Kërko

Papa në Albano Papa në Albano 

Papa në Albano: lejoni t’ju prekë dhembshuria e Zotit. Kisha të jetë shtëpi mes shtëpive

“T’i lutemi Zotit për hirin që të takohemi me këdo si me një vëlla e të mos e shikojmë si armik. E nëse na ka bërë keq t’ia kthejmë me të mirë…Katedralja juaj – iu drejtua Papa banorëve të Albanos, në homelinë e meshës së kremtuar gjatë vizitës së tij të sotme në qytezën laciale – qoftë vendi ku secili ta ndiejë se Zoti e kujton, i paraprin me mëshirë dhe e mirëpret si në shtëpi”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shkoi sot pasdite, për vizitë baritore në Albano, qytezë e dioqezë laciale, pranë Romës, ku ipeshkëv është imzot Marcello Semeraro, sekretar i Këshillit të Kardinajve, që e ndihmon Atin e Shenjtë në mbarështimin e Kishës universale. Pikërisht imzot Semeraro e priti Papën rreth orës 17.15, para katedrales së Albanos, së bashku me kryetarin e bashkisë Nicola Marini, me klerin e besimtarët e shumtë, që kishin ardhur edhe nga zonat përreth.

Në katedrale, një çast lutjeje i Atit të Shenjtë së bashku me klerin, edhe për të kujtuar përvjetorin e thirrjes meshtarake të Bergoglio-s, i cili ndjeu se Zoti po i kërkonte t’i kushtohej krejtësisht Atij, pikërisht në ditën e shën Mateut, festa liturgjike e të cilit u kremtua sot nga Kisha Katolike. Më pas, mesha, të cilën Ati i Shenjtë e kryesoi në Piazza Pia, mbushur plot me besimtarë.

Episodi i Zakeut: Zoti u kujtua

Në homeli, Papa Françesku komentoi Ungjillin e ditës e pikërisht episodin kur Krishti thërret Zakeun, tagrambledhësin e përbuzur nga gjithë të tjerët, për shkak të pasurisë së mbledhur me mashtrime, dhe i thotë se do të shkojë në shtëpinë e tij. Emri i Zakeut do të thotë “Zoti u kujtua” e, me të vërtetë, nënvizoi Papa, Zoti u kujtua për këtë mëkatar të madh, ashtu siç kujtohet për secilin prej nesh.

"Zoti, së pari, na kujton dhe na mban mend. Nuk na harron, nuk na humb pavarësisht nga pengesat, që mund të na mbajnë larg Tij”.  Papa Françesku u shpreh kёshtu, mes tjerash. "Kufizimet, mëkatet, turpi, thashethemet dhe paragjykimet: asnjë pengesë s'e bën Jezusin të harrojë kryesoren, thelbin, ta dojë e ta shpëtojë njeriun" theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio.

Po çfarë thotë ky Ungjill, në përvjetorin e katedrales së Albanos, altari i së cilës u përurua para disa viteve nga Papa Benedikti XVI, pikërisht më 21 shtator, duke e kthyer këtë datë në fillimin zyrtar të vitit baritor për dioqezën? Thotë, nënvizoi Papa Françesku, “se çdo Kishë, se Kisha me “K” të madhe jeton për të mbajtur gjallë në zemrën e njerëzve kujtimin e Zotit, që i do. Ekziston për t’i thënë secilit, edhe më të largëtit: ‘Jezusi të do e të thërret me emër; Zoti nuk të harron, të ka për zemër””. Ati i Shenjtë u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të pranishëm të mos kenë frikë të shkojnë tek të harruarit e qytetit, tek ata që kanë turp e frikë, sepse e ndiejnë veten mëkatarë, për t’u dëshmuar se Zoti i kujton.

Zoti na sheh i pari

E i kujton i pari, vuri në dukje Papa Françesku, duke vërejtur se ishte Jezusi ai, që e pa i pari Zakeun, në kërkim të Zotit. Ai i foli i pari e i kërkoi të shkojë në shtëpinë e Tij. Nëse si Zakeu, u tha Ati i Shenjtë besimtarëve, edhe ndonjëri prej jush po kërkon kuptimin e jetës, pa e gjetur e zhytet në “surrogatet e dashurisë” si pasuria, karriera, kënaqësitë, varësitë, ta lejojë Jezusin ta shohë në sy i pari. Do ta ndiejë veten të prekur nga dhembshuria e pamposhtur e Zotit. E nga ai vështrim nis gjithçka, përndryshe ka rrezik të krijojmë një lloj feje të kësaj bote, duke e ndërlikuar me argumente kulturore, botëkuptime efiçentiste, opcione politike, vendime partiake e duke harruar thelbin, thjeshtësinë e fesë, atë që vjen para së gjithash: takimin me mëshirën e Zotit. Për të qenë zemërhapur për atë “vështrim të parë” të Zotit, nënvizoi Papa, nuk duhet të jemi të krishterë të ndërlikuar, që hartojnë mijëra teori dhe humbin duke kërkuar përgjigje në rrjet, por duhet të jemi si fëmijët. Ashtu si ata kanë nevojë për prindërit e për miqtë, edhe ne duhet ta ndiejmë nevojën e Zotit e të të afërmit.

Zoti të bën të ndihesh si në shtëpi

Papa nënvizoi më pas, gjestin e fundit të Jezusit, në episodin e djeshëm ungjillor. Duke i thënë Zakeut se do të ndalej në shtëpinë e tij, e bën atë të ndihet i dashur në shtëpinë e vet, në qytetin e vet e, kështu, premton t’u japë të varfërve gjysmën e pasurisë e t’u kthejë atyre, që u ka marrë pa të drejtë, katër herë më shumë. “Sa bukur do të ishte – përfundoi Papa – nëse fqinjët dhe të njohurit të ndiheshin në Kishë si në shtëpinë e tyre. Fatkeqësisht, ndodh që bashkësitë tona të bëhen të huaja për shumë vetë e pak tërheqëse”. Tundohemi të krijojmë rrethe të mbyllura, por Zoti dëshiron që Kisha e tij të jetë “shtëpi në mesin e shtëpive”, një tendë mikpritëse për çdo njeri. “T’i lutemi për hirin që të takohemi me këdo si me një vëlla e të mos e shikojmë si armik. E nëse na ka bërë keq t’ia kthejmë me të mirë…Katedralja juaj – iu drejtua Papa banorëve të Albanos – qoftë vendi ku secili ta ndiejë se Zoti e kujton, i paraprin me mëshirë dhe e mirëpret si në shtëpi”.

21 shtator 2019, 20:17