Konferenca e shtypit e Papës Françesku pas udhëtimit në Mozambik Madagaskar Mauricius Konferenca e shtypit e Papës Françesku pas udhëtimit në Mozambik Madagaskar Mauricius 

Papa në avion: më pak fëmijë, sepse duam mirëqënie me tepri

Konferenca për shtyp e Papës në avionin e kthimit nga Afrika: Françesku kujton gëzimin e fëmijëve, që takoi dhe deklaron se shteti ka për detyrë të kujdeset për familjen. Thotë se ksenofobia është “sëmundje” dhe bën thirrje për ruajtjen e identitetit të popujve nga kolonizimet ideologjike. Ati i Shenjtë flet për kritikat që i bëjnë dhe i përgjigjet një pyetjeje mbi prirjet skizmatike: “Lutem që të mos ketë, por nuk kam frikë”.

R.SH. - Vatikan

“Unë nuk kam frikë nga një skizëm në Kishë”. Papa Françesku u thekson me vendosmëri opinionin e tij gazetarëve, që e ngacmojnë, duke e pyetur për një ndarje të mundshme të një pjese të botës kishtare, e cila nuk është plotësisht dakord me magjisterin e tij. Gjatë intervistës në avionin, që e solli Atin e Shenjtë nga Antananarivo në Romë, pas gjashtë ditësh në Afrikë (Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius), Papa dha një shembull, që flet qartë: “Mendimet që shpreh në fushën shoqërore janë njësoj me ato të Gjon Palit II. Unë kopjoj atë”. Shpesh, Papa shenjt Vojtyla përdoret si simbol i frontit anti-Bergoglio, që lulëzon kryesisht në SHBA-të. Argumentet kanë të bëjnë veçanërisht me çështjet, që kanë natyrë politike. Galaktika amerikane, në kontrast me Françeskun, është e larmishme, e përbërë nga ipeshkvij e meshtarë, por edhe nga njerëz të pasur, që kanë “vënë dorë” mbi katolicizmin amerikan.

Në disa sektorë tradicionalistë, Papa Françesku quhet madje “Papa komunist” për qëndrimet e tij mbi temat ambientaliste dhe ekonomike. Por edhe për hapjen e pjesshme të dyerve të Kishës për të divorcuarit e rimartuar, ose për marrëveshjen me Kinën. Gazetari i “The New York Times”, Jason Drew Horowitz, citoi figura pranë Atit të Shenjtë, që flasin për një komplot të mundshëm kundër Papës. A ka diçka, që nuk kuptojnë ata, që ju kritikojnë? – pyeti gazetari.

“Kritikat ndihmojnë gjithmonë – u përgjigj Françesku. - Kur njeriu kritikohet, menjëherë duhet të bëjë autokritikë. Ndonjëherë zemërohesh, por ka përfitime nga ky qëndrim. E pastaj, kritikuesit nuk janë vetëm amerikanë, janë pak kudo, madje edhe në Kurie: ata që i thonë [haptas kritikat] kanë të paktën meritën e ndershmërisë. Nuk më pëlqen kur të buzëqeshin në fytyrë, por të fusin thikën mbrapa shpine. Kjo nuk shërben për asgjë, nuk ndihmon. Ndihmon vetëm grupet e vogla të mbyllura, që nuk duan të dëgjojnë përgjigjen ndaj kritikës”.

Gjithnjë Horowitz e pyeti Atin e Shenjtë nëse ka frikë nga ndonjë skizmë në Kishë.

“Në Kishë – përmendi Françesku historinë e krishterimit - ka pasur shumë skizma. Është një nga veprimet, që Zoti ia lë gjithmonë lirisë njerëzore. Nuk kam frikë nga skizmat, lutem që të mos ketë asnjë, sepse është në lojë shëndeti shpirtëror i sa e sa njerëzve. Rruga drejt skizmës nuk është e krishterë. Skizma është gjithnjë çështje elitare. Sidoqoftë, problemet shoqërore, që unë gre, janë të njëjta me ato të Gjon Palit II, unë e kopjoj atë. Ka nga ata që thonë: ‘Papa është tepër komunist’ e kështu, ideologjitë hyjnë në doktrinë. Kur doktrina rrëshqet në ideologji ekziston mundësia e skizmës. Morali i ideologjisë të çon në ngurtësi e sot kemi shumë shkolla ngurtësie në Kishë, të cilat nuk janë skizma, por mënyra pseudoskizmatike të krishtera, që do të përfundojnë keq”.

