OR20181217111538_00393.jpg

Një dëshirë, që realizohet

Papa Françesku, Japonia dhe Kisha në mision

R.SH. - Vatikan

“Me kohë, më lindi dëshira të shkoj misionar në Japoni, ku qëkur, jezuitët realizojnë vepra shumë të rëndësishme”. Kardinali Jorge Mario Bergoglio ia beson këtë ëndërr librit-intervistë “El Jesuita”. Është viti 2010. Kryeipeshkvi i Buenos Ajresit po i afrohej të 75-tave, moshë në të cilën do t’i duhej të paraqiste dorëheqjen nga detyra e tij baritore. Prandaj, me gazetarët argjentinas Sergio Rubin dhe Francesca Ambrogetti, pranon të përvijojë një bilanc të parë të jetës së tij. E, duke kujtuar rininë dhe gjithçka e frymëzoi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, menjëherë vë në dukje se në vendimin e tij pati rëndësi të madhe përmasa misionare, pjesë përbërëse e ADN-së së jezuitëve. Një dëshirë, që Jorge Mario Bergoglio do ta realizojë tani, si papë, në udhëtimin e tij të ardhshëm apostolik, njoftuar sot, gjatë të cilit do të jetë shtegtar, por edhe misionar në “vendin ku lind dielli”, pasi e pati vizituar edhe në vitin 1987, natyrisht, jo si papë.

Për më tepër, për jezuitët, Japonia ka qenë gjithnjë joshëse, që nga viti 1549, kur Françesk Saveri vuri këmbën në këtë tokë. Gjatë pesë shekujve pas misionit të parë, Shoqëria e Jezusit nuk ka reshtur kurrë së shikuari në mënyrë të privilegjuar njerëzit dhe kulturën japoneze. Kujdes ky, që u forcua më tej në dekadat e fundit, pasi dy nga eprorët e përgjithshëm të jezuitëve, Pedro Arrupe dhe Adolfo Nicolás, jetuan për shumë vite në Japoni. Pa harruar rolin e madh, që luajti pikërisht një jezuit, Giuseppe Pittau, në dialogun kulturor ndërmjet Japonisë dhe Perëndimit. Një përpjekje inkulturimi plot durim, kjo e jezuitëve, që “nuk bazohet mbi suksesin e rezultatet e menjëhershme, sepse Zoti ecën me tre milje në orë, sipas ritmit të njeriut”, siç theksonte atë Nicolás, në një artikull të vitit 2014 për revistën “La Civiltà Cattolica”, me titull “Të jetosh misionin në Japoni”.

Por, çfarë i bëri përshtypje nga ky vend i largët të riut jezuit argjentinas, që u bë Papë, përveç fakteve, që i “përkasin” çdo jezuiti? Ai vetë e jep përgjigjen kur, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në fillim të papnisë - më 17 prill 2013 - flet me admirim për dëshminë e Kishës japoneze, e cila mbeti gjallë pavarësisht nga persekutimet e shekujve XVI dhe XVII. Ajo, që i bën më tepër përshtypje Papës, është sidomos forca e besimtarëve laikë, të të pagëzuarve në Krishtin, të cilët, me qëndresën e tyre, bënë që Kisha ta kalonte stuhinë. Kur misionarët u kthyen në Japoni, kujton Papa gjatë meshës, i gjetën “të gjitha bashkësitë në vendin e tyre, të gjithë të pagëzuar, të gjithë të katekizuar, të gjithë të martuar në kishë”.

 Një reflektim që, dy vjet më vonë, e zgjeron dhe e thellon më tej, duke pritur Konferencën Ipeshkvnore të  Japonisë, në vizitë “ad limina”. Papa flet për trashëgiminë e Kishës në Japoni, e cila mbahet mbi dy shtylla: misionarët që, pas Françesk Saverit, “dhanë jetën në shërbim të Ungjillit dhe të popullit japonez”, si edhe “të krishterët e fshehur”. Kur të gjithë misionarët laikë dhe meshtarët u dëbuan nga vendi, vëren Françesku, “feja e bashkësisë së krishterë nuk u shua. Përkundrazi, thëngjijtë e fesë, që ndezi Shpirti i Shenjtë, përmes predikimit të atyre ungjillëzuesve” mbetën “të sigurt në duart e besimtarëve këmbëngulës laikë”. Prandaj, me historinë e saj të trazuar, por edhe plot bekime, Kisha në Japoni na kujton që të krishterët, për natyrën e tyre, janë misionarë. “Dishepuj e misionarë të Jezu Krishtit”, për ta thënë me titullin e Dokumentit të Aparesidës, për të cilin kardinali i atëhershëm Bergoglio punoi me aq shumë përkushtim dhe pasion. Që nga fillimi i papnisë, Françesku predikon dhe dëshmon pikërisht këtë Kishë misionare, e cila ungjillëzon duke të tërhequr pas vetes. Kjo Kishë, në “Japoninë e tij”, gjen terrenin pjellor për farën e vogël të Lajmit të Mirë të Ungjillit.

13 shtator 2019, 12:52