillohemi së bashku”.

Globalizimi duhet të jetë “poliedrik”

         Për ta paraqitur thjesht idenë mbi dinamikën e mundshme të globalizmit, Papa Françesku përdori gjeometrinë, duke kujtuar sferën dhe poliedrin apo shumëfaqëshin. Tek sfera, sqaroi Ati i Shenjtë, gjithçka është “e njëjtë, e njëtrajtshme”: “çdo pikë është e baraslarguar nga qendra, nuk ka dallime”. Tek shumëfaqëshi, “ka koherencë, por ka edhe ndryshime”, ka “shumëllojshmëri pozicionesh”. Pra, duke ndjekur këtë paraqitje të Papës, globalizimi duhet të jetë “poliedrik – shumëfaqësh”, që e vlerëson larminë e njerëzve dhe të gjendjeve.

16 shtator 2019, 17:01