Gazetari mozambikan, Julio Mateus Manjate, e pyeti Papën ç’mendon për edukimin e të rinjve në Afrikë.

“Afrika – u përgjigj ndër të tjera, Françesku - është kontinent i ri. Siç thashë në Strasburg, ‘nëna Evropë’ është bërë gati ‘gjyshja Evropë’, është plakur. Po kalojmë një dimër shumë të rëndë demografik në Evropë. Statistikat zyrtare qeveritare të një vendi evropian thonë se në vitin 2050 do të ketë më shumë pensionistë në atë vend, sesa njerëz që punojnë. Është tragjike. Cila është zanafilla e kësaj plakjeje në Evropë? Unë mendoj se është mirëqenia. ‘Po… jetojmë mirë, nuk bëjmë fëmijë sepse duhet të blejmë vilën, të bëjmë turizëm’. Është mirëqënie, që çon drejt plakjes. Përkundrazi, Afrika është gjithë jetë. Ka para vetes sfidën e edukimit të fëmijëve. Kryeministri i Mauricius ka ndërmend të krijojë një sistem arsimimi falas për të gjithë: ka rëndësi kjo, sepse ekzistojnë qendra të nivelit të lartë, por me pagesë”.

Papa iu kthye edukimit të të rinjve edhe më pas, kur një gazetare e Radio Don Boskos, nga Madagaskari, e pyeti për familjen e për rëndësinë e saj. Ati i Shenjtë nënvizoi se fëmijët rriten dhe edukohen në familje, përmendi fëmijët jetimë të Akamasoas, të cilëve u gjehet një shtëpi e një familje adoptive, kërkoi që atyre të mos u shuhet buzëqeshja e gëzimi për jetën.

“Shteti – theksoi Françesku - duhet të kujdeset për familjen, për të rinjtë. Është detyrë e shtetit, detyrë për t’i bërë të ecin përpara. E përsëris, familja që ka një fëmijë, ka një thesar. Por, duhet që e gjithë shoqëria të jetë e vetëdijshme se ky thesar duhet rritur, që të zhvillohet vendi, atdheu, të shtohen vlerat, që i japin sovranitet atij. Në të tria vendet, më bëri përshtypje që njerëzit përshëndesnin e me ta, edhe fëmijët. Kishte fëmijë fare të vegjël, që përshëndesnin, ishin të gëzuar”.

Gjithnjë gazetari mozambikan, Julio Mateus Manjate, e pyeti Atin e Shenjtë për ksenofobinë, që ekziston edhe në Afrikë, pra për frikën nga gjithçka është e huaj.

“Nuk është vetëm problem i Afrikës – vërejti Papa – është sëmundje njerëzore, si fruthi. Ksenofobitë shpesh udhëtojnë krah për krah me të ashtuquajturat populizma politike. Kam thënë muajin e kaluar (në një intervistë ekskluzive me gazetën italiane ‘La Stampa’ [shënim i yni]) që nganjëherë, në disa vende dëgjoj fjalime, që ngjasojnë me ato të Hitlerit në  vitin 1934. Përsëriten si refren në Evropë e, edhe në Afrikë”.

Cristina Cabrejas, e agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, që këtë vit kremton 80-vjetorin e themelimit, e drejtoi vëmendjen e Papës dhe të gazetarëve të tjerë të pranishëm në avionin e kthimit të Atit të Shenjtë në Romë, nga zjarret e kohëve të fundit në Amazonë, zonë, që përbën mushkëritë e planetit. A po bëjnë sa duhet qeveritë e Amazonës për ta mbrojtur rajonin, i cili prodhon 20% të oksigjenit, që thithim?

“Duhet ta mbrojmë ekologjinë, biolarminë, që është jeta jonë, oksigjenin – ngriti zërin Papa për një argument shumë të dashur për të. - Mbrojtja e ambientit bëhet nga të rinjtë, të cilët janë mjaft të ndërgjegjësuar për të, sepse thonë: ‘E ardhmja është e jona ... Me tuajën, bëni ç’të doni, por jo me tonën’. Disa qeveritarë po bëjnë më shumë, të tjerë më pak. Ka një fjalë në themel të shfrytëzimit të ambientit, kudo: korrupsion. ‘Kam nevojë të bëj këtë gjë, por për ta bërë duhet të shpyllëzoj’. ‘Po të tjerëve ç’u mbetet?’ Gjithçka, në mënyrë të pacipë”.

11 shtator 2019, 08:40