Kërko

Papa mbledh studentët më 14 maj 2020: nevojitet një pakt edukativ për ambientin

Ati i Shenjtë fton në Vatikan institucionet edukative dhe studentët më 14 maj 2020 për një “pakt edukativ” në favor të ambientit.

R.SH. - Vatikan

Një ngjarje për të nënshkruar një “pakt edukativ” për ambientin dhe klimën: Papa Françesku fton në Vatikan, në Sallën Pali VI, institucionet arsimore dhe studentët, në një takim të madh, që do të mbahet më 14 maj 2020.

Çdo ndryshim ka nevojë për një rrugëtim edukativ

“Në Enciklikën ‘Laudato si’” i ftoj të gjithë të bashkëpunojnë për mbrojtjen e Shtëpisë sonë të përbashkët, duke i përballuar së bashku sfidat që na takojnë. Disa vite më vonë - thotë Papa në Videomesazhin për Paktin Edukativ - përsëris ftesën për të dialoguar mbi mënyrën me të cilën po e ndërtojmë të ardhmen e planetit dhe mbi nevojën për të investuar mbi talentet e të gjithëve, sepse çdo ndryshim ka nevojë për një rrugëtim edukativ që të arrihet në një solidaritet të ri universal e në një shoqëri më mikpritëse. Për këtë qëllim – sqaron Papa Françesku – dëshiroj të promovoj një takim botëror më 14 maj 2020, që do të ketë si temë ‘Përtëritjen e paktit edukativ global’: takim për të gjallëruar impenjimin për dhe me brezat e rinj, duke përtërirë pasionin për një edukim më të hapur dhe më gjithëpërfshirës, ​​i aftë për dëgjim plot durim, për dialog konstruktiv dhe për mirëkuptim të ndërsjellë”.

Thirrja e Papës për të rinjtë

“Tani më shumë se kurrë - vijon Papa në Videomesazhin për Paktin Edukativ - kemi nevojë t’i bashkojmë përpjekjet në një aleancë të gjerë edukative për të formuar njerëz të pjekur, të aftë t’i kapërcejnë ndarjet dhe kundërvëniet, për të endur sërish indin e marrëdhënieve që njerëzimi të jetë më vëllazëror”.

“Ju bëj thirrje edhe juve të rinjve - nënvizon Papa Françesku në Videomesazh - të merrni pjesë në takim dhe ta ndieni gjithë përgjegjësinë e ndërtimit të një bote më të mirë. Takimi është për datën 14 maj 2020 në Romë, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Përgatitja e ngjarjes do të shoqërohet nga një sërë seminaresh tematike, në institucione të ndryshme”.

12 shtator 2019, 14:45