Cerca

Vatican News
2019.09.13 I due loghi del viaggio apostolico del Papa in Thailandia e Giappone 2019.09.13 I due loghi del viaggio apostolico del Papa in Thailandia e Giappone 

Papa Françesku në Tajlandë dhe Japoni në nëntor

Nga data 19 deri në 26 nëntor, Papa, gjatë një udhëtimi të ri apostolik, do të shkojë në dy vendet aziatike, me ftesën e autoriteteve lokale dhe të ipeshkvijve. Kështu njofton drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Ati i Shenjtë Bergoglio është Papa i dytë që të vizitojë Tajlandën dhe Japoninë, pas Gjon Palit II.

R.SH. - Vatikan

Tajlanda dhe Japonia e presin Papa Françeskun për vizitë, e cila do të realizohet së shpejti: Ati i Shenjtë, në vërtet, do të niset drejt dy vendeve aziatike më 19 nëntor të ardhshëm. Në Mbretërinë e Tajlandës, Papa do të ndalet nga data 20 deri më 23 nëntor, pastaj do të kalojë në Japoni për të vizituar Tokion, Nagasakin dhe Hiroshimën nga data 23 deri në 26 nëntor. Këto janë të dhënat e përgjithshme, në pritje të programit të plotë të vizitës papnore që do të shpallet më vonë.

Tajlandë: "Dishepuj të Krishtit, dishepuj misionarë"

Motoja e etapës së parë të udhëtimit apostolik, në Tajlandë, është "Dishepuj të Krishtit, dishepuj misionarë", me një referim ndaj një përvjetori të rëndësishëm: në fakt, në vitin 2019 bie 350 vjetori i themelimit të Vikariatit Apostolik të Siami-t, ngritur në vitin 1669. Kjo ngjarje kujtohet edhe nga logoja e përgatitur për këtë vizitë papnore: Ati i Shenjtë Françesku paraqitet duke buzëqeshur e bekuar, ndërsa më poshtë është vizatuar një varkë, simbol i ungjillëzimit, që mbërthehet nga një pemë me tre vela, të cilat kujtojnë Trininë Shenjte. Varka mbahet nga dora e stilizuar e Virgjërës Mari. Së fundi, një Kryq i artë e nxit mbarë Kishën Katolike tajlandeze të jetë dëshmitare e Lajmit të Mirë - Ungjillit.

Azia, kontinent i gjerë dhe shumëformësh

Kështu kujtohen fjalët e Papës Françesku, që janë në mesazhin dërguar, në janar të këtij viti, takimit që u zhvillua në Bangkok ndërmjet kryetarëve të Komisioneve doktrinore të Konferencave episkopale të Azisë me një delegacion të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë. "Jeni mbledhur - shkroi Papa - të ardhur të gjitha viset e këtij kontinenti të gjerë, që karakterizohet nga diversiteti fetar, gjuhësor dhe kulturor, me qëllim për të ripohuar përgjegjësinë tonë të përbashkët për unitetin e integritetin e fesë katolike dhe për të eksploruar mjete e metoda të reja për të dëshmuar Ungjillin në mesin e sfidave të botës sonë bashkëkohore".

Japoni: "Mbroni çdo jetë"

Në anën tjetër, tema e udhëtimit apostolik në Japoni përqendrohet mbi mbrojtjen e jetës dhe të Krijimit. "Mbrojtja e çdo jete", me "t" në fjalën "jeta" në formë kryqi, është motoja e zgjedhur për vizitën papnore në Japoni, marrë nga "lutja e krishterë kushtuar krijimit" që  e mbyll Enciklikën e Papës Françesku "Laudato si' për kujdesin e shtëpisë së përbashkët”. Nxitja është për të respektuar jo vetëm dinjitetin e çdo personi, por edhe mjedisin, veçanërisht në një vend si Japonia ku kërcënimi bërthamor - thotë motoja - "mbetet një problem i përhershëm". Tri flakë me tri ngjyra të ndryshme e karakterizojnë logon e udhëtimit papnor në Japoni: flaka e kuqe për t’i kujtuar martirët, që janë themeli i Kishës në Japoni; flaka blu përfaqëson të Lumen Mari Virgjër që përqafon mbarë njerëzimin si fëmijë të saj, dhe flaka e gjelbër që kujton si natyrën e Japonisë, e po kështu edhe misionin e shpalljes së Ungjillit të shpresës. Një rreth i kuq, si diell, mbështjell e përqafon çdo jetë, duke simbolizuar dashurinë. Papa, paraqitet me një formë të stilizuar, duke bekuar.

Dëshira e Papës

Kështu, merr formë dëshira që u shpreh nga Papa Françesku një vit më parë: më 12 shtator 2018, gjatë takimit me disa anëtarë të shoqatës japoneze "Tensho Kenoh Shisetsu Kenshoukai" – e cila lindi para 20 vjetësh në Miyazaki për ta bërë të njohur figurën e Mancio Ito, një të riu japonez që mbërriti në Evropë në vitin 1500 me iniciativën e misionarëve jezuit – Papa pati thënë: " Duke përfituar nga kjo vizitë, dëshiroj t’ju njoftoj vullnetin tim për të vizituar Japoninë, vitin e ardhshëm. Shpresojmë ta kemi këtë mundësi”. E tani ajo shpresë po bëhet realitet.

13 shtator 2019, 12:56